ArqipeshkviaFamulliteInstitutet rregulltareZyra per martiretCaritasShtypi dioqezanFshati i paqesArkiv

SHTEGTIMI I PËRVITSHËM I MËRGIMTARËVE SHQIPTARË

 

 

 

Shenjtërorja e Zojës së Këshillit të Mirë në Gjencan (RM), edhe sivjet priti grupe të shumta mërgimtarësh shqiptarë, ardhur nga qendra të ndryshme baritore të Italisë. Kanë kaluar pesëmbëdhjetë vjet nga dita kur nisi së pari ky takim, në të cilin marrin pjesë gjithnjë më shumë shtegtarë shqiptarë, aq sa t'i japin shtegtimit fetar, tashmë tradicional, një ngjyrim gjithnjë më kombëtar. E kjo, sepse shtegtarët nisen nga të katër anët e Italisë (katër autobusë vetëm nga Pistoja) e arrijnë në Shenjtëroren e Gjenacanit me zemrën plot mirënjohje, me dëshirën të falënderojnë Virgjërën Mari, Pajtoren e tyre, për hiret që kanë nxjerrë me ndërmjetësimin e saj. E quajnë familjarisht Zoja e Shkodrës, Nënë, që mban gjallë dashurinë e tyre për Mëmëdheun. Shtegtimi, i cili tashmë organizohet gjithnjë të dielën e fundit të majit, është kthyer në një takim të vërtetë në përfundim të vitit baritor. Krijohen, kështu, mundësitë për të bërë, përveç kremtimit solemn eukaristik, edhe një analizë përfundimtare të veprimtarisë baritore, për të cilën çdo vit shkrihen shumë energji.  Duke vërejtur larminë e 500 shtegtarëve, kryesisht të rinj e familje të posakurorëzuara, mund të pohohet se breznitë e reja mërgimtare të shqiptarëve vijojnë ta mbajnë lart vlerën tradicionale të familjes.

Sivjet, si simbol i përtëritjes së Kishës në Shqipëri, për ta kryesuar kremtimin u ftua françeskani i ri nga Shkodra, Atë Aurel Gjerkaj i cili, duke vijuar studimet në Itali, bashkëpunon për shërbimin baritor në komunën e Varezes. Në homelinë e tij, Atë Aureli nënvizoi vlerën e shtegtimit, që sivjet përkoi me një solemnitet  të madh e kuptimplotë për mbarë Kishën: me Rrëshajët. E porositi: “Si Apostujt në Çenakull u përforcuan në fe nga Shpirti Shenjt, për të qenë misionarë të Kishës në fasha, ashtu edhe pjesëmarrësit në shtegtim, duke u përngjarë vetë dishepujve të Krishtit, duhet të jenë gurë të gjallë të Kishës në Shqipëri”.

Ndërmjet përshëndetjeve e falënderimeve të bashkëkremtuesve, përveç përshëndetjes së don Paskuale Ferraros, Koordinator kombëtar i baritorisë për mërgimtarët shqiptarë në Itali, besimtarët ndoqën edhe fjalën e Atë Gazmendit, provinçial  i Provinçës shqiptare të “Zojës Nunciatë”. Atë Tinaj uroi që dashuria për Shqipërinë, e dëshmuar në këtë takim të besimtarëve, të mbledhur si bij të popullit shqiptar, të mos mbetet vetëm simbolike, por të konkretizohet me rikthimin në trojet atërore, që secili të japë kontributin e vet  në fazën e re historike të jetës së Kombit. U krijua përshtypja se në fjalët e françeskanit jehonin fjalët dhe melodia e këngës së lashtë, që populli shqiptar ia drejton Zojës së Gjenacanit:

Ktheu, o Zoja e Këshillit t'Mirë,

Na prij n'paqë t'hyjnueshmit Bir”.

Mërgimtarët e përfunduan shtegtimin në kopshtet komunale të qytezës laciale, ku dreka festive u pasurua me këngë e valle, plot mall për atdheun e largët. Emocionohesh kur kujton se  pak vjet më parë shumë nga këta të rinj kalonin situata të vështira, ndërsa sot përpara tyre janë hapur perspektiva të reja: të rinjtë, që ndonjë vit më parë sapo kishin nisur rrugën e fesë, sot janë gati, disa për  të vënë kurorën e martesës, të tjerë për të pagëzuar fëmijët, shenjë e qartë e integrimit të plotë në Kishën, që i pranoi  në gjirin e vet e kujdeset për ta, si për të gjithë bijtë e saj.

Gëzimi që karakterizoi takimin e sivjetëm dhe emocionet e fuqishme,  të buruara nga lutja e përbashkët, tingëlluan si premtim për t'u takuar përsëri, vitet e ardhshme, me Virgjërën Mari, Pajtoren e Atdheut e të familjeve, që është Nëna e tyre, ashtu si e Birit të Zotit.

 

Ferraro don Paskuale

Koordinator kombëtar  për mërgimtarët shqiptarë në Itali

   titujt kryesore

 
 
> Kisha Katolike Shkoder 2009 <

webmaster