ArqipeshkviaFamulliteInstitutet rregulltareZyra per martiretCaritasShtypi dioqezanFshati i paqesArkiv
 

 

 

KRONIKA E SALIKIMIT

 

 

Ditën e shtunë, dt. 21 shkurt 2009, rreth orës 12.50, ndërroi jetë, Sh. T. Imzot Zef Simoni, ipeshkëv në pension që kishte kryer detyrën e Ipeshkvit Ndihmës së Shkodër-Pult që kur Shenjtëria e Tij, Papa Gjon Pali II e shuguroi ipeshkëv më 25 prill 1993 në Katedralen e Shkodrës.

Imzot Zefi, gjatë gjithë kohës jetoi në shtëpin e familjes fisnike Simoni i rrethur nga dashuria dhe përkujdesi i vëllai të tij, meshtarit Dom Gjergj Simoni dhe e motrës Çiljeta me të cilët pati një lidhje sa natyrale familjare aq edhe shpirtërore të krishterë. Por, duhet theksuar se Imzot Zefi pati edhe kujdesin e vërtetë bijësor të motrave Bijat e Dashurisë Hyjnore e në veçanti të Motrës Vida Ademi si dhe të zotni Zef Gajtanit dhe të gjithë të afërmve dhe farefisit të tij e më gjerë.

I rrethuar nga ky kujdes dhe dashuri Imzoti ndërroi jetë pasi sëmundjet dhe mosha po kryenin punën e vet. Atë ditë u vizitua disa herë nga Arqipeshkvi i Shkodër-Pult, Imzot Angelo Massafra. Komunikonte me mund me famijarët e tij dhe me ata që e rrethonin. U përfshinte në lutjet që u bënin në dhomën e tij dhe jepte shenja përtërierje sa herë i flitej për Zotin, Jetën e Pasosun dhe Shkodrën tejet të dashur prej tij.

U nda nga kjo jetë i qetë, shumë i qetë si ai që e ka kryer luftën e mirë, vrapimin e mundshëm dhe me palmën e martirit në duar dhe përvujtërinë e besimtarit i drejtohet mëshirës hyjnore për të gëzuar dashurinë e Atij që e thirri të ishte njeri, meshtar dhe ipeshkëv.

Trupi i tij i veshur me petka meshore dhe me mitrën në krye u vendos në ambientet e banimit të tij për tu spostuar të dielen në Sallën Kardinal Mikel Koliqi, ku gjatë procesionit funebër me trupin e tij Shkodra ndali dhe nderoi Njeriun Ipeshkëv. Pa pushim shkodranët erdhën të nderonin trupin e Imzot Zefit. Lutje dhe lot. Arqipeshkvi Massafra e ipeshkvij të tjerë, meshtarë dioqezanë e rregulltarë, rregulltarë e rregulltare, besimtarët e Krishtit luteshin dhe falenderonin Zotin për jetën dhe veprën e Imzot Zefit.

Anëtarët e Këshillit Baritor të Famullisë së Shën Shtjefnit dhe të rinjtë e grupit Mësues ku Banon qenë roje nderi gjatë gjithë kohës të kryet e atij që sa qe në këtë jetë mendoi për Zotin dhe njerëzit, për të vëarfërit dhe nevojtarët, por edhe për intelektualët dhe të urtët.

Mesha e dritës u kremtua të hënën në orën 10.00. Katedralja ishte mbushur plot pse po i jepej lamtumira e fundit prelatit të martirizuar për Krishtin dhe Shqipërinë. Meshën e udhëhoqi Sh. T. Imzot Angelo Massafra dhe bashkëkremtuan Nunci Apostolik dhe të gjithë ipeshkvijtë e Shqipërisë. Pretkun e mbajti Sh. T. Imzot Lucjan Avgustini që për shumë vite e kishte pasur mjaft afër Imzot Zefin. Kishin ardhur për të falenderuar e nderuar Imzot Zef Simonin edhe Sh. T. Imzot Zef Gashi - Arqipeshkëv i Tivarit, dhe Sh. T. Imzot Dodë Gjergji - Ipeshkëv i Kosovës. Qindra meshtarë nga të gjitha trevat shqiptare bashkëkremtuan në këtë meshë.

Në këtë kremtim solemn nderuan edhe Kryetarja e Parlamentit Shqiptar Sh. S. Prof. Jozefina Topalli (Çoba) dhe Kryeministri i Shqipërisë, Sh. T. Dok. Sali Berisha i cili në fund të kremtimin ngushëlloi Dioqezën dhe Kishën në Shqipëri si dhe familjen Simoni për humbjen e një dëshmitari të lirisë fetare dhe shpirtërore por edhe të vlerave më të larta njerëzore që karakterizon burrin shqiptar, si dhe ishte i pranishëm Kryetari i Bashkisë së Shkodrës Zotni Lorenc Luka si dhe autoritetet e nderuara lokale të Qytetit.

Por shumë mbresëlënëse ishte prania e vëllait të Imzot Zefit, Dom Gjergjit si dhe e motrës Çiljeta, të cilët më shumë se askush do ta ndiejnë këtë vdekje. Ata ishin aty, pranë trupit të tij gjithë kohën, në lutje dhe lot. Ata e shoqëruan Imzotin me dhimbjen e ndarjes por ashtu siç tha edhe vetë Dom Gjergji gjatë meshës po ndaheshin me shpresën e fesë se një ditë do të takoheshin në Mbretërin e të Lumëve, për të cilën jetojmë dhe pa të cilën jeta dhe sakrificat nuk do të kishin kuptim.

Në fund të kremtimit trupi i Imzot Zef Simonit u varros në kriptën e Katedrales. Aty pret ringjalljen në ditën e fundit.

Ai u nda nga ne. Dhe ndërsa po shkruaja këtë kujtim mbi kronologjinë e varrimit të Imzot Zefit, më shoqëroi kujtesën imazhi i tij, buzëqeshja dhe butësia e tij. Ai ishte njëmend ipeshkëv sepse çdo njeri e donte me ndienja atërore.

Pushoftë në paqe dhe u luttë për ne!

 

Dom Gjovalin Sukaj

 titujt kryesore

 
 
> Kisha Katolike Shkoder 2008 <

webmaster