|
|
FORUM
KATOLIKO-MYSLIMAN
PROMOVUAR NGA KËSHILLI PAPNOR PËR DIALOGUN NDËRFETAR
Në orën 12 të kësaj paraditeje (6
nëntor), në Sallën Klementina të Pallatit Apostolik në Vatikan,
Ati i Shenjtë, Benedikti XVI priti në audiencë pjesëmarrësit në
Seminarin e parë organizuar me 5-7 Nëntor nga Forumi
Katolik-Mysliman, themeluar nga Këshilli Pontifikal për Dialogun
Ndërfetar dhe nga përfaqësues myslimanë. Pas përshëndetjes së
Shkëlqesisë së Tij Kardinal Jean-Louis Tauran, të Shaykh Mustafa
Cerié e të Z. Seyyed Hossein Nasr, Papa mbajti fjalimin si
vijon:
Të dashur miq,
Jam shumë i kënaqur që po ju takoj
këtë paradite dhe ju përshëndes shumë përzemërsisht. Falënderoj
në veçanti Kardinalin Jean-Louis Tauran, Shaykh Mustafa Cerié si
dhe Z. Seyyed Hossein Nasr për fjalët e tyre. Takimi ynë zë vend
në përmbyllje të Seminarit të rëndësishëm organizuar nga “Forumi
Katoliko-Mysliman” ngritur mes Këshillit Pontifikal për Dialogun
Ndërfetar dhe përfaqësuesve të 138 drejtuesve Myslimanë, të
cilët firmosën Letrën e Hapur drejtuesve të Krishterë të datës
13 tetor 2007. Kjo mbledhje është një shenjtë e qartë e nderimit
të ndërsjellë dhe të dëshirës sonë për ta dëgjuar njëri-tjetrin
me respekt. Mund t'ju siguroj që me lutje e kam ndjekur
mbarëvajtjen e takimit tuaj, i vetëdijshëm që përfaqëson një hap
më tej gjatë udhës për një mirëkuptim më të madh mes Myslimanëve
e të Krishterëve brenda strukturës së takimeve të tjera të
rregullta të cilat Selia e Shenjtë i promovon me grupe të
ndryshme myslimanësh. Letra e Hapur “Një Fjalë e përbashkët mes
nesh dhe jush” ka marrë përgjigje të panumërta, dhe e ka ngritur
dialogun, nismave e takimeve, me qëllim që të na ndihmojë për ta
njohur njëri-tjetrin më thellë e për t'i respektuar më shumë
vlerat tona të përbashkëta. Interesi i madh të cilin Seminari i
mbajtur ka zgjuar është një nxitje për të siguruar që
reflektimet dhe zhvillimet pozitive që dalin nga dialogu
Mysliman-Krishterë nuk janë të kufizuara në grupe të vogla
ekspertësh dhe studiuesish, por pasojnë si një trashëgimi për
t'u vendosur në shërbim të të gjithëve, për të sjellë fryte në
mënyrën në të cilën jetojmë çdo ditë.
Tema të cilën ju e keni zgjedhur
për takimin tuaj - “Dashuria e Hyjit- Dashuria e të Afërmit/
Dashuria për Hyjin, Dashuria për të Afërmin: Dinjiteti i
Personit dhe Respekti i Ndërsjellë” - është e një domethënieje
të veçantë. Është marrë nga Letra e Hapur, që tregon dashurinë e
Hyjit dhe dashurinë e të afërmit si qendra e Islamit dhe e
Krishterimit. Kjo temë nxjerr në pah më qartë bazat teologjike
dhe shpirtërore të një mësimi qendror të besimeve përkatëse.
Tradita e Krishterë shpall se Hyji
është Dashuri (krh 1 Gjn 4, 16). Ishte prej dashurisë që ai e
krijoi gjithë universin, e nga dashuria e tij ai u bë i
pranishëm në historinë njerëzore. Dashuria e Hyjit u bë e
dukshme, u shfaq plotësisht dhe përfundimisht në Jezu Krishtin.
Kështu ai erdhi në tokë që ta takonte njeriun, e duke mbetur
përsëri Hyj, e mori natyrën tonë njerëzore. Ai e ofroi vetveten
që të mund t'ua kthente plotësisht dinjitetin çdo njeriu dhe të
na shëlbonte. Si mund ta shpjegojmë misterin e mishërimit dhe
shëlbimin përveçse me anë të Dashurisë? Kjo dashuri e pambarim
dhe e amshuar na bën të aftë që t'i përgjigjemi duke e dhënë
gjithë dashurinë nga ana jonë. Dashurinë për Hyjin e dashurinë
për të afërmin. Kjo e vërtetë, të cilën e konsiderojmë
themelore, ishte ajo që dëshirova të theksoja në Enciklikën time
të parë Deus Caritas Est, meqë ky është mësimi qendror i besimit
të krishterë. Thirrja dhe misioni ynë është që ta bashkëndajmë
lirisht me të tjerët dashurinë të cilën Hyji bujarisht na e jep
pa e merituar.
Jam krejtësisht i vetëdijshëm që
Myslimanët e të Krishterët kanë afrime të ndryshme për sa i
përket Hyjit. Por përsëri mund dhe duhet të jemi adhurues të një
Hyji i cili na ka krijuar dhe interesohet për çdo njeri në çdo
kënd të botës. Së bashku duhet ta tregojmë, me anë të respektit
tonë të ndërsjellë, që e konsiderojmë veten anëtarë të së
njëjtës familje: familjes që Hyji e ka dashur dhe e ka mbledhur
së bashku që nga krijimi i botës deri në fund të historisë
njerëzore.
