|
|
SHTEGTIMI
DIOQEZAN NË KATEDRALEN E SHËN PALIT TIRANË
Me rastin e
Vitit Jubilar të Apostullit të popujve Shën Palit, me datën 28
shkurt Dioqeza e Sapës organizoi shtegtimin dioqezan në
Katedralen e Shën Palit në Tiranë. Thirrjes së Ipeshkëvit për të
marrë pjesë në këtë shtegtim u janë përgjigjur pothuajse të
gjitha famullitë e kësaj dioqeze. Duke qenë se kjo kishë
Katedrale me dekret të Selisë së Shenjtë është shpallur kishë
jubilare, qëllimi i këtij shtegtimi ishte që besimtarët të mund
ta fitonin ndjesën e plotë nëpërmjet kryerjes së kushteve që
kërkohen për fitimin e ndjesës ,siç ishte shtegtimi, rrëfimi,
pjesëmarrja në meshë, kungimi dhe lutjet e parapara. Mbi 600
besimtarë mbushën Katedralen e Shën Palit në kryeqytetin
shqiptar, ku morën pjesë në kremtimin eukaristik të udhëhequr
nga Ipeshkvi i Sapës, Imzot Lucjan Avgustini në bashkëkremtim
me 10 meshtarë të tjerë të kësaj dioqeze.
Në fillim
Ipeshkvi iu drejtua të gjithë të pranishmëve që të meditojmë dhe
të mësojmë së bashku mbi Shën Palin, mbi figurën e
jashtëzakonshme pothuajse të paimitueshme, nxitëse dhe shembull
i përkushtimit të plotë ndaj Zotit dhe kishës. Ndërsa gjatë
homelisë ai u ndal më së shumti në porosinë që na jep Shën Pali,
i cili që në momentin kur takohet me Krishtin shndërrohet nga
përndjekës i Jezusit në nxënësin më besnik të tij. Kthimi është
fryt i takimit personal me Krishtin tha ai. Krishti i ngjallur
duket si dritë verbuese dhe i flet Saulit, ia shndërron mendimin
dhe jetën e tij.
Mbi figurën e
Shën Palit është ndalur më gjatë edhe Dom Mark Shtjefni gjatë
ligjëratës së mbajtur me rastin e këtij shtegtimi.Gjithashtu,
një moment falenderimi ka shprehur edhe i zoti i shtëpisë,
Arqipeshkëvi i Tiranë-Durrës, Imzot Rrok Mirdita, i cili
falenderoi të gjithë besimtarët shtegtarë, të cilët dëshmuan më
së miri fenë dhe besimin në Krishtin, qendrën e jetës sonë.
Violeta Marashi
titujt kryesore |
|