|
|
Kam kënaqësinë të bashkëndaj me ju, vëllezër e
motra të besimit katolik veprat, besnikërinë dhe dashurinë e
madhe që Zoti ka për krijesat e veta dhe për mua. Së pari dua të
prezantohem: unë quhem Motër Gjelina Nikolli, bija e Gjon Prend
Nikollit prej Nënshatit. Gjatë fëmijërisë, adoleshencës e rinisë
sime gjithmonë më tërhiqte “lutja”, të dija kush është Zoti që
ka krijuar gjithësinë dhe nga e ka prejardhjen njeriu dhe
gjithësia. Kjo pyetje gjithmonë më godiste dhe më bënte të hyja
sa më shumë në vetvete dhe të mendoja mbi atë që ekzistonte.
Mbas disa vitesh takova Atë Sergio e një motër
Stigmatine, e që të dy më folën për Krijuesin e gjithësisë e për
Dashurinë që Hyji ka për ne. Këto fjalë ma mbushnin zemrën me
gëzim dhe kjo ishte për mua ajo që kërkoja prej vitesh. Sa më
shumë që dija për fenë Katolike, për Krishtin, i cili e ka
dhuruar jetën e vet për ne, aq më tepër zemra dhe tërë qenia ime
ngadalë po pranonte ftesën që Jezusi po më bënte: të lë çdo gjë
e të ndjek atë duke ia dhuruar tërë jetën time. Kështu ndodhi!
Me 12 Janar 1995 kam takuar Motrat Misionare të Kraharorit të
Shenjtë, të cilat më folën për Pëshpirtërinë e tyre: “Dashuri e
Riparim”, Soditje në Veprim, si vepër Apostolike të shpallin
devocion për Zemrën e Krishtit dhe edukimin Fetar, kulturor të
përgjithshëm për të gjitha moshat.
Me 2 Janar 1997 kam marrë medaljen e Zojës së
Dhembshurisë, si Kandidate; me 1 Maj 1998 kam hyrë në Rishtari;
me 18 Qershor 2000 kam bërë Kushtet e para. Kam studiuar që në
vitin 2000- 2005 – dy vite në Shkodër e 3 në Romë. Mbas
studimeve kam filluar Apostollatin në Shqipëri ku kam shërbyer
në Shkollën “Zemra e Krishtit”; në Famullinë e Zemrës së
Krishtit, Guri i Zi, e Shën Simoni dhe Juda Tadeo në Rrenc.
Me këtë rast dua të falënderoj përzemërsisht të
gjithë ata persona që më kanë shoqëruar gjatë tërë ecjes sime,
deri tani që mora kushtet e Përjetshme, me 19 qershor 2009, si
shenjë e Përkatësisë së Kongregacionit të Motrave Misionare të
Kraharorit të Shenjtë. Veçanërisht dua të falënderoj prindërit,
familjarët, dhe Kongregatën e të gjithë ata që me shumë dashuri
më kanë edukuar sipas vlerave njerëzore e shpirtërore gjatë
këtyre viteve.
Motër Gjelina
titujt kryesore |
|