ArqipeshkviaFamulliteInstitutet rregulltareZyra per martiretCaritasShtypi dioqezanFshati i paqesArkiv
 

 

 

PRETKU I IMZOT LUCJAN AVGUSTINIT

 

 

Pushoi së rrahuri zemra e Imzot Zef Simonit, një prej atyre që ishin simbol i Kishës në vuajtje e të martirizuar por edhe i Kishës së ringjallur në popullin tonë shqiptar, sikurse e dëshmon edhe vetë, tashmë i ndjeri, në një ndër veprat e tija të shumta “Kishë e Ringjallun”.

Si ipeshkvi më i ri i kolegjit ipeshkvnor të Shqipërisë, gjindem para një situate të vështirë, në të cilën ndihet pesha e përgjegjësisë që t'i them disa fjalë në këtë moment të pikëllimit dhe të ndarjes nga vëllai, ipeshkvi dhe bariu i ynë i dashur. Heshtja për mua kishte për të qenë në këtë moment një zgjedhje më e lehtë dhe më e dëshiruar.

Jo pse nuk dëshiroj të flas, por mjafton që të kujtoj se nga ky vend, prej të cilit po flas tani,  për sa e sa vite Imzot Zefi i ka predikuar këtij populli, e unë, ai që, aq fort më ka dashur dhe ma ka hapur zemrën duke më folur shumë për vuajtjet dhe për jetën e vet... unë, duhet sot t'i drejtoj fjalët e përshëndetjes prej tij, prej kësaj jete tokësore.

Por, edhe pse me dhimbje në zemër, më duhet të them diçka që ky moment i pikëllimit e i dhimbjes të shndërrohet në mundësi lutjeje, shqyrtimi, e mbi të gjitha në moment hiri dhe falenderimi të Madhit Zot, sepse me vdekje nuk është mbarimi, por fillimi i jetës së amshuar. Vdekja është vetëm ndarje e përkohshme, dhe deri sa në një anë ajo na trishton dhe pikëllon, na ngushëllon dhe forcon feja, sepse, besimtarëve të tu, o Zot jeta nuk u merret, por u shndërrohet. Vdekja tokësore është kalim, është Pashka - kalimi, prej kësaj jete në një jetë më të lumtur, ku nuk ka vajtim as vuajtje, është kalim prej trupit tonë të vdekshëm në trupin e pavdekshëm. Shën Pali na thotë se do të veshemi me pavdekësi. Kjo ndodh kur jetojmë me Zotin. E Imzoti ynë, të cilin po e përcjellim prej kësaj jete, diti të jetojë me Zotin. Jeta e tij me Zotin filloi herët.

Lindi prej prindërve Kolë Simon Moni dhe Gjyste Mëhill Ugashi. Nëna si fëmijë e merrte për dore që t'i shëtiste elterët e Kishës së Madhe, pikërisht në këtë kishë ku jemi edhe ne sot. I shëtisnin të gjitha elterët duke u lutur e posaçe një ndalesë më e madhe ishte para elterit të Konakut të shenjtë, Familjes së shenjtë.

Jeta jote me Zotin është forcuar pranë motrave Servite në shkollën foshnjore, pranë Qelës së Famullisë me mësueset e para Motër Imelda Gurakuqi e motër Filipina Kamsi, ku edhe fillove ta njohësh e ta duash më shumë Zotin, të ndihmosh në meshë.

Pastaj vazhdove shkollën “Skenderbeg” nën udhëheqjen e të madhit intelektual të këtij qyteti, Zotëri Zef Pali. Ajo që dëshiroje më së shumti ishte ora e katekizmit, të cilën e mbante atëherë ndihmës famullitari Dom Ernest Çoba.

Deri sa ishe pa hyrë në shkollë, kishe si nocion ideal familjen dhe Kishën. Në shkollë fitove si ide të madhe edhe një nocion tjetër, atë të atdheut.

Nocioni “Fe e atdhe” u forcua edhe më shumë kur vazhdove shkollën në liceun “Illiricum” të themeluar prej të madhit Atë Gjergj Fishta. Aty pate mundësi t'i takoje dhe të marrësh edukim prej intelektualve të mëdhenj të Kishës Katolike dhe popullit tonë shqiptar.

Ishe i ri në moshë, ishin kohë të vështira, kohë e luftës. Por ajo që ndodhi pas luftës ishte e keqja e  më e madhe e parë dhe e përjetuar si asnjë herë tjetër për popullin dhe vendin.

Përjetove pushkatimet e burgosjet e Dom Ndre Zadejës, Dom Lazër Shantojës, Atë Giovani Faustit, Atë Daniel Dajanit, Atë Gjon Shllakut, Atë Anton Harapit... e lista  e të pushkatuarve dhe e të burgosurve mund të vazhdojë kështu gjatë, me qindra e mijëra.

Nuk mundem të mos përmend atë që shkruan në një ndër veprat tuaja: “Më ka ra për shtat në jetën teme vorfnia deri aty, sa me qenë i vobekti publik i qytetit. E mos u çuditni për këto fjalë: ia kam pa hajrin vorfnisë. Vorfnia tue qenë në gjendje vuajtjeje, të ban të zbulosh veten, t'i kontrollojsh forcat tueja, të mos mundsh të fshehësh asgja e kjo mund të arrijë të formojë në ty dinjitet ose me të shkatërrue krejt personen tande.

Pa fillue me u hjedhë në jetë, unë e të gjithë kemi pa dyert e ferrit, e mandej të pjekun e të hjedhun edhe ferrin vetë tokësuer në komunizëm. Unë ia mbërrijta një ideali me u ba meshtar...”

