|
|
Me 16 korrik Kisha Katolike përkujtoi festën e
Zojës së Karmelit. E në nder e lavd të kësaj feste edhe në
dioqezën e Sapës, pikërisht në kishën e Shën Mëhillit, pranë
kuvendit të Motrave Karmelitane në Nënshat, u kremtua me
solemnitet festa e Zojës së Karmelit, që sipas traditës
shqiptare njihet dhe si Zoja Karmë.
Mesha e shenjtë u udhëhoq nga Vikari Përgjithshëm
i Dioqezës së Sapës, Dom Carlo Fantini, në bashkëkremtim me
meshtarë të tjerë. Për të bashkëndarë gëzimin e kësaj feste,
bashkë me motrat morën pjesë edhe besimtarët e zonës, ku të
gjithë së bashku u lutën dhe i kërkuan Zojës se Karmelit
plotësimin e nevojave të tyre, paqe, hir e begati në jetën e të
gjithë shqiptarëve.
Në fillim Dom Karlo përcolli urimet e përzemërta
të Ipeshkvit të vendit, Imzot Lucjan Avgustini, i cili, për
shkak të angazhimeve të tjera nuk ishte i pranishëm, e më pas ka
vazhduar me homelinë e rastit duke e falënderuar Zotin për
dhuratën e madhe që i ka bërë dioqezës sonë me praninë e Motrave
Karmelitane në mesin tonë, të cilat janë gjithmonë në lutje për
nevojat e mbarë besimtarëve brenda dhe jashtë Shqipërisë.
Violeta Marashi
titujt kryesore |
|