|
|
LETËR
E HAPUR
DREJTUAR
IMZOT ANGELO MASSAFRA
Me rastin e 23
marsit, në ditën e 60 vjetorit të lindjes së Shkëlqesisë suaj,
më lejoni Imzot Angelo që në emër tim dhe të miqve dhe
dashamirëve tuaj si: Ndrek Mëhilli, Dr. Tonin Frani, Pal Prendi,
Rita Lacaj, Katrinë Nika, Lula Rodoja, Frano e Vitore Kulli,
Prof. Tonin Çobani, Keti Gjeluci, Mark Malotaj, Flora Sokoli,
Lulë Narkaj, Luigj e Gjok Smalaj, Gjokë Cari, Gjovalin Gjeloshi,
Marçel Lacaj, Gjergj Shyti, Gjon e Bruna Marku, Pashko Pervathi,
Zef Gjetja, Jak Ndoka, etj., t'ju dërgojmë juve urimet më të
përzemërta për 60-vjetorin e lindjes Suaj, duke ju uruar
njëherit edhe shëndet e jetë sa më të gjatë për të mirën e
klerit katolik shqiptar, besimtarëve shkodranë dhe dashamirëve
Tuaj kudo që janë.
Ne nuk ju
harrojmë kurrë, sepse veprat që patën peshën e dorës Suaj - si
rindërtimi i kuvendit të Lezhës, kisha e Shën Gjergjit (Lezhë),
kisha e Shën Ndout në malin e Troshanit, rindërtimi i Ipeshkvisë
së Lezhës - mbeten të pavdekshme.
Edhe në mars-prill
të vitit 1997 në Lezhë, si në të gjithë Shqipërinë, mbretëronte
anarkia, bandat e armatosura të dhëna pas plaçkitjeve më të
shfrenuara. Ishte për t'u çmendur nga të shtënat e tmerrshme -
për fat që ishin drejtuar lart dhe jo kundër njerëzve - të cilat
dëgjoheshin natë e ditë. Edhe nëpër duart e fëmijëve ishin
pushkët e granadat. Ishit të parët ju Shkëlqesi që me
provincialin e fretërve Atë Flavio Cavallinin, me famullitarin e
Kallmetit Dom Dodë Gjergjin, sot Ipeshkëv i Kosovës, me
famullitarin e Blinishtit Dom Antonio Sharra dhe me Fra Françesk
Leknikaj, që mbajtët Kryqin e madh, dolët në shesh duke i bërë
thirrje besimtarëve të çdo besimi që të ulnin armët dhe të ishin
një popull i bashkuar, i cili në Emër të Zotit lufton kundër
armiqve. Po kush janë armiqtë? Ju i thatë turmës së armiqtë janë
varfëria, dëshira për t'u pasuruar shpejt edhe pa djersën e
ballit, padrejtësia, dhuna, korrupsioni dhe jeta pa Zotin.
Ju e përfunduat
me këto fjalë: “Marr guximin t'ua bëj të gjithëve pa përjashtim
thirrjen e pranishme në emër të të të gjithë ipeshkëvijve: Ta
duam atdheun tonë, të jemi krenarë se jemi shqiptarë, të punojmë
së bashku për zhvillimin shpirtëror, njerëzor dhe ekonomik të
kombit, të largohemi nga e keqja.
S'mund të rri
pa nënvizuar kremtimin e Meshës së Shenjtë që bëtë me datën 18.
03. 1997 tek sheshi para pallatit të kulturës me moton: “Jug e
veri, Shqipëria është një” dhe paqja, përparimi dhe pajtimi u
ktheftë tek ne. Sheshi është i mbushur plot e përplot me
besimtarë edhe të besimeve të tjera. Kam parë se kur u çua
Sakramenti, të gjithë ngritnin duart lart duke i kërkuar Jezu
Krishtit shpëtim. Duke përfunduar, i lutem Shkëlqesisë Suaj të
më lejoni, që në emër të të gjithë dashamirëve t'iu shpreh
respektin dhe nderimin tim më të thellë. Zoti ju ruajtë!
Franc Rodoja
titujt kryesore |
|