ArqipeshkviaFamulliteInstitutet rregulltareZyra per martiretCaritasShtypi dioqezanFshati i paqesArkiv
BENEDIKTI XVI SHPALL VITIN MESHTARAK

 

 

 

Në solemnitetin e Zemrës së Krishtit, Ati i Shenjtë Benedikti XVI udhëheq kremtimin e Mbrëmësores së Dytë të Solemnitetit në Bazilikën Vatikanase (ora 18.00), për hapjen e “Vitit Meshtarak”. Para liturgjisë priten reliket e Shën Gjon Maria Vianney-t, “Shenjtit Famullitar të Arsit”, që sillen prej Ipeshkvit të Belley-Ars, imzot Guy Bagnard, në prani të kard. Angelo Comastri, Arqiprift i Bazilikës Vatikanase.

Me Kremtimin e Mbrëmësores së Dytë të Solemnitetit të Zemrës së Krishtit, Shenjtëria e Tij Benedikti XVI hap “Vitin Meshtarak” të veçantë në 150-vjetorin e vdekjes së Shenjtit Famullitar të Arsit, Gjon Maria Vianney, në praninë e relikeve të Shenjtit. Shpalljen e “Vitit”, që ka si temë “Besnikëria e Krishtit, besnikëria e meshtarit” e ka bërë vetë Ati i Shenjtë gjatë Audiencës së dhënë Kongregatës për Klerin më 16 marsin e kaluar; në fjalimin e tij drejtuar të pranishëmve Papa vinte në dukje qëllimin e kësaj nisme, atë që “të ndihmojë tërheqjen e meshtarëve drejt përsosmërisë shpirtërore, prej së cilës varet veçanërisht efikasiteti i shërbesës së tyre”. Duke e përkufizuar Shenjtin Famullitar të Arsit si “shembull i vërtetë i Bariut në shërbim të grigjës së Krishtit”, Papa ia besonte Kongregatës detyrën për t'i koordinuar ngjarjet përkatëse me karakter shpirtëror e baritor, “të dobishme për të bërë që të ndihet gjithnjë e më shumë rëndësia e rolit dhe e misionit të meshtarit në Kishë dhe në shoqërinë bashkëkohore”. Benedikti XVI i kthehej argumentit të Audiencës së përgjithshme të së Mërkurës së Madhe, gjatë së cilës u shpjegonte besimtarëve ritet e Javës së Madhe, duke filluar prej Meshës së Vajrave në të cilën përtërihen premtimet meshtarake; pikërisht duke iu referuar liturgjisë mëngjesore të së Enjtes së Madhe, ai shprehej kështu: “Ky takim meshtarak merr edhe një domethënie të veçantë, sepse është pothuajse një përgatitje për Vitin Meshtarak, që kam shpallur me rastin e 150-vjetorit të vdekjes së Shenjtit Famullitar të Arsit dhe që do të fillojë më 19 qershorin e ardhshëm”. Nisma e Atit të Shenjtë frymëzohet prej figurës së një meshtari francez, të lindur në vitin 1786 në afërsi të Lionit prej një familjeje bujqësh. Fëmijëria e Gjon Maria Vianney-t u shënua thellësisht prej kontekstit të Revolucionit Francez dhe formimi i tij fetar u bë fshehurazi. Jo pak pengesa iu kundërvunë dëshirës së tij për të përqafuar meshtarinë: situata historike, kundërshtimi i të atit, mungesa e arsimit; pasi u shugurua meshtar në vitin 1815 u dërgua në Ars në vitin 1818 dhe qëndroi aty 41 vjet, deri kur vdiq më 4 gusht 1859. Në jetën e përditshme të një fshati të fshehur mes fushash, Gjon Maria Vianney diti të kryente një veprim të thellë ungjillëzues krejt të përqendruar në qëllimin për t'i drejtuar shpirtërat nga Krishti Bari i Mirë, nëpërmjet lutjes, sakramenteve, katekezës, shërbimit të të varfërve. Feja e tij në fuqinë e Hyjit dhe dëshmia e tij e jetës arritën që në mënyrë progresive ta hapnin zemrën e besimtarëve të tij, të cilët, në numër gjithnjë e më të madh, shkonin në rrëfyestoren “e hapur” të paktën dymbëdhjetë orë në ditë. Pjesën tjetër të kohës ia kushtonte katekizmit, i vetëdijshëm për rëndësinë e mësimit në zhvillimin e një feje të pjekur, në gjendje që t'u përçohet të tjerëve. Megjithatë, ndjeshmëria e tij nuk kufizohej vetëm në mjerimin shpirtëror por i drejtohej edhe varfërisë materiale të atyre që takonte; i ndriçuar prej dashurisë së krishterë, krijoi një jetimore për vajzat e braktisura, vepër të cilës i duhet shtuar ndërtimi i dy shkollave të destinuara sidomos për vajzat e djemtë e vegjël të varfër, në një kohë në të cilën frekuentimi i shkollës ishte i rezervuar vetëm për të pasurit.

