|
|
KRISHTI
VËRTET ËSHTË NGJALLUR
Të dashur vëllezër e motra në Krishtin, ju uroj të
gjithëve Për shumë vjet Pashkën dhe uroj që të sjellë në shtëpitë tuaja
harenë që veç ajo di të përçojë.
Pashka është qendra e jetës së të krishterit, është
caku i synuar nga Besëlidhja e Vjetër, boshti rreth të cilit sillet
Besëlidhja e Re, burimi i tërë jetës liturgjike të Kishës dhe e vetmja
forcë e besimtarit.
Në këtë urim timin desha të ndalesha tek dy mendime
që besoj janë thelbësorë për ta përjetuar sa më mirë Ngjalljen e
Krishtit.
Së pari fakti se Krishti është vërtetë i ngjallur.
Mund të duket si e panevojshme një fjalë e tillë, një këmbëngulje e
tillë, por e them ngaqë më vijnë në mendje shumë terme që qarkullojnë
shpesh mes ne të krishterëve me anë të të cilëve ne e “mbyllim” Pashkën
në sferën e sentimentalizmit, të emocionit, si për shembull “Krishti
është ngjallur në zemrën time”, apo - kur na e zënë frymën fatkeqësitë,
turbullimet dhe errësirat e ndryshme të shpirtit - themi të shkurajuar
“për mua Krishti nuk është ngjallur”. A nuk është kjo një mënyrë për të
qenë ne qendra e vetes sonë, qofshim të gëzuar apo të trishtuar?
Por Krishti është ngjallur përnjëmend, pavarësisht
nga ndjenjat tona për këtë “ngjarje kozmike të re” - siç e quan Papa
Benedikti XVI në një homeli të tijën. Është vërtet një ngjarje e re në
tërë historinë e krijimit sepse duket sikur rregulli i gjithmonshëm i
natyrës ka ndryshuar. Duket sikur ka filluar diçka e re. Jo më kot, duke
filluar që nga apostujt, Kisha e quajti këtë ditë të parë të javës si
dita e fundit e saj, dita e shtatë, si dita ku ndodhi krijimi i ri.
Krishti i Ngjallur është ripërtëritja e krijimit të rënë për shkak të
mëkatit. Kjo ngjarje e re kozmike i bëri të reja të gjitha gjërat (krh.
Zb 21, 5).
Krishti është ngjallur së vdekuri. Përnjëmend është
ngjallur. Kjo e vërtetë e tejkalon çdo gjendje timen emocionale, e
tejkalon çdo lloj bindje iluministe ku thuhet se njeriu është dritarja
prej nga ku duhet të shihet çdo gjë, madje edhe Hyji.
Vëllezër e motra të dashur, uroj që ta meditojmë
vazhdimisht në jetën tonë Ngjalljen e Krishtit, të mos e zvogëlojmë atë
aq sa është zemra jonë, e lumtur apo e trishtuar qoftë ajo. “Hyji është
më i madh se zemra jonë” (1 Gjn 3, 20). Kështu do të dini ta drejtoni
zemrën tuaj, krejt qenien tuaj kah kjo e vërtetë e madhe. Jezusi i
ngjallur - që vazhdon të jetë i tillë në gjirin e së Shenjtërueshmes
Trini - është në gjendje të na mahnitë gjithnjë, të na pushtojë mendje e
zemër e të na shndërrojë gjithnjë “nga lavdia në lavdi” siç thotë Shën
Pali (2 Kor 3, 18), siç i ndodhi atij dhe të gjithë shenjtërve të
historisë.
Së dyti dëshiroj t'ju ftoj ta ngulim shikimin tonë
tek Plagët që Jezusi i Ngjallur mbart në trupin e Tij të lavdishëm. Si
ka mundësi që në këtë trup të lavdishëm, vazhdojnë të jenë shenjat e
mundimeve dhe të vdekjes së tij? Mos vallë ato janë treguesi i
përhershëm i egoizmit njerëzor që arriti deri në vrasjen e Zotit të vet?
Mos vallë sa herë që t'i shohim ato plagë qenkemi të dënuar për
shkurajim, për trishtim, duke qenë se na kujtojnë mëkatin tonë? Apo
ndoshta tregojnë se Jezusi nuk e ka mposhtur tërësisht vdekjen?
