|
|
KUSHTIMI I KISHËS SË SHËN KOLLIT
Me datë 29 nëntor 2008, u shugurua kisha e
rindërtuar e Shën Kollit, nga Kardinal Salvatore De Giorgi,
arqipeshkëv Emerit i Palermos (Itali). Ishin të pranishëm
Shkëlqesia Imzot Ramiro, Nunci Apostolik, si dhe Shkëlqesitë
Imzot Angelo Massafra, Arqipeshkëv i kësaj Dioqeze, Imzot Zef
Gashi, Imzot Zef Simoni, Imzot Cristoforo Palmieri dhe Imzot
Lucjan Avgustini; shumë meshtarë, rregulltarë dhe rregulltare,
Nderonin me praninë e tyre edhe Autoritete Fetare dhe Civile.
Kisha dhe oborri ishin të mbushur me qindra besimtarë. Në
homelinë e tij Kardinali në mes tjerash tha:
“Një festë, kjo e juaja, veçanërisht e madhe,
sepse veçanërisht e gjatë dhe e vuajtur ka qenë pritja, pas
shkatërrimit të kishës së parë nga ana e diktaturës së egër
komuniste, që shumë gjak e lotë ka bërë të derdhen mes jush,
duke e bërë Kishën tuaj një bashkësi martirësh të fesë dhe të
besnikërisë ndaj Selisë së Shenjtë. Është sikurse festa e
ngjalljes dhe e fitores, pas provës së përndjekjes, të zisë dhe
të vdekjes, prej të cilave ju ka liruar Zoti, sikurse kemi
kënduar në psalmin përgjegjës”.
Në mbarim të Meshës Imzot Massafra dha këtë
përshëndetje:
“Me kremtimin eukaristik që është duke
përfunduar, sot kemi shuguruar kishën e rindërtuar të Shën
Kollit. Është e vërtetë, mungon ende kompanjeli, por tashmë
është bërë më e shumta...
Falënderimi im i parë i drejtohet të
Shenjtërueshmes Trini: rindërtimi dhe shugurimi i kësaj Kishe
është para së gjithash vepër e Saj. Vëllezër e Motra, unë, ju të
gjithë, mund ta shpallim fenë tonë me të njëjtat fjalë me të
cilat e kanë bërë këtë “Martirët” tanë, të cilët, para se t'i
vrisnin, kanë thirrur “Rroftë Krishti Mbret”. Dhe tamam të
dielën e kaluar kemi kremtuar solemnitetin e Krishtit Mbret.
Më lejoni të falënderoj në mënyrë krejt të
veçantë Hirësinë e Tij, Kardinalin Salvatore De Giorgi.
Faleminderit nga zemra, Hirësi, për dhuratën e pranisë Suaj sot
këtu mes nesh, me të cilën na keni nderuar duke e rishuguruar
këtë Tempull. Falënderoj Ipeshkvinjtë e pranishëm dhe të gjithë
meshtarët që janë mbledhur përreth këtij altari. Faleminderit
Autoriteteve civile dhe atyre fetare . Falënderimi im ju
drejtohet edhe ju, shumë të dashur besimtarë të pranishëm,
brenda dhe jashtë Kishës.
Falënderoj të gjithë bamirësit, që kanë ndihmuar
për rindërtimin:
Kongregatën për Ungjillëzimin e Popujve
(Propaganda Fide), organizatat gjermane Renovabis dhe Kirche in
Not, Missio Pro Europa të Austrisë, Ambasadorin Silvano Pedrollo
dhe bashkëpunëtorin e tij zotëri dr. Meguel Salvatore Porcaro,
zotërinë Kol Cacaj, këtu i pranishëm me besimtarët shqiptarë të
Nju Jorkut. Nuk mund të mos ju falënderoj edhe ju besimtarë të
Shkodrës. Së fundi, falënderoj edhe ata që kanë punuar për
ndërtimin material të kësaj kishe: Firmën Kolë Gjergji të
Shkodrës dhe firmën Giuseppe Bellucci të Martina Franca (TA) që
është marrë me amplifikacionin. Të gjithëve ju siguroj kujtimin
dhe lutjen time.
