|
VIZITA BARITORE NË SHKODËR NË SHKOLLA
Java (24 shkurt
– 1 mars) do të vazhdonte me vizita dhe takime me nxënës e
studentë të shkollave “Maria Ndihmëtare”, “Jordan Misja”, “Ndoc
Mazi”, ku Arqipeshkvi i shoqëruar edhe nga famullitari dhe
zv.famullitari u mirëprit dhe uroi nxënës e mësues. Një
falenderim të veçantë këtu për të gjitha drejtoritë që na
pranuan si dhe Këshillit Baritor të Famullisë së Shën Shtjefnit
për organizimin.
Si Ad.
Famullitar i këtij Qyteti nuk mund të mos përmend me ngazëllim
takimin e Arqipeshkvit me studentë dhe profesorë në
Universitetin “Luigj Gurakuqi” për të cilin falenderoj Dekanin e
Fakultetit të Juridikut, Prof. Gaspër Kokaj. Në këtë takim që u
zhvillua në Sallën “Pjetër Meshkallë” të Universitetit, Imzot
Massafra zhvilloi temën: “Toleranca në komunitet”, e cila
ngjalli mjaft interes për auditorin, gjë që u duk qartë në
diskutimet e lira që më pas u zhvilluan.
Java në vazhdim
do të ishte mjaft interesante për të gjithë, pasi Këshilli
Baritor i Famullisë së Shën Shtjefnit kishte vendosur ta
shoqëronte Arqipeshkvin në një tur turistik nëpër Qytet: tek
Muzeu i Qyteti (tek shtëpia e Vaso Pashës); tek Muzeu i Kalasë
ku nuk mund të mungonte një vizitë edhe tek Katedralja e hershme
e Qytetit ajo e Shën Shtjefnit që ndodhet brenda në rrethimet e
mureve dhe të historisë së shkruar tashmë të Shkodrës; tek
shtëpia ku jetoi e Lumja Nënë Tereza në Shkodër; tek Fototeka
“Marubi”; në Galerinë e Arteve të Qytetit si dhe për ta mbyllur
me një “kafe shkodrane” në shtëpinë relike të të madhit aktorit,
Zef Jubani.
Të premten dhe
të shtunën, Arqipeshkvi do të takonte të gjithë katekistët dhe
motrat që përgatisin fëmijët për marrjen e sakramenteve si dhe
do të takonte vetë fëmijët e katekizmit në të gjitha qendrat ku
mësojnë. Një falënderim nga Famullia për të gjitha motrat dhe
katekistët për qëndrueshmërinë dhe mundin e tyre. Por gjej rast
të nxis më shumë prindërit që të na ndihmojnë në këtë
përgjegjësi që së bashku duhet ta përmirësojmë më bindshëm. Kjo
ishte edhe një porosi e Arqipeshkvit Massafra.
Më dt. 18 mars,
Arqipeshkvi vizitoi shkollat “Zemra e Krishtit” dhe “Atë Pjetër
Meshkalla” ku tek kjo e fundit u ndal dhe u përgjigj çdo
pyetjeje që studentët kishin përgatitur për Të.
Po me dt. 18
mars, në vigjiljen e festës së Shën Jozefit, Arqipeshkvi kremtoi
në Katedrale një meshë që iu kushtua Zotit për familjet e
sidomos për ato në vështirësi. Në Katedralen e mbushur me
besimtarë u lut dhe u dëgjuan porositë e Bariut tonë për një
familje të shëndetshme dhe me shumë dashuri. Modeli është ai i
Familjes së Shenjtë ku vlera dhe idealet janë shenjtëria e çdo
anëtari.
Por edhe e
shtuna dt. 21 mars, qe një ditë shumë e ngarkuar me përvoja
shpirtërore dhe me reflektime. Në orën 09:30 përjetuam Udhën e
Kryqit në Malin Tarabosh të përgatitur nga grupi rinor “Mësues
ku Banon” i Famullisë së Shën Shtjefnit. Morën pjesë mbi dy mijë
besimtarë nga e gjithë dioqeza edhe pse ishte ftohtë dhe krejt
afër nesh kishte rënë borë. Në krye të kësaj përshpirtërie ishte
vetë Sh. T. Imzot Angelo Massafra i cili në fund përveç një
pretku të shkurtë u dha të pranishmëve bekimin dhe urimin e
paqes.
Pasditen e të
shtunës, në Sallën Koliqi, Famullia e Shën Shtjefnit kishte
organizuar takimin me Njerëzit e Kulturës së Qytetit ku
Arqipeshkvi pas përshëndetjes së Dom Gjovalin Sukës mbajti temën:
“Kultura, forcë e vërtetë dialoguese në shërbim ...”. E gjitha
ngjalli shumë interësë për të gjithë, gjë që u vu re edhe nga
orët që kalonin e takimi vazhdonte me pyetje dhe falenderime për
Arqipeshkvit. Por nuk munguan as shprehjet e ndonjë mungese nga
të pranishmit, ku për mungesat faji i mbetet natyrshëm Famullisë.