Nuk është ashtu. Ato plagë janë shenja të jashtme të
një identiteti të brendshëm të këtij Personi të ngjallur së vdekuri.
Duke i parë ato plagë mund të kujtohemi gjithmonë për dashurinë e Hyjit
ndaj nesh. Në to është e gdhendur fytyra e vërtetë e Hyjit. Aty tregohet
më së miri se “Hyji është dashuri” (1 Gjn 4, 16). Ato plagë nuk janë
burim trishtimi, shkurajimi apo përvujtërimi, por përkundrazi janë
burimi i pashtershëm i fuqive më të thella të shpirtit njerëzor i cili
është i aftë të bëjë gjëra vërtet të mëdha kur zbulon se Hyji e do. Kjo
gjë i jep hov jetës së njeriut. Kjo e vërtetë e vë njeriun në një
marrëdhënie miqësie me Hyjin (krh. Gjn 15, 14-15).
Vëllezër e motra të dashur, lejoni që një hov i tillë
t'ju përshkojë vazhdimisht. Mos lejoni që diçka tjetër ta thithë
vëmendjen tuaj më fort se dashuria e Hyjit. Ti besimtar i dashur që ke
shumë gjëra për të bërë, bëji, por i përshkuar nga vetëdija se Hyji të
do. Ti prind i dashur që je vazhdimisht i shqetësuar për rritjen e
fëmijëve të tu, mos të të duket dytësore t'u mësosh atyre se Hyji i do
fort. Ti punëtor i dashur që ndeshesh çdo ditë me peshën e lodhjes për
të fituar bukën e përditshme për vete dhe për familjarët e tu, vazhdo të
punosh, por mos harro se është një dorë tjetër e dashur që kujdeset për
ty dhe për familjen tënde. Ti besimtar i nderuar, që Zoti të ka vënë në
duar drejtimin e fateve të shumë njerëzve, lejo që në veprimtarinë tënde
t'u shërbesh atyre dhe t'i duash me atë energji që të jep dashuria e
Hyjit ndej teje. Ti i ri i dashur lejo që dashuria e Hyjit ndaj teje të
jetë frymëzimi i projekteve të tua. Mos u frikëso nga Ai. Ju o fëmijë të
dashur dijeni se Hyji ju do fort dhe kënaqet me lutjet që dalin nga
zemra juaj e pastër. Ti vëlla apo motër shumë e dashur që përballesh çdo
ditë me misterin e vuajtjes - fizike, shpirtërore apo të dyja së bashku
- dhe të duket se Hyji të ka harruar diku në një qoshe të kësaj bote,
kujtohu se Ai të do fort dhe se në mënyrë po aq të mistershme të ka bërë
pjesëmarrës të mundimeve të veta për shëlbimin e botës dhe mos resht
kurrë së kërkuari atë që është më e rëndësishme: Mbretërinë e Tij. Ti o
vëlla apo motër e dashur që je dërrmuar në shpirt, sepse e sheh se tepër
shpesh e ke tradhtuar këtë dashuri hyjnore ndaj teje, shiko kah plagët e
Tija - e jo kah mëkati yt, sado i madh të jetë - e do të shohësh se Ai
të fal e sillet me ty si me shën Pjetrin, tradhtarin e penduar që do t'i
printe grigjës së Tij. Ti o vëlla apo motër që - edhe pse i/e pagëzuar -
jetën tënde nuk e prekë aspak fakti se Krishti është ngjallur dhe se
plagët e Tija dëshmojnë dashurinë që ka ndaj teje, fillo të mendosh se
Ai edhe ty të pret dhe nuk të kërkon asgjë tjetër në kthim përveçse ti
të jetosh si njeri.
Për të gjithë ju besimtarë të dashur uroj që Jezusi i
ngjallur, që mbart në trupin e vet Plagët e dashurisë, të jetë forca,
shpresa dhe hareja juaj e përhershme.
Përzemërsisht ju uroj të gjithëve për shumë vjet
Pashkën!
Arqipeshkvi Juaj
titujt
kryesore |
|