ArqipeshkviaFamulliteInstitutet rregulltareZyra per martiretCaritasShtypi dioqezanFshati i paqesArkiv
 

 

 

Pse e kërkoni të Gjallin ndër të vdekur?

Ai s’është këtu! U ngjall. (Lk  24, 5).

 

 

KRISHTI U NGJALL, ALELUJA!

 

 

Shumë të dashur besimtarë!

 

Liturgjia e natës së Pashkëve, që fillon në errësirë, ia ka lënë vendin dritës së Krishtit që me Ngjalljen e tij dëshiron të depërtojë në të gjithë cepat e zemrës sonë.

Vetëm Pashkët e Jezusit mund të na i çojnë sytë dhe zemrën përtej varrit. Pashkët e tij na mësojnë se jemi shëlbuar jo prej vdekjes, por në vdekjen. Pra, mëngjesi i Pashkëve që vesh mban në vete këtë të vërtetë, i hapet sigurisë së një varri të zbrazët që bëhet pikërisht dëshmitari i shpresës sonë.

I Ngjalluri, shumë të dashur bij, është mes nesh dhe na bën pjesëmarrës të gjerësisë dhe të lirisë së ngjalljes së vet. Pashkët janë festa e jetës. Kremtojmë kapërcimin e vdekjes nëpërmjet jetës. Krishti e ka mposhtur vdekjen. Ai që shikon Pashkët gjen në to gjithë jetën e vet: gjen aty lotët, britmën e një braktisjeje, dhimbjen e padurueshme të një humbjeje, dhe njëkohësisht gjen në to një shpresë aq të madhe sa të mos mund të shprehet. Le të mbështetemi në Pashkët, në mënyrë që, sikurse Jezusin, Ati të na marrë në duart e veta edhe ne, në ato duar që mbajnë aq sa asnjë dorë tjetër nuk mund të mbajë. Vdekja është mposhtur... këto janë Pashkët, kjo është shpresa jonë e guximshme, e fortë dhe e guximshme. Dhe nuk është marri ta themi, ta përsërisim, ta tregojmë, ta shpallim dhe ta dëshmojmë këtë. Le ta ngrejmë vështrimin drejt Zotërisë së Ngjallur, le t'i ngulisim sytë tanë te sytë e tij, duart tona në duart e tij, le ta mbështesim kokën tonë në zemrën e tij, le t'i zëmë besë, të ngrihemi... të ecim dhe do të jenë Pashkë edhe për secilin prej nesh. Dhe ashtu sikurse hapat e ngadaltë të grave, që po shkonin te varri që të qanin dhe ta lyenin trupin e Jezusit sipas traditave hebraike, dhe sikurse hapat e trishtuar dhe të mundimshëm të nxënësve të Emausit, që po ktheheshin në shtëpi, të zhgënjyer prej vdekjes së Mësuesit, janë bërë hapa të shpejtë të atyre që, pasi kanë takuar të Ngjallurin, kanë një shpresë të pabesueshme për të jetuar e për të treguar, po ashtu duhet të jetë edhe për secilin prej nesh.

Pas dyzet ditëve krezhmesh, lutjesh, pendesash dhe lëmoshësh, pasi e kemi jetuar në mënyrë intime dhe personale misterin e Krishtit të vdekur e të Ngjallur, le të shkojmë, me hap të shpejtë e të sigurtë, që t'ua shpallim të tjerëve: Po, Jezu Krishti është ngjallur, e kam takuar në Eukaristi dhe Ai ecën me mua e me ju.

Për shumë vjet Pashkët të gjithëve ju, bij të dashur!

                                                                                                         

Arqipeshkvi Juaj

 titujt kryesore

 
 
> Kisha Katolike Shkoder 2008 <

webmaster