ArqipeshkviaFamulliteInstitutet rregulltareZyra per martiretCaritasShtypi dioqezanFshati i paqesArkiv
 

 

 

LAJME NGA DIOQEZA E SAPËS

 

DITA E ZOJËS LURDIT

 

 

Me datën 11 shkurt 2009, në Katedralen e Lumja Nënë Tereza në Vau-Dejës, është kujtuar Dita Ndërkombëtare e të Sëmurëve, në festën e Zojës së Lurdit. Në Meshën e kremtuar nga Ipeshkvi Imzot Lucjan Avgustini në bashkëkremtim me meshtarë të tjerë, morën pjesë shumë besimtarë. Të ftuar të veçantë ishin  të sëmurët nga të gjitha famullitë e dioqezës, të cilët, të shoqëruar nga meshtarët, motrat përgjegjëse në famulli, dhe nga të afërmit e tyre, kanë bashkëndarë lutjet e tyre me besimtarët e tjerë, duke i kërkuar Zotit ndihmë për t'i lehtësuar dhimbjet dhe vuajtjet e trupit.

Në fillim Ipeshkvi iu është drejtuar në veçanti të sëmurëve, se në bashkësinë e Kishës është rezervuar për ta një vend i veçantë. Ai tha:  “Në përkujtim të Zojës së Lurdit, po ju besoj ndërmjetësimit të Marisë, ajo ju ndihmoftë që ta forconi dhe pasuroni virtytin e shpresës, që t'i jepni një kuptim të ri vuajtjes”. Edhe gjatë homelisë, Imzot Lucjani drejtoi disa fjalë dhe mendime lidhur me mësimet e Kishës si dhe porosinë të cilën na e jep vetë Jezu Krishti, mjeku i shpirtrave tanë, i cili diti t'ia kthejë shumë kujt shëndetin e trupit. Imzot Lucjani kujtoi mesazhin e Atit të Shenjtë drejtuar të krishterëve me rastin e kësaj dite. Papa shpreh afërsinë e tij shpirtërore të gjithë vëllezërve dhe motrave që vuajnë prej ndonjë sëmundjeje. Një përshëndetje të përzemërt u dërgon të gjithë atyre që i ndihmojnë këta të sëmurë, ipeshkvijve, meshtarëve, personave të kushtuar Zotit, punonjësve shëndetësorë, vullnetarëve dhe të gjithë atyre që përkushtohen me dashuri që të kurojnë e të lehtësojnë vuajtjet e cilitdo që është i prekur nga sëmundja. Gjatë meshës një lutje e veçantë u drejtua edhe për meshtarin misionarin italian, Dom Antonio Sciarra, i cili ndodhet në gjendje të rëndë shëndetësore. Në fund të meshës, ipeshkvi iu dha bekimin e veçantë apostolik të Atit të Shenjtë të gjithë të pranishmëve, kryesisht të sëmurëve. Pas meshës, Karitasi Dioqezan i Sapës bashkë me drejtorin e tij Dom Simon Kullin dhe vullnetarët shtruan një drekë vëllazërore për të gjithë të sëmurët.

 titujt kryesore

 
 
> Kisha Katolike Shkoder 2008 <

webmaster