U lumturua më 8 janar 1905 nga Papa Shën Piu X dhe u shenjtërua më 31 maj 1925 nga Piu XI, që e deklaroi “pajtor të të gjithë famullitarëve të Kishës së gjithëmbarshme”, më 23 prill 1929. Me rastin e njëqind vjetorit të vdekjes së Shenjtit Famullitar, Papa Gjoni XXIII i kushtoi Letrën Enciklike “Sacerdotii nostri primordia” (1 gusht 1959). Gjatë shtegtimit të vet të tretë në Francë, Gjon Pali II u ndal në Ars më 6 tetor 1986; në homelinë e thënë gjatë Meshës në sheshin e “Rencontre”, Papa pati bërë këtë reflektim: “Krishti është ndalur me të vërtetë këtu, në Ars, në epokën në të cilën këtu ishte famullitar Gjon Maria Vianney. Po, është ndalur. Ai ka parë “turmat” e burrave dhe të grave të shekullit të kaluar “të lodhur e të sfilitur, si delet pa bari” (krh. Mt 6,34). Krishti është ndalur këtu si bariu i mirë”.

Duke e drejtuar vështrimin nga zhvillimi i “Vitit Meshtarak”, nismat e shumta të filluara prej dioqezës së Belley-Arsit përfshijnë Jubileun e meshtarëve – në 4 gushtin e ardhshëm, dies natalis e Shenjtit – të udhëhequr nga Kardinali Sekretar i Shtetit Tarcisio Bertone dhe tërheqjen meshtarake ndërkombëtare (27 shtator – 3 tetor) me predikimin e kardinalit Christoph Schönborn. Gjatë periudhës jubilare Benedikti XVI do ta shpallë Shën Gjon Maria Vianney-n “Pajtor të të gjithë meshtarëve të botës”. Veç kësaj, është në program edhe botimi i “Direktoriumit për Rrëfyestorët dhe Drejtuesit Shpirtërorë”, së bashku me një përmbledhje të teksteve të Atit të Shenjtë mbi temat thelbësore të jetës dhe të misionit meshtarak në epokën aktuale. Me rastin e “Vitit Meshtarak” jepet dhurata e Ndjesëve të veçanta, me modalitetet e përshkruara në dekretin e veçantë të Pendestarisë Apostolike. “Viti” do të përmbyllet nga Papa më 19 qershor 2010, në praninë e meshtarëve të ardhur nga e gjithë bota që do të përtërijnë besnikërinë e tyre ndaj Krishtit dhe lidhjen e vëllazërisë.

Me një letër të veçantë të dërguar të gjithë ipeshkvinjve të botës, Kongregata për Klerin thekson përtëritjen e përshpirtërisë meshtarake dhe qëllimet e tjera të Vitit, duke treguar disa modalitete kremtoriale dhe duke shpresuar ndihmesën e krejt realitetit kishtar në momentet e ndryshme; Letra, e datës 3 prill të këtij viti, mban firmën e prefektit, kard. Cláudio Hummes dhe të sekretarit, arqipeshkvit Mauro Piacenza.

Nga “Bollettino” i Sekretarisë së Shtetit

 

 titujt kryesore

 
 
> Kisha Katolike Shkoder 2009 <

webmaster