ArqipeshkviaFamulliteInstitutet rregulltareZyra per martiretCaritasShtypi dioqezanFshati i paqesArkiv
 

 

 

ASAMBLEJA XII E PËRGJITHSHME E SINODIT TË IPESHKVIJVE NË VATIKAN

 

 

Në Romë nga 5 deri më 26 tetor 2008 u kremtua Asambleja e Përgjithshme XII e Ipeshkvijve mbi temën: “Fjala e Hyjit në jetën dhe në misionin e Kishës”. Në mbarim Eterit Sinodalë dërguan këtë mesazh:

Të dashur Vëllezër e Motra,

“që në cilindo vend e thërrisni Emrin e Zotit tonë, Jezu Krishtit, paçi hir e paqe prej Hyjit, Atit tonë, dhe prej Zotit Jezu Krisht!” (1 Kor. 1, 2-3). Ja që me përshëndetjen e Palit Apostull - në këtë vit që atij i kushtohet - ne, Etërit Sinodalë, të mbledhur në Romë për Asamblenë XII të Përgjithshme të Sinodit të Ipeshkvijve me Atin e Shenjtë Benediktin XVI, ju drejtojmë juve një mesazh për një reflektim të gjerë dhe propozim mbi Fjalën e Hyjit, që ka qenë në qendër të punëve të Asamblesë sonë.

Është një mesazh që ua besojmë para së gjithash barinjve tuaj, katekistëve të shumtë dhe bujarë dhe gjithë atyre që ju udhëheqin në dëgjimin dhe në leximin e dashur të Biblës. Juve tani dëshirojmë t'ju japim linjat e shpirtit dhe të thelbit të atij teksti që të rritet e të thellohet njohja dhe dashuria për Fjalën e Hyjit. Katër janë pikat kryesore të horizontit që duam t'ju ftojmë t'i njihni e që do t'i shprehim nëpërmjet po aq imazhesh.

Ja, më së pari Zëri hyjnor. Ai jehon që në origjinën e krijimit, duke e thyer heshtjen e hiçit e duke bërë të zënë fill mrekullitë e gjithësisë. Është një Zë që më pas depërton historinë, e plagosur nga mëkati i njeriut dhe e pështjelluar nga dhimbja e nga vdekja. Ai sheh edhe Zotin në ecje me njerëzimin për të dhuruar hirin e tij, besëlidhjen e tij, shpëtimin e tij. Është një Zë që pastaj zbret në faqet e Shkrimit të Shenjtë, që ne tashmë lexojmë në Kishë të udhëhequr prej Shpirtit Shenjt, i cili asaj dhe barinjve të saj iu është dhuruar si dritë e së vërtetës.

Përveç kësaj, siç shkruan Sh. Gjoni, “Fjala u bë njeri” (1, 14). Ja, pra, tek na shfaqet Fytyra. Është Jezu Krishti, i cili është Bir i Hyjit të amshuar e të pafund, por edhe njeri i vdekshëm, që i përket një epoke historike, një populli dhe një toke. Ai përjeton ekzistencën e mundimshme të njerëzimit deri në vdekje, por ringjallet me lavdi dhe jeton përgjithmonë. Është Ai që e bën të përsosur takimin tonë me Fjalën e Hyjit. Ai na zbulon “kuptimin e plotë” e të njësishëm të Shkrimeve të Shenjta nga ku Krishterimi është një fe e cila ka në qendër një person, Jezu Krishtin, zbulues i Atit. Ai na bën të kuptojmë që edhe Shkrimet janë “mish”, d.m.th., fjalë njerëzore për t'u kuptuar e për t'u studiuar në mënyrën e tyre të të shprehurit, por që në brendësi të tyre ruajnë dritën e jetës hyjnore që vetëm me Shpirtin Shenjt mund ta jetojmë dhe ta kundrojmë.

I njëjti Shpirt i Hyjit na shoqëron në pikën e tretë kryesore të itinerarit tonë, në Shtëpinë e fjalës hyjnore, d.m.th., të Kishës, që, siç na e sugjeron shën Luka (Vap. 2, 42), mbahet nga katër kolona ideale. Është “mësimi”, d.m.th., leximi dhe kuptimi i Biblës nëpërmjet shpalljes ndaj të gjithëve, në katekezë, në predikim, nëpërmjet një kumtimi që përfshin mendje e zemër. Është, pastaj, “ndarja e bukës”, d.m.th., Eukaristia, burim dhe kulm i jetës dhe i misionit të Kishës. Siç ndodhi atë ditë në Emaus, besimtarët janë të ftuar të ushqehen në liturgjinë e Fjalës së Hyjit dhe të Korpit të Krishtit. Një kolonë e tretë janë “lutjet” me “psalme, himne e këngë të përshpirtshme” (Kol 3, 16). Është Liturgjia e Orëve, lutje e Kishës, e caktuar për t'u dhënë ritmin ditëve dhe kohëve të vitit të krishterë. Është edhe Lectio divina, leximi në lutje i Shkrimeve të Shenjta, e aftë të shoqërojë në meditim, në lutje, në kundrim, në takim me Krishtin, fjalën e Hyjit të gjallë. Dhe, më në fund, ja “mbledhjet vëllazërore”, sepse për të qenë të krishterë të vërtetë nuk mjafton të jemi “ata që e dëgjojnë fjalën e Hyjit”, por edhe ata që “e vënë në praktikë” në dashurinë e vënë në veprim (Lk. 8, 21). Në shtëpinë e fjalës së Hyjit ne takojmë edhe vëllezërit e motrat e Kishave dhe të bashkësive të tjera të krishtera që, edhe pse të ndarë, jetojnë një bashkim real, megjithëse jo në plotësi, nëpërmjet nderimit dhe dashurisë për Fjalën hyjnore.

