|
|
ARQIPESHKVI YNË NË ASAMBLETË PLENARE NË ROMË
I
është kushtuar operatorëve të Caritas-it Asambleja Plenare e
Këshillit Papnor “Cor Unum”, e mbledhur në Romë në datën 12-14
nëntor 2009 me temën: “Kurse formimi për operatorët e
Caritas-it”. Enciklikat e Papës kanë qenë në qendër të kumtesave
dhe të diskutimeve: dmth: Hyji është Dashuri dhe Dashuria në të
Vërtetën. Imzot Angelo Massafra, mori pjesë si anëtar në këtë
Asamble. Më 13 ishte takimi me Papën, i cili na pranoi në orë
12.30. Pas përshëndetjes së Presidentit të Këshilllit, Kardilal
Jozef P. Cordes, Papa Benedikti XVI na dha porositë që vijon më
poshtë.
Më
16-18 nëntor 2009 u mbajt edhe Asambleja Plenare e Kongregatës
së Ungjillzimit të Popujve, në Romë, te Auditorium Gjon Pali II
pranë Universitetit Papnor Urbaniane - në Gianicolo. Tema ishte
shumë interesante: “shën Pali dhe areopaget e reja”. Prefekti i
kësaj Kongregate është Kardinal Ivan Dias, i cili ka qenë Nunci
i parë Apostolik në Shqipëri pas lirisë.Ishte i pranishëm edhe
Imzot Angelo Massafra, si Këshilltar i kësaj Kongragate.
Më
18, e mërkure, morëm pjesë në audiencën publike të Papës në
Sallën Pali VI, ku u përjetua një festë e madhe: takimi i
besimtarëvë me Bariun: Papa Benedikti XVI. Në mbrëmje mbaruam
asamblenë me një mesazh dhe Meshën e shenjtë.
Zotërinj Kardinalë,
të nderuar Vëllezër në Episkopat e në Meshtari,
të dashur vëllezër e motra,
jam i lumtur ta përshëndes secilin prej jush, Anëtarë,
Këshilltarë dhe Zyrtarë të Këshillit Papnor “Cor Unum”, të
mbledhur këtu për Asamblenë Plenare, gjatë të cilës rrahet tema
“Ecjet formuese për veprimtarët e bamirësisë”. Përshëndes
Kardinal Paul Josef Cordes, President i Dikasterit, dhe e
falënderoj për fjalët e sjellshme që më drejtoi në emrin tuaj.
Të gjithëve ju shpreh mirënjohjen time për shërbimin e vyer që i
jepni veprimtarisë bamirëse të Kishës. Mendimi im, në mënyrë të
veçantë, u drejtohet besimtarëve të shumtë që, me role të
ndryshme dhe në çdo anë të botës, me zemërgjerësi e përkushtim,
dhurojnëkohën e tyre dhe energjitë e tyre për të dëshmuar
dashurinë e Krishtit, Samaritanit të Mirë, që përkulet mbi
nevojat e trupit e të shpirtit. Meqenëse, sikurse kam theksuar
në Enciklikën Deus caritas est, “natyra e brendshme e Kishës
shprehet në një detyrë të trefishtë: kumtimi i Fjalës së Hyjit
(kerygma-martyria), kremtimi i Sakramenteve (leiturgia),
shërbimi i bamirësisë (diakonia)” (krh. nr. 25), bamirësia i
përket vetë natyrës së Kishës.
Duke vepruar në këtë fushë të jetës kishtare, ju kryeni një
mision që vendoset në një tension të vazhdueshëm mes dy polesh:
kumtimi i Ungjillit dhe vëmendja ndaj zemrës së njeriut e ndaj
mjedisit në të cilin ai jeton. Këtë vit dy ngjarje të veçanta
kishtare e kanë vënë në pah këtë aspekt: botimi i Enciklikës
Caritas in veritate dhe kremtimi i Asamblesë së Veçantë për
Afrikën e Sinodit të Ipeshkvinjve mbi pajtimin, drejtësinë dhe
paqen. Në perspektiva të ndryshme por konverguese, ato kanë vënë
në dukje se si Kisha, në kumtimin e vet shëlbues, nuk mund të
mos marrë parasysh kushtet konkrete të jetës së njerëzve, te të
cilët është e dërguar. Veprimi për t'i përmirësuar ato, i përket
vetë jetës së saj dhe misionit të saj, pasi shëlbimi i Krishtit
është i tërësishëm dhe i përket njeriut në të gjitha përmasat e
tij: fizike, shpirtërore, shoqërore e kulturore, tokësore e
qiellore. Pikërisht prej kësaj vetëdijeje kanë lindur, gjatë
shekujve, shumë vepra dhe struktura kishtare me qëllim nxitjen e
personave dhe të popujve, që kanë dhënë dhe vazhdojnë të japin
një ndihmesë të pazëvendësueshme për rritjen, zhvillimin
harmonik e të tërësishëm të qenies njerëzore. Sikurse kam
theksuar në Enciklikën Caritas in veritate, “dëshmia e dashurisë
së Krishtit nëpërmjet veprave të drejtësisë, paqes e zhvillimit
bën pjesë në ungjillëzim, sepse Jezu Krishti, që na do, ka
përzemër gjithë njeriun” (nr. 15).
