ArqipeshkviaFamulliteInstitutet rregulltareZyra per martiretCaritasShtypi dioqezanFshati i paqesArkiv
 

 

 

TAKIM FORMUES PËR JUNIORET

 

Nga data 24-26 tetor, pesëdhjetë motra juniore kemi kaluar dy ditë në vëllazëri me njëra-tjetrën dhe duke e lejuar të udhëhiqemi nga Zoti, nëpërmjet Motër Gabriela Tripanit, e ardhur nga Roma pikërisht për formimin tonë.

Këto ditë na kanë dhënë mundësinë që të zbresim në thellësinë e zemrës dhe, akoma një herë të rizbulojmë këtë dëshirë të madhe që secila prej nesh mbart: “Të duam me gjithë zemër”, para së gjithash Zotin dhe si rrjedhojë gjithë njerëzimin.

Një ndihmë të madhe e kemi marrë nga përvoja e Ezekielit Profet, të cilit i kërkohet të zhvishet pothuajse nga gjithçka: “Ja unë po të marr papritmas atë që është kënaqësia e syve të tu. Mos u pikëllo, mos qaj as mos derdh lot..., mos bëj si bëhet zakonisht për të vdekur. Në mëngjes i kisha folur popullit dhe në mbrëmje më vdiq gruaja”. Populli mrekullohet nga ajo që Ezekieli bën dhe e pyet: “Pse nuk na tregon çfarë do të thotë kjo që po bën”. Populli me siguri do të ketë menduar: “Si është e mundur që këtij personi i cili deri dje ka jetuar me ne, që ka bashkëndarë zakonet dhe traditat tona, Zoti i merr gati gjithçka, dhe ky as nuk qan”? Zoti është i shqetësuar për popullin e vet, ka nevojë të gjejë mënyra të reja që ta çojë popullin të jetojë në dashurinë e Tij, ka nevojë që Ezekieli të bëhet shenjë për këtë popull, në mënyrë që populli të rikthehet te Zoti i vet dhe ta njohë atë si Zot.

Shumë herë edhe ne kërkojmë të ndërtojmë situata apo realitete që, në një farë mënyre, na bëjnë të ndihemi të sigurt, porse Zoti gjen mënyrën të na mësojë që të kemi kujdes, dhe na mëson se e vetmja siguri dhe i vetmi gëzim është gjithmonë Ai.

Shpeshherë ndodh që ne motrat takojmë njerëz të cilët na pyesin: “Si është e mundur që ju të jetoni një jetë të tërë pa u martuar?” dhe në një farë mënyre shfaqin dhembshuri për ne. Nuk arrijnë të kuptojnë që ne, duke u bërë motra kemi hequr dorë nga martesa, kemi vënë vullnetin tonë në atë të Atit që shprehet nëpërmjet bindjes, duke u përpjekur të pranojmë gjithçka si dhuratë të Tij dhe si rrjedhojë e vëmë jetën në shërbim të Tij. Është e vërtetë që ne, duke u bërë motra kemi hequr dorë nga shumë gjëra, por heqja dorë është vetëm një mjet që na ndihmon për të arritur qëllimin e jetës sonë.

Është e vërtetë që Zoti na 'heq' shumë, duke na thirrur në këtë jetë, por gjithmonë e bën këtë në mënyrë që jeta jote të gjejë plotësinë dhe lumturinë e vërtetë vetëm në Atë dhe që zemra jonë të bëhet vendi ku Ai me dashurinë e Tij e shndërron jetën tonë. Dhe ne bëhemi vendi ku Jezusi gjen lirinë e veprimit dhe ku çdo person gjen një vend në zemrat tona. Ja atëherë që edhe ne jemi të ftuara të gëzojmë, sepse Zoti na ka bërë të zbulojmë se Ai është dashuria dhe gjithçka bën për dashuri.

Shpeshherë ne e mendojmë pjekurinë afektive si arritje ekuilibri, në mënyrë që të mos kalojmë në njërin skaj apo në tjetrin. Por dashuria me gjithë zemër nuk është kjo. Të duash me gjithë zemër do të thotë të mos kursesh asnjë forcë, asnjë talent, asnjë energji tënden dhe, gjithçka të vësh në shërbim të Mbretërisë së Hyjit e të çdo njeriu, posaçërisht në shërbim të atyre që shoqëria jonë i harron dhe i refuzon.

Pjekuria afektive arrihet kur ne jemi të gatshëm të heqim dorë nga të qenit në qendër, gjë që natyra njerëzore shpeshherë e dëshiron.

Jeta jonë dhe zgjedhja jonë është një kalim nga Hyji që më do mua te Hyji që do në mua. Ja atëherë pse pasioni që Krishti ka pasur dhe ka gjithmonë për njerëzit bëhet edhe i yni, sepse Ai do të na përdorë me të gjitha dobësitë tona, më të gjitha talentet tona, ashtu siç jemi, në mënyrë që çdo njeri të takohet me Jezusin: Rruga e Vërteta dhe Jeta.

Dhe lutemi që ky mision të cilin e kemi të gjithë si të krishterë, të mund të gjejë hapësirë në jetën tonë. Faleminderit të gjithë atyre që e mundësuan këtë takim.

 

Motër Adelina SdC

 

 titujt kryesore

 
 
> Kisha Katolike Shkoder 2008 <

webmaster