|
|
Për diakonin Artur Jaku, datat 29 qershor dhe 1
korrik 2009 do të mbeten të paharruara. Ai është me prejardhje
nga fshati Sheldi i rrethit të Shkodrës, fshat i cili i ka dhënë
Kishës më shumë se 7 meshtarë. Pasi kreu studimet
filozofiko-teologjike pranë Seminarit ndërdioqezan shqiptar
“Zoja e Këshillit të Mirë” – Shkodër, ai u shugurua diakon para
pak muajsh. Tani, nga duart e Sh. T. Imzot Angelo Massafrës, ai
u shugurua edhe meshtar. Në këtë Meshë solemne bashkëkremtuan
edhe shumë meshtarë, ne mesin e të cilëve qenë edhe meshtarë të
ardhur enkas nga Italia. Ishin të pranishëm edhe shumë besimtarë
- motra të kongregatave të ndryshme, familjarët e Dom Arturit,
shumë bashkëfshatarë të tij, shumë besimtarët të tjerë që e
njihnin Dom Arturin, të cilët kishin ardhur të merrnin pjesë
personalisht në këtë moment të rëndësishëm për jetën e Dom
Arturit dhe, jo pak, të mbarë Kishës.
Gjatë homelisë së tij Imzot Angelo Massafra foli
për rolin e meshtarit, për detyrat që ai merr përsipër, si edhe
për përgjegjësitë që do të ketë kur të fillojë shërbesën e tij
meshtarake në famullitë e ndryshme. Njëherësh nuk mungoi edhe
falënderimi i bërë familjes së Dom Arturit, falënderimi i bërë
përgjegjësve të tij të formimit, si edhe të gjithë atyre që bënë
të mundur ecjen e Arturit drejt meshtarisë. E ai, nga ana e tij,
gjatë kremtimit liturgjik, e shprehu gatishmërinë e tij me
fjalët “Ja ku jam”, duke iu përgjigjur Hyjit për çdo gjë që Ai
po i kërkonte.
Pas Meshe, një numër i madh besimtarësh i puthën
duart meshtarit të ri dhe morën prej tij, si kujtim, një fugure
ku shkruheshin fjalët e Jezusit: “Kush qëndron në mua dhe unë në
të, jep shumë fryt”. Në fugure ishte edhe shënimi i datës së
shugurimit meshtarak, si edhe data 1 korrik, datë në të cilën,
në kishën e fshatit Kosmaç, meshtari i ri do të kremtonte Meshën
e parë.
E ashtu ndodhi: në datën e lartpërmendur kisha e
Kosmaçit - fshati ku familja e Dom Arturit banon prej disa
vitesh - qe e mbushur nga besimtarë të shumtë, të ardhur edhe
nga fshatrat përreth. Aty meshtari i ri kryesoi për herë të parë
Meshën e Shenjtë, në të cilën bashkëkremtuan edhe shumë meshtarë
të tjerë.
Në fillim qe Dom Silvio Braga, famullitari i
kësaj famullie, ai që i uroi mirëseardhjen meshtarit të ri. Ai
theksoi gëzimin e veçantë që po përjetonte ajo bashkësi për një
rast të tillë. Pastaj vuri në dukje edhe detyrat që ka meshtari
në përhapjen e Ungjillit. Homelinë në këtë Meshë të parë të
tijën, Dom Arturi kishte dashur që ta bënte Dom Gjovalin Simoni.
Ndër të tjera ai tha: “Me plot besim dhe mirënjohje mund të them
sot se Zoti është i mirë dhe i madh në dashuri dhe se sot po
përmbush një vepër të duarve të veta, vepër e cila është jeta
jote dhe dhurata e meshtarisë…”. E më poshtë: “... Në këtë ditë
të bukur të jetës sate më duket se mungon personi i cili do të
kishte gëzuar më shumë se kushdo: nëna jote Vera...”.
Pastaj oratori u ndalua tek vlerësimet që ka
meshtari i ri, punën që duhet të bëjë për shpalljen e Fjalës së
Zotit, dhe do ta mbyllte homelinë me fjalët e Shën Gjon Maria
Vianei: “Sa i madh është meshtari”. Para përfundimit të Meshës
meshtari i ri do të falënderonte të gjithë ata që në forma të
ndryshme e kanë ndihmuar dhe përgatitur për këtë ditë. Mesha e
Shenjtë përfundoi me bekimin solemn dhënë nga meshtari i ri. Dy
bashkëfshatarë recituan për të pranishmit vargje të kushtuara
meshtarit të ri.
Siç është zakon, pas kremtimit eukaristik,
besimtarët e pranishëm i puthën duart meshtarit të ri. Më pas,
për të ftuarit, familja e Dom Arturit, shtroi një tryezë
vëllazërore.
Lec Zadeja
titujt kryesore |
|