Mbërrijmë kështu në imazhin e fundit të mapës shpirtërore. Është Rruga nëpër të cilën udhëton fjala e Hyjit: “Shkoni e bëjini nxënës të mi të gjithë popujt! Mësojini të zbatojnë gjithçka ju kam urdhëruar!... Çka dëgjoni të thënë në vesh, predikojeni nga pullazet!” (Mt. 28, 19-20; 10, 27). Fjala e Hyjit duhet të vrapojë nëpër rrugët e botës që sot janë edhe ato të komunikimit informatik, televiziv dhe virtual. Bibla duhet të hyjë nëpër familje, që prindër e bij ta lexojnë, të luten me të e për ta të jetë një llambë për hapat e ecjes së ekzistencës së tyre (krh. Ps. 119, 105). Shkrimet e Shenjta duhet të hyjnë edhe nëpër shkolla e ndër rrethe kulturore sepse gjatë shekujve kanë qenë pikë kryesore referimi për artin, literaturën, për muzikën, për mendimin dhe për vetë etikën e përbashkët. Pasuria e tyre simbolike, poetike dhe tregimtare bën të jenë një flamur bukurie qoftë për fenë, qoftë për vetë kulturën, në një botë shpeshherë të dëmtuar nga shëmtimi dhe nga shëmtimet.

Porse, Bibla, na paraqet edhe frymëmarrjen e dhimbjes që ngjitet nga toka, shkon drejt britmës së të shtypurve dhe drejt ankesës së fatkeqëve. Ajo ka në kulmin e vet kryqin ku Krishti, i vetëm dhe i braktisur, jeton tragjedinë e vuajtjes më mizore dhe vdekjen. Pikërisht për këtë prani të Birit të Hyjit, errësira e së keqes dhe e vdekjes rrezatohet nga drita pashkvnore dhe nga shpresa e lavdisë. Por në rrugët e botës ecin me ne edhe vëllezërit e motrat e Kishave dhe të bashkësive të tjera të krishtera që, edhe pse të ndarë, jetojnë një bashkim real, megjithëse jo në plotësi, nëpërmjet nderimit dhe dashurisë për Fjalën e Hyjit. Gjatë rrugëve të botës takojmë shpesh burra e gra të feve të tjera që dëgjojnë dhe praktikojnë me besnikëri atë që thonë librat e tyre të shenjtë dhe që me ne mund të ndërtojnë një botë me paqe e me dritë, sepse Hyji dëshiron që “të shëlbohen të gjithë njerëzit dhe ta arrijnë njohjen e së vërtetës” (1 Tim. 2, 4).

Të dashur vëllezër e motra, ruani në shtëpitë tuaja Biblën! Lexoni, thelloni dhe kuptoni plotësisht faqet e saj, shndërrojini në lutje e në dëshmi jete, dëgjojeni me dashuri e besim në liturgji. Krijoni heshtje për ta dëgjuar me dobi Fjalën e Zotit dhe ruajeni heshtjen pas dëgjimit, sepse ajo do të vazhdojë të banojë, të jetojë e të flasë në ju. Bëjeni të jehojë në fillim të ditës suaj, që Hyji të thotë fjalën e parë dhe lëreni të jehojë në ju në mbrëmje, që fjala e fundit të jetë e Hyjit.

“Ju lëmë në dorë të Hyjit dhe të fjalës së hirit të tij” (Vap. 20, 32). Me të njëjtën shprehje të Shën Palit në bisedën e tij të lamtumirës që ua bën krerëve të Kishës së Efesit, edhe ne Etërit Sinodalë, i lëmë besimtarët e bashkësive të shpërndara mbi faqen e dheut në dorë të fjalës hyjnore që është edhe gjykim, por mbi të gjitha hir, e cila është si një shpatë që pret, por që është e ëmbël si një huall mjalti. Ajo është e fuqishme dhe e lavdishme dhe na udhëheq në rrugët e historisë me dorën e Jezusit, që edhe ju si ne “e doni me dashuri që nuk mbaron” (Ef. 6, 24).

 

Nga Osservatore Romano

Dom Alessandro Mayer

  

 titujt kryesore

 
 
> Kisha Katolike Shkoder 2008 <

webmaster