ArqipeshkviaFamulliteInstitutet rregulltareZyra per martiretCaritasShtypi dioqezanFshati i paqesArkiv
 

 

 

VIZITA BARITORE NË DAJÇ – BREGU I BUNËS

 

Shkëlqesia e Tij, Imzot Angelo Massafra e filloi vizitën e tij baritore në festën e Krishtin Mbret me kremtimin e Eukaristisë, mes një pjesëmarrjeje të madhe besimtarësh.

Gjatë predikimit ai theksoi rëndësinë e pagëzimit e të urdhërimeve, sidomos të urdhrit të dashurisë dhe rolin e familjes në edukim,duke iu drejtuar prindërve që të kujdesen për martesat e vajzave të tyre. Mbi të gjitha, ai theksoi diferencën e moshës dhe të martesave të përziera. Në të njëjtën kohë bëri thirrje që besimtarët të qëndrojnë larg besëtytnive “të kemi besim në një Zot të vetëm duke u braktisur në duart e Tij”.

Imzot Massafra kërkoi edhe lutje të shumta për thirrje meshtarake e rregulltare, duke iu drejtuar prindërve që të mos ishin pengesë për ata që e dëgjonin zërin e Zotit. “Atyre që u jepet shumë, u kërkohet shumë”.

Vizitat vazhduan edhe në shkollat e fshatit ku u mirëprit nga nxënësit e mësuesit. Ai i këshilloi mësuesit që të kenë durim, mirëkuptim e të jenë sa më kërkues ndaj nxënësve. “Shkolla është vendi i edukimit shoqëror e kulturor, ku zhvillohen aftësitë e fëmijëve për një shoqëri më të shëndoshë.” Pastaj këshillit pedagogjik i dhuroi Enciklikën “Paqe në Tokë”. Gjatë takimit që pati me kryetarin dhe anëtarët e Komunës në Dajç, Shkëlqesia e tij i falënderoi për punën që ata bëjnë, por në të njëjtën kohë edhe vuri në dukje disa aspekte shoqërore që duhen pasur kujdes, sepse komuna, shkolla, qendra shëndetësore dhe Kisha janë institucione të rëndësishme në shoqëri të cilat duhet të bashkëpunojnë e t'i mbështesin njerëzit të nevojë.

Në fjalën e rastit ai i inkurajoi që, edhe pse mes vështirësive e problemeve të ndryshme “të mos dorëzohemi, por secili të japë kontributin e tij duke bashkëpunuar mes enteve për të mirën e përbashkët”.

Një kujdes të veçantë u kushtoi të sëmurëve duke i takuar në shtëpinë e tyre, duke i ngushëlluar me Fjalën e Zotit e duke I bekuar.

Në takimin me Presidiumin e Legjionit të Marisë i porositi që të luten pa pushim, sepse janë zemra e Kishës. Në fund të takimit u dhuroi “Doktrinën Shoqërore të Kishës”.

Në ditën e fundit të vizitës së tij Imzot Massafra takoi fëmijët e të rinjtë e famullisë dhe me dashuri atërore i këshilloi që ta lexojnë Fjalën e Zotit, ta njohin e ta duan mbi gjithçka. “Të jeni të kujdesshëm prej kësaj bote dhe ta ruajmë pastërtinë, sepse fati dhe e ardhmja juaj është në duart e Zotit dhe në angazhimin tuaj”. Në emër të famullisë fëmijët i ofruan disa dhurata (Tau, pemë, orë muri). Vizita ka përfunduar me kremtimin e Eukaristisë nga Arqipeshkvi dhe famullitari

 

Motrat Stigmatine

 

 titujt kryesore

 
 
> Kisha Katolike Shkoder 2008 <

webmaster