ArqipeshkviaFamulliteInstitutet rregulltareZyra per martiretCaritasShtypi dioqezanFshati i paqesArkiv
 

 

 

VIZITA BARITORE NË SHKODËR

FAMULLIA E ZOJËS RRUZARE (ARRA E MADHE)

 

 

Shkëlqesia e tij, Imzot Angelo Massafra  filloi Vizitën Baritore në famullinë tonë me 15 Shkurt 2009, ditë në të cilën ka kremtuar 4 meshët dhe siç e theksoi edhe vetë ai ishte hera e parë në shërbesën e tij që kremtonte kaq meshë në një ditë. Si shenjë mikpritjeje ishte buka e kripa e cila iu dhurua nga familjarët e famullisë që ishin të pranishëm në meshën e orës 7.00. Në fillim të meshës famullitari Fra Vladimir Mamala e përshëndet dhe e falenderon Imzot Massafrën për Vizitën duke shpresuar në Zotin për frytet e saj. Gjatë predikimit të tij Ipeshkvi theksoi se është detyrë e çdo të krishteri pjesëmarrja në meshë ditën e diel e festën e urdhëruar, zbatimi i  urdhërimeve të Tenzot si dhe krijimi i familjeve mbi baza të shëndosha. Më pas në orën 9.00 ai kremtoi meshën e fëmijeve tashmë traditë në famullinë tonë. Fytyrat e qeshura të fëmijëve, buqetat me lule dhe duart e tyre të bashkuara në lutje krijonin një pamje hyjnore. Në të gjitha meshët Imzot Massafra përcolli të njëjtat mesazhe, por më gjerësisht u ndal pas meshës së orës 11.00 ku për rreth 30 min ai foli në mes të pjesëmarrësve mbi problemet që shqetësojnë familjet e krishtera dhe i ilustroi me disa shembuj të përjetuar prej tij. Në fund ai kërkoi nga familjarët që të jenë të vëmendshëm dhe të kujdesshëm ndaj problemeve të kohës në familje.

Në mbarim të këtij takimi në famulli mbërrin Nunci Apostolik në Shqipëri, Imzot Romiro Molinar Ingles i cili kishte ardhur për të vizituar Imzot Zef Simonin.  Vizita e kësaj dite u mbyll me meshën e orës 16.00 dhe me falenderimin që Imzot Massafra u bëri fretërve për punën e bërë në famulli.

Pas disa ditësh ai vjen në famulli për të bërë të tjera vizita siç ishte ajo e datës 9 Mars 2009 në shkollën “Cor Jesu” ku u prit dhe u takua përzemërsisht nga Mt. Apostulle, stafin e kësaj shkolle dhe nga nxënësit, të cilët kishin përgatitur një koncert me këngë, valle e recitime. Gjatë takimit ai falenderoi Motrat e mësuesit për ndihmën që i japin këtij komuniteti dhe kërkoi nga fëmijët që të jenë të dëgjueshëm ndaj mësuesve e prindërve.  Në të njëjtën ditë në orën 15.30 Imzot Massafra takohet me fëmijët e katekizmit tek Mt. Françeskane të Krishtit Mbret, me të rinjtë “Miqtë e Jezusit” të cilët me pak fjalë treguan krijimin e këtij grupi, duke përfunduar me adhurimin e të Shenjtërueshmit Sakrament nga grupi: “Bashkimi Eukaristik” të cilin ai vetë e drejtoi.

10 Mars 2009 vizita vazhdon me Legjionin e Marisë. Më pas vijon vizitën e tij në Shkollën  e Mesme për Teknologji Informacioni “Peter Mahringer” ku në mes të tjerash thekson se dija është një hir prej Zotit. Gjatë këtij takimi ishte i pranishëm edhe Konsulli i Nderit Austriak në Shkodër zoti Gjergj Leqejza. Në orën 17.00 takohet me Kshillin Baritor të Famullisë ku u diskutua kryesisht për  problemet që hasen në famulli, veçanërisht për marrjen e sakramenit të martesës. Vizita e kësaj dite mbyllet tek Motrat Françeskane të Zojës së Papërlyer në një lutje të përbashkët edhe me vajzat konviktore.

Me 11 Mars Imzot Massafra viziton të sëmurët në familje njëri prej të cilëve ishte edhe 106-vjeçari Marash Pjetri në Ajasëm. Ndër të tjera ai tregoi për luftën e1913-ës në Plan ku u vranë 70 burra ndër ta ishte edhe vëllai i tij.  Në 18.00 Shkëlqesia e tij vizitoi Mt. Dorotee ku së bashku u lutën në rruzare. Dita e fundit e vizitës Baritore në famullinë tonë ishte dt.14 Mars 2009 ditë në të cilën ai u takua me  ministrantët dhe fëmijet e katekizmit tek Arra e Madhe në orën 9.00.Takimi u zhvillua në formë bashkëbisedimi ku nuk munguan pyetjet e ndryshme.

Pas këtij takimi Imzot Massafra u drejtua për në kishën e Zojës së Këshillit të Mirë ku dhe atje u takua me fëmijët e katekizmit të Ajasmit dhe u prit përzemërsisht. Falenderojmë Zotin për Bariun e dërguar dhe i lutemi të dhurojë hire mbi grigjën e tij.

 

Viola Shqau

    titujt kryesore

 
 
> Kisha Katolike Shkoder 2008 <

webmaster