ArqipeshkviaFamulliteInstitutet rregulltareZyra per martiretCaritasShtypi dioqezanFshati i paqesArkiv
 

 

 

VIZITA BARITORE - BELTOJË - ASHT – KOSMAÇ

 

Vizita baritore e Shkëlqesisë së Tij, Imzot Angelo Massafra në famullinë e së Lumes Virgjër të Karmelit, filloi të dielën më 12 tetor me Meshën e Shenjtë të orës 9.00 në kishën e Ashtës në orën 11.00 në Beltojë dhe në orën 16. 00 në Kosmaç. Arqipeshkvi u prit me gëzim të madh në oborrin e kishës nga famullitari Don Silvio Braga, nga Motrat Punëtore të Ungjillit të Shenjtë, të cilët me shumë zell dhe dashuri shërbejnë në këtë famulli që prej 12 vjetësh, si dhe nga të rinjtë, fëmijët e mbarë populli.

Famullitari Don Silvio i dha mirëseardhjen Arqipeshkvit duke i shprehur gëzimin e madh që kishte mbarë famullia me këto fjalë: “Shkëlqesi e nderuar, me shumë gëzim ju japim mirëseardhjen në famullinë tonë. Prania juaj mes nesh, në kishën tonë do të na ndihmojë që të ndërtojmë Kishën e gjallë të përbërë nga të gjithë ne besimtarët e Jezusit. Gurët i binden muratorit dhe janë pasivë, ne gurët e Trupit Mistik të Krishtit duhet ta njohim më mirë Jezusin dhe duhet të vendosim në praktikë me dashuri mësimet e tij. Ju vini që t'i jepni hov fesë tonë dhe që ta inkurajoni pjesëmarrjen tonë në ndërtimin e një bashkësie të fortë në dëshminë e dashurisë ndaj Hyjit dhe ndaj të afërmit. Faleminderit që jeni mes nesh. Në predikimin që Arqipeshkvi bëri gjatë Meshës në tre kishat e famullisë, theksoi mbi të gjitha rëndësinë e madhe që ka zbatimi i 10 urdhërimeve nga çdo i krishterë dhe rëndësinë e pjesëmarrjes së të gjithë besimtarëve në Meshën e Shenjtë të ditës së diel. Pas Meshës së Shenjtë të çdo fshati Arqipeshkvi u ndal të bisedonte me popullin.

Porosia e tij ishte mbi familjen, për kujdesin dhe respektin ndaj jetës sonë njerëzore, për angazhimin e madh në edukimin e fëmijëve nga ana njerëzore dhe shpirtërore, dialogim më të madh mes prindërve dhe adoleshentëve si dhe guxim për të marrë përsipër përgjegjësitë tona. Në mënyrë të veçantë i porositi prindërit që të kenë kujdes të madh për sa i përket fejesave të vajzave në moshë të mitur si dhe mos të lidhen me njerëz të huaj kur nuk dinë të komunikojnë mes njëri-tjetrit. Paraditen e së hënës Arqipeshkvi së bashku me famullitarin bëri një vizitë në shkollat 9 vjeçare të tre fshatrave, ku takoi mësuesit e nxënësit dhe u bisedua për probleme të ndryshme lidhur me shkollën. Pasdite Arqipeshkvi takoi fëmijët e famullisë, të cilët marrin pjesë në qendrën ditore. Ata kishin përgatitur këngë, valle dhe vjersha. Me shumë dashuri Arqipeshkvi u ndal për të biseduar me ta dhe i ftoi që të jenë shembull kudo, i nxiti që të mësojnë në shkollë, në katekizëm, etj...

Vizita e Arqipeshkvit vazhdoi edhe tre ditë të tjera me takimet me të rinjtë, me vizitat tek të sëmurët, takimet me kryetarët e familjeve, me Legjionin e Marisë, etj. Vizita baritore u mbyll të enjten më 16 tetor me Meshën e Shenjtë. Në homelinë e tij Arqipeshkvi ofroi përsëri një meditim të fortë mbi jetën e krishterë, duke na mësuar se si duhet të jetohet feja në Jezu Krishtin në ambientin tonë familjar dhe shoqëror. Ai falënderoi famullitarin dhe motrat për punën e tyre të palodhur që bëjnë në famulli, dhe mbi të gjitha i falënderoi për kujdesin që kanë ndaj fëmijëve dhe ndaj të rinjve të cilët janë e ardhmja e fshatit.

Në mbyllje fjalën e mori famullitari duke falënderuar përzemërsisht Arqipeshkvin për këto ditë të bukura dhe duke i uruar të gjithëve që kjo vizitë të sjellë fryte në jetën e përditshme të secilit besimtar. Faleminderit Shkëlqesi.

 

Motër Violeta

 

 titujt kryesore

 
 
> Kisha Katolike Shkoder 2008 <

webmaster