|
|
Nga homelia e Shenjtërisë së Tij Papa Benedikti XVI në Meshën e
mbylljes së Asamblesë së dytë të veçantë për Afrikën të Sinodit
të ipeshkvijve, më 25 tetor 2009, në Bazilikën e Shën Pjetrin,
Romë.
Vëllezër të nderuar!
Të dashur vëllezër dhe motra!
Ja një mesazh shprese për Afrikën: sapo e dëgjuam nga Fjala e
Zotit. Është mesazhi të cilin Zoti i historisë nuk resht kurrë
së përsërituri ndaj njerëzimit të shtypur dhe të lodhur të çdo
lloj epoke dhe vendi, qysh në kohën kur i zbuloi Moisiut
vullnetin e vet mbi izraelitët skllevër në Egjipt: “E pashë
mjerimin e popullit tim… e dëgjova britmën e tij… i njoh
vuajtjet e tija. Kam zbritur për ta liruar… dhe ta çoj në një
tokë ku rrjedh qumësht dhe mjaltë” (Dal 3, 7-8). Cila është kjo
tokë? A nuk është Mbretëria e pajtimit dhe e drejtësisë, e
paqes, ku është i thirrur i gjithë njerëzimi?
[...] Plani i Hyjit nuk ndryshon. Përmes shekujve dhe rrjedhës
së historisë, Ai synon gjithnjë kah i njëjti cak: Mbretëria e
lirisë dhe e paqes për të gjithë. E kjo përfshin parapëlqimin e
tij ndaj atyre që nuk e kanë lirinë dhe paqen, ndaj atyre që
janë të dhunuar në dinjitetin e tyre si persona njerëzor. Le të
mendojmë në mënyrë të veçantë për vëllezërit dhe motrat që në
Afrikë vuajnë varfërinë, sëmundje, padrejtësi, luftëra dhe
dhunë, si edhe emigrime të detyruara. Këta bij të përzgjedhur të
Atit qiellor janë si puna e të verbrit të Ungjillit, Bartimeu, i
cili “ishte ulur përbri rrugës dhe lypte” (Mk 10, 46), në hyrje
të Jerihonit. Pikërisht asaj rruge kalon Jezusi Nazaretas.
[...] Të dashur Vëllezër, ta falënderojmë Hyjin që ky “takim i
mistershëm mes varfërisë sonë dhe madhështisë” së Tij është
realizuar edhe për në Asamblenë sinodale për Afrikën që sot po
mbydhet. Hyji e ka përsëritur thirrjen e tij: “Mos ki frikë!
Çohu...” (Mk 10, 49). Edhe Kisha që është në Afrikë, nëpërmjet
barinjve të vet, të ardhur nga të gjitha Vendet e Kontinentit,
nga Madagaskari dhe nga ishuj të tjerë, e ka mirëpritur mesazhin
e shpresës dhe të dritës për të ecur në rrugën që të çon kah
Mbretëria e Hyjit. [...] Bartimeu që, pasi shërohet, e ndjek
Jezusin në rrugën e Tij, është shëmbëllesë e njerëzimit që, i
shndritur nga feja, nis udhëtimin drejt tokës së premtuar.
[...] “Mos ki frikë! Çohu...”. Kështu sot Zoti i jetës dhe i
shpresës i drejtohet Kishës dhe popujve afrikanë, në përfundim
të këtyre javë reflektimesh sinodale. Çohu, Kishë në Afrikë,
familje e Hyjit, sepse po të thërret Ati qiellor, të cilin
paraardhësit tu e lusnin si Krijues, edhe para së ta kuptonin
afërsinë e Tij të mëshirshme, e cila u dëftua në Birin e Tij të
Njëlindur, Jezu Krishtin. Nise udhëtimin e një ungjillizimi të
ri me kurajon që të vjen nga Shpirti Shenjt.
[...] Në këtë mision mjaft angazhues ti nuk je e vetme, o Kishë
shtegtare në Afrikën e mijëvjeçarit të tretë. Ke pranë me lutjen
dhe me angazhimin e saj tërë Kishën katolike dhe, nga Qielli, të
shoqërojnë shenjtërit dhe shenjtëreshat afrikane që, me jetën e
tyre – në disa raste deri edhe në martirizim – kanë dëshmuar një
besnikëri të plotë ndaj Krishtit.
Mos ki frikë! Çohu, o Kontinent afrikan, tokë që ke mirëpritur
Shëlbuesin e botës ku, si fëmijë, iu desh të strehohej në Egjipt
së bashku me Jozefin dhe Marinë, për t'i ikur persekutimit të
mbretit Herod.
[...] Virgjëra Mari nxjerrtë prej Zotit hirin që Kisha në Afrikë
të rritet në çdo cep të këtij Kontinenti të madh, duke e
shpërndarë në çdo vend «kripën» dhe «dritën» e Ungjillit.
titujt kryesore |
|