|
|
Shkëlqesi shumë e
Ndritshme,
Në Audiencën e dhënë 16 marsin
e kaluar Anëtarëve të kësaj Kongregate, të mbledhur në Asamble
Plenare, Ati i Shenjtë Benedikti XVI “për të ndihmuar tërheqjen
e meshtarëve drejt përsosmërisë shpirtërore prej së cilës varet
në veçanti efikasiteti i shërbesës së tyre” ka pasur mirësinë të
shpallë një “Vit Meshtarak” të veçantë, që do të shkojë nga 19
qershori i ardhshëm, solemniteti i Zemrës së Krishtit, deri në
të njëjtën datë të vitit 2010. Në të vërtetë, qëllon 150-vjetori
i vdekjes së Shenjtit Famullitar të Arsit, Gjon Maria Vianney,
shembulli i vërtetë i Meshtarit në shërbim të grigjës së
Krishtit (krh. Fjalimi i Atit të Shenjtë).
Viti Meshtarak përfaqëson kështu një rast të
rëndësishëm për ta vështruar përsëri dhe gjithnjë me një
mahnitje mirënjohëse veprën e Zotit i cili, “atë natë që po
tradhtohej” (1 Kor 11,23), ka dashur të themelojë Meshtarinë
shërbestare, duke e lidhur atë në mënyrë të pandarë me
Eukaristinë, kulmin dhe burimin e jetës për gjithë Kishën.
Kështu, do të jetë një Vit në të cilin do të rizbulohet bukuria
dhe rëndësia e Meshtarisë dhe e secilit të shuguruar, duke e
sensibilizuar për këtë gjithë popullin e shenjtë të Hyjit: të
kushtuarit dhe të kushtuarat, familjet e krishtera, ata që
vuajnë dhe, sidomos, të rinjtë të cilët janë aq të ndjeshëm ndaj
idealeve të mëdha, të jetuara me një hov të përnjëmendtë dhe me
një besnikëri të vazhdueshme.
Në këtë drejtim shkon edhe titulli i zgjedhur
mirë prej Atit të Shenjtë për këtë Vit: “Besnikëria e Krishtit,
besnikëria e Meshtarit”, për të treguar parësinë absolute të
hirit, “Ne duam sepse Ai na deshi më parë” (1 Gjn 4,19) dhe, në
të njëjtën kohë, edhe bashkimin e domosdoshëm e të përzemërt të
lirisë që do, duke mos harruar se emri i dashurisë në kohë është
“besnikëri!”.
Sikurse Shkëlqesia juaj do të mund të vërejë,
bëhet fjalë për një rast të rëndësishëm thellimi
teologjiko-shpirtëror dhe misioni baritor, të frytshëm para së
gjithash për vetë Meshtarët, të thirrur për të përtërirë
vetëdijen e identitetit të tyre dhe, si rrjedhojë, për të
përforcuar tërheqjen misionare që buron prej brendësisë hyjnore,
prej “të qëndruarit” me Zotin. Frytshmëri baritore që përhapet
në çdo mjedis e person të Kishës, me një vëmendje të veçantë
ndaj nxitjes së domosdoshme e parësore të thirrjeve në shërbesën
meshtarake.
Viti Meshtarak do të përurohet për Solemnitetin e
ardhshëm të Zemrës së Krishtit në Bazilikën Papnore të Shën
Pjetrit në Vatikan, me kremtimin e Mbrëmësores të udhëhequr prej
Atit të Shenjtë. Për këtë rast do të sillet prej Arsit relikja e
zemrës së Sh. Gjon Maria Vianney-t, zemër që ka rrahur në
harmoni me Zemrën hyjnore të Bariut të Mirë. Do të ishte
domethënëse që të programohej një kremtim analog në çdo
Katedrale apo Shenjtërore apo kishë domethënëse për krahinat e
veçanta kishtare, me Meshtarët dhe besimtarët që do të duan të
bashkohen në lutje.
Gjatë Vitit, herë pas here, nëpërmjet mjeteve të
zakonshme të komunikimit dhe, sidomos, nëpërmjet Sitit Internet
të kësaj Kongregate (www.clerus.org) do të komunikohen ngjarjet
dhe do të jepen mbështetjet e nevojshme për tubime, tërheqje
shpitërore, momente lutjeje, kuvende dhe çdo nismë tjetër që
krijimtaria e drejtë baritore do të dojë të programojë.
Bëhet fjalë për një ngjarje jo spektakolare, por
që do të donim të jetohej sidomos si përtëritje e brendshme në
rizbulimin e gëzueshëm të identitetit tonë, të vëllazërisë së
presbiteriumit tonë, të marrëdhënies sakramentale me Ipeshkvin
tonë. Kështu, nismat duhen marrë sidomos në secilën krahinë
kishtare dhe në Institutet e përkatësisë.
Në këtë kuptim do të jetë e përshtatshme që Vitit
Meshtarak t'i jepet dukshmëria e duhur nëpërmjet mas mediave,
sidomos katolike, duke u kujdesur që t'i jepet gjithmonë një
interpretim i saktë dhe jo i pjesshëm.
Përveç presbiterëve, secilit Meshtar dhe
Famullive, do të jetë mirë të përfshihen edhe vendet e formimit
meshtarak, Shoqatat dhe Lëvizjet, kaq të pasura me prani rinore,
Shkollat katolike, të çdo rendi dhe shkalle, Manastiret,
Institutet e Jetës së Kushtuar dhe të gjitha realitetet
përnjëmend kishtare që, sipas gjendjes së tyre dhe karizmës së
tyre, mund t'i japin një ndihmesë të vlefshme Vitit Meshtarak.
Viti do të mbyllet me një Ditë Botërore për Meshtarët, që do ta
ketë kulmin e vet në Romë për Solemnitetin e Zemrës së Krishtit
të vitit 2010, me Atin e Shenjtë.
Në fjalimin e lartpërmendur, Ati i Shenjtë ka
kujtuar se: “Shihet se është i ngutshëm edhe rifitimi i asaj
vetëdijeje që i nxit meshtarët të jenë të pranishëm, të
identifikueshëm e të njohur qoftë për gjykimin e fesë, qoftë për
virtytet personale, qoftë edhe për veshjen, në mjediset e
kulturës e të bamirësisë, që gjithmonë janë në qendrën e
misionit të Kishës”. Në këtë kuptim dëshirohet që të bëhet
kujdes për “praninë” e Meshtarëve në çdo fushë të misionit të
Kishës, edhe duke u dalë përpara atyre që, megjithëse të
pagëzuar, nuk janë ungjillëzuar ende mjaft.
Me sigurinë se Shkëlqesia juaj nuk do të lërë pa
vënë në jetë, në një shpirt të përzemërt vëllazërie kolegjiale,
çdo nismë të përshtatshme për të ndihmuar kremtimin më të
motivuar e të frytshëm të Vitit Meshtarak, përfitoj prej rastit
të përtërij ndjenjat e nderimit të thellë dhe të deklarohem
Shkëlqesisë suaj shumë të Ndritur shumë i devotshëm në Zotin
Cláudio Card Hummes Prefekt
titujt kryesore |
|