Lavdi i qoftë Hyjit! Le të gëzojmë të gjithë! Ju
besimtarë katolikë të Shkodrës e keni kërkuar me këmbëngulje
rindërtimin e kishës së Shën Kollit si shenjë e mëtejshme e
fitores mbi komunizmin që e kishte shkatërruar. Kështu sot
kremtojmë edhe një shenjë tjetër të madhe të kthimit të Zotit
mes nesh.
Hirësi, qyteti i Shkodrës, qendër e katolicizmit
në Shqipëri, është qyteti që, ashtu siç thonë të gjithë, më së
shumti ka vuajtur për shkak të diktaturës komuniste që nga viti
1945, kur filloi përndjekja e egër me vrasjen e Meshtarëve dhe
Rregulltarëve, gjithmonë besnikë ndaj Krishtit dhe ndaj Kishës
së Romës.
Në shkurt të vitit 1967 u shpall mbyllja e
kishave dhe e vendeve të tjera të kultit. Shumë prej tyre u
shkatërruan. Njëkohësisht u urdhërua edhe ndalimi absolut i
ushtrimit publik të fesë dhe më pas, në vitin 1976, Kushtetuta e
shpalli Shtetin ateist.
Katedralja u shndërrua në Pallat Sporti. Disa
kisha në teatër, kinema apo fabrika. Kishat më domethënëse dhe
përfaqësuese u shkatërruan, sikurse Shenjtërorja Kombëtare “Nëna
e Këshillit të Mirë” dhe kisha e bukur e kushtuar Shën Kollit,
shenjt shumë popullor në Shqipëri, kishë që ngrihej pikërisht në
këtë vend ku është rindërtuar.
Ju katolikë të lagjes së Rusit, ku gjendet Kisha
e Shën Kollit, e keni pritur me ankth rindërtimin e saj. Një
mirënjohje e madhe i drejtohet don Ndoc Nogës për punën që ka
kryer deri tani. Ai, në bashkëpunim me Imzot Frano Illinë, pastë
dritë, dhe me disa laikë, arriti ta merrte përsëri terrenin në
vitin 1997 dhe aty bëri që të ndërtohej një barakë, e cila ka
shërbyer për katekizmin dhe për Meshën e Shenjtë deri pak kohë
më parë.
Një falenderim të veçante Motrave te Kongregatës
së Motrave Françeskane Misionare të Zemrës së Shenjtë, të cilat
kanë bashkëpunuar me don Ndocin dhe do të vazhdojnë për të
shërbyer Kishës se Shen Kollit.
Në muajin prill 2003 kemi filluar rindërtimin:
kardinali Ivan Dias pati bekuar Gurin e Parë, në dhjetëvjetorin
e ardhjes së Papës Gjon Pali II në Shkodër.
Sot një falënderim i drejtohet edhe Don Martin
Thompson-it, Rektori i ri i kësaj kishe dhe ipeshkvit të Tij,
Imzot Arundel and Brighton, përfaqësuar sot nga Mgr Kilvon
Conry.
Hirësi, sikurse Ju e dini, Shën Kolli është
shenjti më i dashur, qoftë prej katolikëve qoftë prej
ortodoksëve. Në Shqipëri kemi shumë kisha të kushtuara Shën
Kollit. Katolikët shqiptarë kanë një devocion të madh ndaj Shën
Kollit dhe zakonisht, natën e festës, realizohen pajtimet mes
familjeve që janë në gjak. Edhe për këtë, së bashku me të gjithë
ju, e jetoj këtë moment me zemrën plot me mallëngjim e
mirënjohje si dhe me ndjenja të një gëzimi të thellë. Nuk ka
qenë e lehtë të gjejmë fondet për rindërtimin e kësaj kishe të
kushtuar Shën Kollit... vetëm Zoti e di! Por ia vlente barra
qeranë! Për mua, ajo është monumenti kushtuar fesë dhe heroizmit
të “Martirëve tanë shqiptarë”. Shën Kolli na bëftë ta duam me
gjithë zemër Jezu Krishtin dhe të jemi dëshmitarët e tij çdo
ditë.
Amen”.
titujt kryesore |
|