ArqipeshkviaFamulliteInstitutet rregulltareZyra per martiretCaritasShtypi dioqezanFshati i paqesArkiv
 

 

 

565 VJETORI I KUVENDIT TË LEZHËS

 

 

Me datën 2 mars në qytetin e Lezhës u përkujtua 565 vjetori i Besëlidhjes së Lezhës. Më 2 mars të vitit 1444 Gjergj Kastrioti Skënderbeu mblodhi në këtë qytet të gjithë princat shqiptarë. Aty u vendos që të gjithë princat të ndihmonin Gjergj Kastriotin me ushqim, të holla dhe me ushtarë për t'i bërë ballë ushtrisë osmane. Kjo mbledhje u bë dhe mori emrin Kuvendi i Lezhës. Komandant i përgjithshëm u zgjodh Skëndërbeu. Për këtë datë historike, nën kujdesin e ministrit të Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve Z. Ylli Pango si edhe të kryetarit të Bashkisë së Lezhës Z. Viktor Tusha u zhvilluan disa aktivitete kulturoro-artistike.

Prej orës 8.00 - 9.45 sheshi qëndror para pallatit të kulturës gumëzhinte nga altoparlantët që transmetonin muzikë nga filmi “Skënderbeu” dhe pjesë nga banda frymore e qytetit. Po ashtu u transmetuan poema nga më të bukurat të shkruara për kryetrimin Gjergj Kastrioti, për Fishtën, Konicën, Nënë Terezën etj.

Ndërsa nga ora 9.45 - 10.00 tek Obelisku u krijua një atmosferë festive me përformim vallesh popullore nga trupa e baletit “Eagle Dance”. Më pas filloi parada e princave shqiptarë. Nëntë djalosha trup mëdhenj e të pashëm që bëjnë imitimin e ardhjes së princave në Kuvend nga hyrjet e rrugëve të qytetit që lidhen me sheshin para Obeliskut. Pastaj po para Obeliskut u ekzekutuan pjesë koreografike të titulluara “Besëlidhja e luftëtarëve” të përgatitur aq bukur nga Koreografi i talentuar Gazmend Golemi dhe që në shumë çaste u duartrokit nga të pranishmit. Po tek Obelisku, nga autoritetet shtetërore, nga pushteti vendor, nga tre komunitetet fetare dhe nga të ftuar të tjerë u vendosën aurora me lule freskëta. Ceremonia vazhdoi me ngritjen e flamurit si dhe me ekzekutimin e Himnit Kombëtarë nga orkestra frymore.

Me ardhjen e të ftuarve në drejtim të memorialit, kur afrohen tek rrugica afër shkallëve, atmosfera rritet ndjeshëm. Tek momeriali i Skënderbeut dy kalorës të veshur me kostume kombëtare hapin derën, ndërkohë që nga brenda dalin 10-12 valltarë të veshur me guna tradizionale të luftëtarëve dhe në sheshin para derës në mes dy kolonave ekzekutojnë vallen koreografike “Em'ta Burra” - Ka thanë Leka. Pastaj një grup vajzash, të veshura me kostume krahinore shpërndanë buqeta me lule të freskëta për autoritetet dhe për të ftuarit kryesorë të kësaj feste, të cilët në shenjë nderimi dhe respekti i vendosën ato mbi varrin e Heroit tonë kombëtarë. Në emër të qeverisë i vendosi Z. Ylli Pango, në emër të pushtetit lokal kryetari i bashkisë Z. Viktor Tusha, në emër të L.S. I. Z. Ilir Meta, në emër të komuniteteve fetare Sh. T. Imzot Angelo Massafra, Arqipeshkëv Metropolit i Kryedioqezës Shkodër-Pult, etj.

Pastaj u vazhdua me fjalimet e rastit. Më pas aktiviteti u përqëndrua në sallën e bibliotekës së qytetit, ku u mbajt edhe një sesion shkencor kushtuar figurës së Heroit kombëtar dhe Kuvendit historik të Lezhës nga Prof. Doktor Kasem Biçaku, Drejtor i Institutit të Historisë.

Së fundi, në sallën e galerisë së arteve të pallatit të kulturës u organizua një ekspozitë me veprat e kushtuara jetës dhe veprimtarisë së Gjergj Kastriotit - Skënderbeut, si edhe ekspozita figurative për historikun e Lezhës. Sipas protokollit, festa vazhdoi me vizita në vendet historike dhe në pikat turistike të trevës së Lezhës.

 

Franc Radoja

 

 titujt kryesore

 
 
> Kisha Katolike Shkoder 2008 <

webmaster