U kënaqa kur mësova se ju mundët
të përshtatni në këtë takim një pozicion të përbashkët në
nevojën për ta adhuruar Hyjin plotësisht dhe t'i doni njerëzit
pa interes, veçanërisht ata që janë në rrezik e nevojë. Hyji na
thërret që të punojmë së bashku në emër të viktimave të
sëmundjes, urisë, varfërisë, padrejtësisë dhe dhunës. Për të
krishterët, dashuria e Hyjit është e lidhur me dashurinë për
vëllezërit e motrat tona, të të gjithë burrave e grave, pa
dallim race e kulture. Ashtu siç shkruan shën Gjoni: “Nëse
ndokush thotë 'E dua Hyjin' e këndej e urren vëllanë e vet,
është rrenacak. Sepse kush nuk e do vëllanë e vet që e sheh,
Hyjin që nuk e sheh, nuk mund ta dojë.” (1 Gjn 4, 20).
Tradita myslimane është po ashtu
krejtësisht e qartë në inkurajimin e angazhimit praktik për t'u
shërbyer më nevojtarëve, dhe me dëshirë e kujton “Rregullën e
Artë” në versionin e vet: besimi yt nuk do të jetë i përkryer,
derisa t'u bësh të tjerëve atë që dëshiron për vete. Ndaj duhet
të punojmë së bashku për të promovuar respekt të sinqertë për
dinjitetin e personit njerëzor dhe të drejtave njerëzore, edhe
pse vizionet tona antropologjike dhe teologjitë e shpjegojnë në
mënyra të tjera. Është një fushë e madhe dhe e gjerë në të cilën
mund të veprojmë së bashku për t'i mbrojtur dhe për t'i
promovuar vlerat morale të cilat janë pjesë e trashëgimisë sonë
të përbashkët. Vetëm duke filluar me njohjen e centralizimit të
njeriut, duke e respektuar dhe mbrojtur jetën që është dhuratë e
Hyjit dhe që është e shenjtë si për të krishterët ashtu edhe për
myslimanët - vetëm në bazë të kësaj njohjeje, mund të gjejmë një
tokë të përbashkët për të ndërtuar një botë më vëllazërore, një
botë në të cilën kundërvëniet dhe ndryshimet zgjidhen qetësisht
dhe neutralizohet fuqia shkretuese/shkatërruese e ideologjive.
Shpresa ime, dhe një herë, është
që këto të drejta njerëzore bazë të mbrohen për të gjithë popujt
kudo. Udhëheqësit politikë e fetarë e kanë për detyrë që t'u
sigurojnë ushtrimin e lirë të këtyre të drejtave në përkim të
plotë me lirinë e ndërgjegjes së çdo individi dhe të besimit.
Diskriminimi dhe dhuna të cilën edhe sot e përjetojnë besimtarët
kudo në botë, dhe persekutimet e dhunshme të shpeshta ndaj të
cilave janë të nënshtruar, paraqesin akte të papranueshme e të
pajustifikueshme, e bëhen më të rënda e më të mjerueshme kur
bëhen në emër të Zotit. Emri i Hyjit mund të jetë vetëm një emër
paqeje dhe vëllazërimi, drejtësie dhe dashurie.
Jemi të ftuar që ta tregojmë, me
fjalë e mbi të gjitha me vepra, që mesazhi i besimeve tona është
vërtetësisht një mesazh harmonie dhe mirëkuptimi të ndërsjellë.
Është thelbësore që të veprojmë kështu, që mos ta zgjojmë
besueshmërinë dhe efektshmërinë tonë jo vetëm me dialog, por
edhe nga vetë besimet tona.
Lutem që “Forumi
Katoliko-Mysliman”, i cili tani me besim po i hedh hapat e parë,
të mund të bëhet edhe më shumë një hapësirë për dialog dhe të na
ndihmojë që të ecim së bashku shtegut në një njohjeje më të
plotë të së Vërtetës. Ky takim është po ashtu edhe një rast i
privilegjuar për t'u zotuar që të kërkojmë më thekshëm dashurinë
e Hyjit dhe dashurinë e të afërmit, kusht i domosdoshëm që t'u
ofrojmë njerëzve të kohës sonë një shërbim autentik pajtimi dhe
paqeje.
Të dashur miq, le t'i bashkojmë
përpjekjet tona, të nxitura nga vullneti i mirë, që t'i mposhtim
të gjitha keqkuptimet dhe mosmarrëveshjet. Le të vendosim që t'i
mposhtim armiqësitë/ paragjykimet e mëparshme dhe të korrigjojmë
imazhet e shtrembëruara të tjetrit, që edhe sot mund të krijojmë
vështirësi në marrëdhëniet tona; le të punojmë me njëri-tjetrin
që t'i edukojmë të gjithë njerëzit, veçanërisht të rinjtë, që të
ndërtojmë një të ardhme të përbashkët. Zoti na mbështettë në
qëllimet tona të mira, dhe i aftësoftë bashkësitë tona që ta
jetojmë vazhdimisht të vërtetën e dashurisë, që përbën zemrën e
njeriut besimtar, dhe që është baza e respektit për dinjitetin e
çdo njeriu. Hyji, i mëshirshëm dhe i dhimbshëm, na ndihmoftë në
këtë mision sfidues, na mbroftë, na bekoftë dhe na ndriçoftë
gjithnjë me fuqinë e dashurisë së vet.
Përkthyeu nga
anglishtja Teola Shkodra
titujt kryesore |
|