ArqipeshkviaFamulliteInstitutet rregulltareZyra per martiretCaritasShtypi dioqezanFshati i paqesArkiv
 

 

 

NDËRROI JETË DOM LUIGJ KÇIRA

 

Të enjten më 20 nëntor 2008, pak pas mesdite, ndërroi jetë, duke u kthyer në Shtëpinë e Atit të Amshuar meshtari, Dom Luigj Kçira. Kohët e fundit Dom Luigji qe prekur nga një sëmundje e rëndë, e cila u zhvillua shpejt, edhe pse nuk i mungoi për asnjë çast ndihma shpirtërore dhe mjekësore. Po kush është Dom Luigj Kçira?

Dom Luigji u lind në Shkodër në një familje me fe të gjallë katolike më 19 janar 1925 nga baba Ndoc dhe nana Shaqe. Ishin 4 fëmijë: Gjovalini, Kola, Luigji dhe motra Gjyljana.

Mësimet e para i ndoqi në Shkodër, në gjimnazin “Illyricum” të Françeskanëve. Në vitin 1945 u arrestua me shumë të rinj të tjerë, që të gjithë pjesëtarë të grupit të At' Faustit e At' Dajanit si anëtar i Organizatës “Bashkimi Shqiptar”. U dënua me 10 vjet dhe u lirua nga burgu në vitin 1955. Vlen të theksohet se edhe pse i ri në moshë nuk u përkul për asnjë çast para torturave të Sigurimit të viteve 1945.

Gjatë kësaj kohe Zoti e thirri për meshtar. U përgatitet fshehtas dhe u shugurua meshtar nga Imzot Ernesto Maria Çoba më 24 mars 1963, ndërsa kohë shumë të vështira po afroheshin për Kishën e Shqipërinë. Meshën e parë e kremtoi në Kishën e Zojës Rruzare tek Arra e Madhe më 13 mars 1991, mbas rihapjes së kishave në Shqipëri. Të gjithë e kujtojmë që përherë ishte i papërtueshëm në shërbim të Fesë. Njeri i mirë e i dashur për të gjithë, bamirës për besimtarë të të gjitha besimeve. Ka ndihmuar me zell të dalluar në kryerjen e shërbimeve fetare në qytet e fshatra të ndryshme të Kryeipeshkvisë së Shkodrës e gjithandej. Dhe në fakt lidhjen e Dom Luigjit me besimtarë e tregoi procesioni i vazhdueshëm i njerëzve besimtarë që erdhën të luten pranë trupit të tij për tre ditë me rrallë, e sidomos kjo u duk qartë ditën e salikimit dhe të varrimit të tij, të shtunën më 22 nëntor në orën 11.00 në Katedralen e Shkodrës.

Mesha u kryesua nga Sh. T. Imzot Angelo Massafra, dhe bashkëkremtuan Sh. Imzot Zef Gashi, Sh. T. Imzot Lucjan Avgustini i cili mbajti edhe predikimin në Meshën e salikimit dhe Sh. T. Imzot Zef Simoni, At Gazmend Tinaj ofm si dhe një numër i madh meshtarësh e besimtarësh.

Pas meshës trupi i Dom Luigjit u varros në varrin e meshtarëve dioqezanë që ndodhet tek Kapela e Varrezave të Rrmajit. Aty do ta presin ringjalljen edhe të trupit kur Krishti të vijë me Lavdinë e Tij.

Duke e falënderuar këtë meshtar duhet të theksojmë se “Dom Luigji foli. Foli me jetën e tij, me thjeshtësinë e tij. Foli më shumë se teologët sepse foli ëmbël dhe foli vetëm për Zotin e besnikërinë e Tij”. Dom Luigj Kçira, pushofsh në paqe e lutu për ne.

 

Dom Gjovalin Sukaj

 

 titujt kryesore

 
 
> Kisha Katolike Shkoder 2008 <

webmaster