Në këtë optikë duhet konsideruar angazhimi i Kishës për
zhvillimin e një shoqërie më të drejtë, në të cilën të njihen e
të respektohen të gjitha të drejtat e individëve dhe të popujve
(krh. ibid., 6). Shumë besimtarë laikë kryejnë një veprim të
frytshëm në fushën ekonomike, shoqërore, legjislative dhe
kulturore, dhe nxisin të mirën e përbashkët. Ata dëshmojnë
Ungjillin, duke ndihmuar që të ndërtohet një rend i drejtë në
shoqëri dhe duke marrë pjesë personalisht në jetën publike (krh.
Deus caritas est, 28). Sigurisht, nuk i përket Kishës që të
ndërhyjë drejtpërdrejtë në politikën e shteteve apo në ndërtimin
e strukturave politike të përshtatshme (krh. nr. 9). Kisha me
kumtimin e Ungjillit hap zemrën për Hyjin e për të afërmin si
dhe zgjon ndërgjegjet. Me forcën e kumtimit të saj mbron të
drejtat njerëzore dhe angazhohet për drejtësinë. Feja është një
forcë shpirtërore që pastron arsyen në kërkimin e një rendi të
drejtë, duke e liruar atë prej rrezikut gjithnjë të pranishëm që
të “verbohet” prej egoizmit, prej interesit dhe prej pushtetit.
Në të vërtetë, sikurse tregon përvoja, edhe në shoqëritë më të
përparuara nga këndvështrimi shoqëror, caritas-i mbetet i
nevojshëm: shërbimi i dashurisë nuk bëhet kurrë i panevojshëm,
jo vetëm sepse shpirti njerëzor ka gjithmonë nevojë, përveçse
për gjëra materiale, edhe për dashuri, por edhe sepse vazhdojnë
situatat e vuajtjes, të vetmisë, të nevojës, që kërkojnë
përkushtim personal dhe ndihma konkrete. Kur i kushton njeriut
vëmendje plot dashuri, Kisha ndien që pulson në vetvete plotësia
e dashurisë e ngjallur prej Shpirtit Shenjt, i cili, ndërsa e
ndihmon njeriun që të lirohet prej shtypjeve materiale, i
siguron ngushëllim e mbështetje edhe shpirtit, duke e liruar atë
prej të këqijave që e mundojnë. Burim i kësaj dashurie është
vetë Hyji, mëshira e pafundme dhe dashuria e amshuar. Prandaj,
kushdo që ofron shërbimin e vet brenda organizmave kishtare që
zbatojnë nisma dhe vepra bamirësie, nuk mund të ketë tjetër
veçse këtë objektiv: ta bëjë të njohur dhe të përjetojë Fytyrën
e mëshirshme të Atit qiellor, sepse në zemrën e Hyjit Dashuri
gjendet përgjigjja e vërtetë ndaj pritjeve më intime të çdo
zemre njerëzore.
Sa e nevojshme është për të krishterët që ta mbajnë vështrimin
të ngulitur në Fytyrën e Krishtit! Vetëm në Të, plotësisht Hyj
dhe plotësisht njeri, mund të sodisim Atin (krh. Gjn 14,9) dhe
të përjetojmë mëshirën e pafundme! Të krishterët e dinë se janë
të thirrur t'i shërbejnë dhe ta duan botën, pa qenë “të botës”
(krh. Gjn 15,19); të sjellin një Fjalë shëlbimi të tërësishëm të
njeriut, që nuk mund të kufizohet në horizontin tokësorë; të
mbeten – sikurse Krishti – krejtësisht besnikë ndaj vullnetit të
Atit deri në dhurimin suprem të vetvetes, për ta ndier më lehtë
atë nevojë për dashuri të vërtetë që gjendet në çdo zemër. Ja,
pra, ecja që duhet të bëjë, nëse dëshiron të ndjekë logjikën e
Ungjillit, kushdo që dëshiron të dëshmojë dashurinë e Krishtit.
Të dashur miq, është e rëndësishme që Kisha, e përfshirë në
ngjarjet e historisë dhe të jetës së njerëzve, të bëhet kanal i
mirësisë dhe i dashurisë së Hyjit. Kështu le të jetë për ju dhe
për ata që veprojnë në fushën e gjerë me të cilën merret
Këshilli juaj Papnor! Me këtë urim thërras ndërmjetësimin amnor
të Marisë mbi punimet tuaja dhe, ndërsa përsëris falënderimin
tim për praninë tuaj dhe për veprën që kryeni, me gjithë zemër
ju jap secilit prej jush dhe familjeve tuaja Bekimin tim
Apostolik.
titujt kryesore |
|