|
Me datën 27 qershor 2009 u kremtua në Tiranë
Mesha që mbyll për ne këtë kohë jubilare që Papa Benedikti XVI e
pati hapur për mbarë Kishën qysh në 28 qershorin e vitit të
kaluar, duke ia kushtuar këtë vit apostullit të madh të popujve,
Shën Palit.
Mesha solemne u kremtua në Katedralen e Tiranës e
cila është edhe Kishë ku këtë vit mund të merrej ndjesa e plotë,
duke qenë se është e ushtuar pikërisht Shën Palit.
Kremtimi u kryesuar nga Arqipeshkëvi i
Arkidioqezës Tiranë-Durrës, Sh. T. Imzot Rrok Mirdita, dhe pati
bashkëkremtimin Nuncit Apostolik Sh. T. Imzot Ramiro Moliner
Inglés, si edhe të gjithë ipeshkvijve të tjerë të Shqipërisë, të
shumë meshtarëve, rregulltarëve, si edhe të shumë besimtarëve
të ardhur nga e gjithë Shqipëria.
Katedralja ishte e mbushur plot dhe ishte bukur
të shihje aty besimtarë që kishin ardhur pasi kishin bërë rrugë
të gjatë – veçanërisht të shumtë ishin besimtarët e ardhur nga
dioqeza e Shkodrës – për të marrë pjesë në falënderimin e
përbashkët që po i bëhej Hyjit që na ka dhuruar Shën Palin dhe
tani edhe këtë vit hiri në nder të tij.
Edhe Imzot Mirdita theksoi pikërisht këto ndjenja
falënderimi ndaj Hyjit, i cili na ka dhuruar një apostull kaq të
zellshëm për Ungjillin e Krishtit. Duke na nxitur që ta imitojmë
këtë zell të shenjtë, Arqipeshkvi na ftoi të mos kemi frikë ta
shpallim edhe ne me zell Ungjillin e Jezu Krishtit, Birit të
Hyjit të bërë njeri, dhe të mos druhemi përballë vuajtje dhe
persekutimeve. Ato janë të pashmangshme për nxënësit e Krishtit,
dhe mund të jenë mjeti më i privilegjuar për përhapjen e
Ungjillit.
Gjatë paraqitjes së dhuratave ishte organizuar
diçka shumë e bukur: secila dioqezë duhej të paraqiste një
dhuratë simbolike para altarit të Hyjit. Shkodra solli lule të
freskëta dhe shumë ngjyrëshe.
Pas përfundimit të Meshës së Shenjtë Imzot
Mirdita bekoi edhe një trupore të Shën Palit, e cila në mënyrë
solemne u vendos në një kënd të katedrales.
Ky kremtim ishte edhe një dëshmi e bukur e të
qenit Kishë Katolike, domethënë e përgjithshme, duke qenë se
mblidhte besimtarë të ardhur nga zona të ndryshme të Shqipërisë,
të cilët ishin aty së bashku me barinjtë që Hyji i ka vënë në
përkujdesjen e tyre, e që nëpërmjet të cilëve ai na bashkon në
një trup të vetëm me mbarë pjesën tjetër të Kishës Katolike në
të gjithë botën, me në krye Papën tonë të dashur Benediktin XVI.
Dom Dritan Ndoci
titujt kryesore |