|
|
Pas përkthimit dhe botimit, vitin e kaluar, të Enciklikës
Populorum progressio (Zhvillimim i popujve), me rastin e 40
vjetorit të hartimit të saj, me plot gëzim po paraqes tani
enciklikën Caritas in veritate, që është edhe Letra e tretë
enciklike e shkruar nga Papa Benedikti XVI, e cila është
nënshkruar prej Tij më 29 qershor dhe është botuar më 7 korrik
2009. Ajo ka në qendër zhvillimin e tërësishëm të njeriut në
dashurinë dhe në të vërtetën.
40
vjet pas Enciklikës Populorum progressio të Papa Palit VI dhe 20
vjet pas Enciklikës Sollicitudo rei socialis të Papa Gjon Palit
II, kjo Enciklikë shoqërore ka për qëllim ta kujtojë dhe ta bëjë
aktual mësimin e Enciklikës Populorum progressio. Duke u nxitur
nga një lexim i kësaj të fundit, Enciklika Caritas in veritate
përditëson termat e krahasimit mes doktrikës shoqërore të Kishës
dhe ndryshimeve në epokën e globalizimit: “Pali VI e ka ndriçuar
temën e madhe të zhvillimit të popujve me shkëlqimin e të
vërtetës dhe me dritën e këndshme të dashurisë së Krishtit. Ai
ka pohuar se lajmi i Krishtit është faktori i parë dhe kryesor i
zhvillimit dhe na ka lënë misionin që të ecim në rrugën e
zhvillimit me gjithë zemrën tonë dhe me gjithë inteligjencën
tonë (...) dua ta nderoj kujtimin e Papës së madh Pali VI, duke
marrë mësimet e tij mbi zhvillimin njerëzor të tërësishëm” (nr.
8).
Pra, mund të thuhet se perspektiva e Enciklikës Populorum
progressio zgjerohet në Enciklikën Caritas in veritate, në
vazhdimësi të dinamikave të thella që Enciklika e Palit VI
paraqet. Në veçanti, thellohet koncepti i 'zhvillimit të
tërësishëm të njeriut'. Në fakt, tema qendrore e Enciklikës së
Papa Benediktit XVI është 'zhvillimi i popujve në dashurinë dhe
në të vërtetënë'. Atëherë, Enciklika Caritas in veritate
thekson, si temë kryesore, që zhvillimi i tërësishëm i njeriut
do të jetë i mundur në atë masë në të cilën veprimtaritë e
orientuara për zhvillim do të udhëhiqen nga dashuria dhe e
vërteta.
Shqetësimi kryesor i Enciklikës është ai i vazhdimësisë
dogmatike të mësimit: “Doktrina shoqërore e Kishës ndriçon me
një dritë që nuk i ndryshon problemet gjithmonë të reja që dalin
në pah” (nr. 12). Për sa u përket risive të kontekstit shoqëror
botëror, Enciklika Caritas in veritate thekson se si kriza
financiare që ka goditur ekonomitë e botës vë në dukje nevojën e
një marrëdhënieje korrekte mes etikës dhe ekonomisë, si edhe
tregon brishtësinë e modeleve liberistike, të cilat bëjnë të
mundur që të mungojnë totalisht rregullat e botës së punës.
titujt kryesore |
|