Po, pikërisht kjo, është ajo dëshmi e jetës me Zotin për të cilën na dëshmon Imzot Zefi ynë i dashur. Atëherë kur Kisha ishte në persekutim, kur meshtarët u burgosnin dhe pushkatonin, në këtë situatë ai iu përgjigj thirrjes së Zotit që të bëhet meshtar për t'i shërbyer Zotit dhe njerëzve. Për ta mbajtur Ungjillin e Krishtit, mësimin e tij të gjallë në zemrat e besimtarëve. U shugurove meshtar në fshehtësi, e në fshehtësi kremtove meshën e parë, ditën e Zojës së Lurdit të vitit 1961. Nuk kishe popull, as anëtarë të familjes që të merrnin pjesë në gëzimin më të madh të jetës sate. Të shoqëroi Virgjëra Mari dhe engjëjt.

Jezu Krishti na parakallëzoi se fati që pret nxënësit është i njëjti fat që pësoi vetë. Jezu Krishtin e burgosën, e rrahën e munduan dhe e kryqëzuan. Të njëjtin fat e përjetuan edhe meshtarët, edhe besimtarët në Shqipëri.

Vuajtjet dhe burgjet nuk e kursyen as Imzotin tonë të dashur, as vëllain e tij Gjergjin, e ndërsa motrës Çilejtës, iu desh të shkonte herë në një burg, herë në tjetrin për t'u kujdesur për vëllezërit. Mjafton vetëm të kujtojmë këtu kampet e Spaqit, Zejmenit, Perparimit ose shna Vlashit të Sarandës, Ballshit, Qafës së Barit etj. etj...

Jezu Krishti është ringjallur, e mundi të keqen. Edhe në Shqipëri agoi dita e ringjalljes.

Po bëhen gati 16 vite kur në këtë Kishë katedrale të Shkodrës ishte i shtrirë para këtij elteri Imzoti ynë i dashur. Ishte vit hiri dhe bekimi. Në atë vit të Zotit, 1993, Ati i shenjtë Gjon Pali II kishte ardhur në Shqipëri për të rimëkëmbur hierarkinë kishtare. Në sytë e besimtarëve u shihnin lotët. Ishin lotët e gëzimit, u shuguronin ipeshkvijtë e parë pas diktaturës komuniste. Kisha fitoi prapë barinjtë e vet. Ndër ta ishe edhe Ti Imzot.

Edhe sot të shohim të shtrirë në këtë katedrale ku ke shërbyer, si meshtar, famullitar, vikar i përgjithshëm dhe së fundi si bari, ipeshkëv ndihmës i kësaj dioqeze të Shkodrës. Edhe sot në sytë e besimtarëve shihen lotët, por janë lotët e dhimbjes, të lamtumirës, dhe të falenderimit ndaj të Madhit Zot. Sot qëndron në heshtje, nuk përgjigjesh me zë si dikur “Ego sum”, sepse iu përgjigje përfundimisht Atit qiellor në thirrjen e fundit që ta drejtoi në këtë jetë tokësore.

Prandaj, o Zot i Gjithëpushtetshëm dhe i Amshuar, nuk po të themi përse e more prej mesit tonë Imzot Zefin, por po të falënderojmë për këtë kohë që e le në praninë tonë, për shembullin dhe dëshminë të cilën ai na e dha.

Në ne mbetet detyrë që ta ruajmë në zemrat tona dhe t'i vëmë në veprim në jetën tonë porositë dhe mësimet i tij për të mirën e Kishës, vendit, e popullit. Për fe e atdhe nuk u lodhe së punuari sikurse më thoshte shpesh herë: “Do të mundohem të vazhdoj detyrën time të shejtë deri sa të mos mundem ma, deri që të më lanë krejt fuqitë e jetës”.

Dhe deri sa u shkrive plotësisht sikurse qiriu, jetove me Zotin, punove për Kishën dhe për popullin. E tash pusho në paqe! Shën Augustini thotë: “Jeta është krijuar për ta kërkuar Zotin, vdekja për ta pasur, amshimi për ta gëzuar”.

Gëzoje lumturinë e përgatitur prej Jezu Krishtit për ata që i qëndrojnë besnikë. Të presin aty martirët e këtij populli, të presin bashkëvuajtësit e tu të burgjeve! Në këto momente të ndarjes prej nesh, ta porosis para Zotit Shqipërinë tonë që aq fort e ke dashur. Lutju Zotit për Shkodrën tënde, për arqipeshkvin, meshtarët rregulltarët, besimtarët e kësaj arqipeshkvie ku ti shërbeve.

Lutju Zotit për ne ipeshkvijtë e Shqipërisë dhe të trevave shqiptare, për të gjithë ata që e udhehëqin vendin dhe popullin tonë, që me drejtësi e dashuri, dy elemente themelore të lirisë të dimë të punojmë dhe të angazhohemi për të mirën dhe lumturinë e Kishës e të vendit tonë. Lutju Zotit për vëllain tënd Don Gjergjin dhe motrën Çiljetën që aq fort të kanë dashur dhe qëndruar pranë. Lutju Zotit për të gjithë ata që të kanë ndihmuar, sidomos në periudhën e fundit duke u kujdesuar për ty dhe shendetin tënd. Lutju Zotit që të dimë ta jetojmë dhe ta dëshmojmë jetën me Zotin.

Pushofsh në paqe! Amen!

 

titujt kryesore

 
 
> Kisha Katolike Shkoder 2008 <

webmaster