Një vizitë e veçatë dhe shumë miqësore ishte ajo e organizuar
nga Famullia e Shën Shtjefnit në Kishën Ortodokse të Qytetit
ditën e premte dt. 27 mars ku Arqipeshkvi, Imzot Massafra, takoi
të Nderuarin Atë Aleksandër Petani dhe Atë Nikolla Petani. Ky
takim qe një bashkëndarje e dashurisë së krishterë dhe një
nxitje që këto dy kisha motra të punojnë më shumë dhe më të
bashkuara në qëllimin e përbashkët që është Mretëria e Zotit
Krisht. Edhe në këtë viztë Arqipeshkvin e shoqëruan Dom Gjovalin
Sukaj dhe Dom Gjovalin Simoni. Me datën 31 mars 2009, në Kinema
Millenium, Famullia e Shën Shtjefnit oragnizoi takimin me
profesorë e mësues që veprojnë në qytetin tonë. Takimi donte të
jepte mesazhin se si duhet të angazhohemi më shumë dhe më mirë
në detyrën e shenjtë të edukimit dhe të formimit të brezave të
rinj. Prandaj pas fjalës së Arqipeshkvit për të pranishmit u
shfaq filmi “Koristët” ku nënvizohej mesazhi se edukimi është
një çëshje zemre.
Gjatë kësaj
Vizite Baritore, Arqipeshkvi Massafra, ka vizituar të gjitha
kishat e qytetit, duke filluar nga Katedralja me dt. 8 shkurt,
tek Kisha e Zojës Rruzare më dt. 15 shkurt, tek Kisha e Shën
Kollit me dt. 1 mars, tek Kisha Shën Françeskut në Gjuhadol me
dt. 8 mars, tek Kisha Dom Bosko me dt. 15 mars, tek Qendra
Baritore “Mbretëresha e Paqes” tek ish fusha e druve me dt. 16
mars, tek Qëndra Baritore “Bariu i Mirë” në Fermentim me dt. 22
mars, dhe tek Qendra Baritore në Dobraç me dt. 29 mars. Në të
gjitha këto vizita Arqipeshkvi ka takuar grupet rinore dhe
baritore që janë në këto qendra dhe është njohur nga afër me
dinamikën e aktiviteteve dhe punën që bëjnë meshtarët dhe motrat
si dhe me angazhimin e laikëve.
Gjithashtu,
edhe këtë vit Arqipeshkvia Metroplitane Shkodër-Pult ka
organizuar gjatë kohës së Krehmeve në Sallën Kardinali Mikel
Koliqi, takimet e formimit duke u nisur nga tema “Dinjiteti
Njerëzor”. Gjatë takimeve realatorët shpalosën rëndësinë e
jashtëzakonshme që ka kuptimi i drejtë e kësaj vlere përbërëse e
personit njerëzor dhe kjo u bë duke e studiuar dinamizmin e
njeriut në aspekte të ndryshme.
Por Vizita
Baritore ka edhe një aspekt tjetër të veçantë, pasi Bariu takon
personalisht të gjitha bashkësitë rregulltare të pranishme në
territorin e Famullisë. Dhe prania e Ipeshkvit dhe porositë e
tij janë një nxitje për çdo bashkësi që të bashkërendojnë forcat
dhe karizmat për t'i shërbyer Zotit dhe njerëzve më shumë e më
mirë.
Dhe meqënesë me
fundin e Vizitës Baritore afrohej përjetimi i Javës së Madhe pra
i mundimeve të Krishtit, u mendua që të kjo Vizitë të mbyllej me
kremtimin e Udhës së Kryqit ditën e premte mbasdite dt. 3 prill.
Udha e Kryqit veç përkujtimeve të mundimeve të Krishtit do të na
bënte t'i kujtonim edhe martirët e fesë së Krishtit në Tokën
tonë pasi gjaku i tyre do të ishte fara e mirë e fesë tek ne.
Udha e Kryqit filloi tek Katedralja dhe përshkoi rrugët ku janë
disa nga kishat e qytetit për të mbaruar tek Varrezat katolike
ku u pushkatuan me dhjetra meshtarë e laikë vetëm pse ishin
besnikë të Krishtit.
Duke përfunduar,
dua taë falenderoj Zotin për këtë hir të Vizitës Baritore të Sh.
T. Imzot Angelo Massafra. Prania e Ipeshkvit na gëzon dhe na bën
të përjetojmë edhe më shumë bashkësinë e krishterë. Porositë dhe
nxitjet e tija që të jemi të krishterë që jetojnë me meshën dhe
Fjalën e Zotit, që t'i qëndrojmë larg mëkatit dhe shkandullit,
që të angazhohemi më shumë në transmetimin e vlerave të
krishtera në shoqëri janë ajo pjesë e punës që ne meshtarët,
rregulltarët e rregulltaret, Këshillet baritore dhe të gjitha
organizmat e famullisve të Qytetit do të kemi përzemër.
Një falenderim
të veçantë edhe Arqipeshkvit për faktin se pa përtesë shkoi në
çdo cep të angazhimit që Kisha në Shkodër është duke çuar
përpara. Njëheri dua të falenderoj meshtarët dhe Këshillat
Baritore dhe të gjithë organizmat kishtare si dhe laikë të
veçantë që kontribuan në mbarëvajtjen e Vizitës Baritore.
Dom Gjovalin
Sukaj
titujt kryesore |