ArqipeshkviaFamulliteInstitutet rregulltareZyra per martiretCaritasShtypi dioqezanFshati i paqesArkiv

NË PËRKUJTIM TË M. LILJANËS

 

 

 

M. Liljana lindi në Shirokë më 21 maj 1925. Ishte fëmija i tretë në një familje me 4 vajza dhe një djalë.  Babai ishte peshkatar dhe e ëma shtëpiake. Shkollën fillore e kreu ndër murgesha, ku shfaqi edhe dëshirën  për t'ia kushtuar jetën Zotit, dëshirë të cilën e realizoi me 8 maj 1944  përmes një ceremonie të mrekullueshme,  duke u veshur murgeshë në kuvendin e Gjuhadolit, Shkodër.

Gëzimi zgjati vetëm 2 vite, sepse më 21 dhjetor 1946, mbyllën kuvendin duke i shpërndarë të gjitha  motrat ndër shtëpitë e tyre. Edhe Motër Liljana u kthye në shtëpinë e saj,  duke gjetur  babain, nënën, 3 motrat dhe vëllain, ndërsa Cilukja ishte e martuar.  Të gjithë familjarët e pritën me ngrohtësi dhe u përpoqën me të gjitha mënyrat që t'ia kalonin mërzinë dhe trishtimin që e kishte pushtuar fetaren e vendosur.

Gjatë kësaj kohe merret me punë dore e qëndistari, gjë për të cilën kishte prirje të veçantë,duke  ndihmuar edhe ekonominë e dobët të familjes. Kërkoi të punësohet si kujdestare fëmijësh, që të shprehte shpirtin e saj  humanitar, gjë të cilën e realizoi në 1949 duke u punësuar në Brefotrofin e qytetit, ndërkohë që bën kursin 2 vjeçar të infermierisë.

Punoi me devocion dhe përkushtim të lartë deri në vitin 1955, kur e akuzuan dhe e dënuan padrejtësisht me 4 muaj burgim. Pas daljes nga burgu mbeti më se një vit pa punë e pastaj hyri si infermiere në Sanatorium  ku shërbeu deri në vitin 1975 që doli në pension.

Aktivitetin e saj M. Liljana e ushtroi gjatë gjithë jetës, qoftë në jetën e kuvendit, qoftë pas mbylljes së Kishave, në qendrat shëndetësore ndaj të sëmurëve e në të njëjtën kohë ia  transmetoi edhe mbarë familjes dhe të njohurve të saj.

Me rikthimin e fesë, iu përgjigj menjëherë thirrjes së eproreve duke u kthyer sërish me devocionin e saj të veçantë në mision më parë në Nunciaturën Apostolike në Tiranë e më pas në famullinë e Dajçit të Shkodrës.

Besimi në fenë e krishterë dhe dashuria për njerëzit, i kanë mbajtur të patundur motivin e jetës deri në frymën e saj të fundit.  Me 2 qershor 2009.

Motër Liljana, lute Zotin për Kishën e Shqipërisë, Ipeshkvin,  meshtarët, e të gjithë të pranishmit, të cilëve ju jemi mirënjohës e për të gjithë ata që i takove gjatë jetës.  

Dëshmia jote e fesë,  durimi ndaj sëmundjes,  zelli yt për Kishën e Shenjtë qofshin për ne  shembull ndaj të cilit mund të ecim në rrugën e Krishtit! M. Liljana, pushofsh  në Paqe!

 Motrat Stigmatine

 

   titujt kryesore

 
 
> Kisha Katolike Shkoder 2009 <

webmaster