|
|
Të
dielen e XXIX gjatë vitit, në ditën e Shën Lukës ungjilltar,
datë 18.10.2009, me rastin e pranim-dorëzimit të Famullisë së
Shën Eufemisë u kremtua mesha e shenjtë në fshatin Breg të
rrethit të Pukës. Në këtë kremtim mori pjesë Ipeshkëvi i vendit
Imzot Lucjan Avgustini bashkë me ish-famullitarin Dom Giovanni
Fiochin, famullitarin e ri, Pader Andres Waltermann, si dhe
populli i Zotit.
Të
gjithë jemi të pagëzuar kemi marrë hirin e shenjtërimit. Me
lyerjen shenjte jemi vulosur dhe jemi bërë gjymtyrë të Krishtit
meshtar, profet dhe mbret. Në këtë lidhje gjymtyrësh me Krishtin
ne duhet ta gjejmë angazhimin dhe dërgimin tonë në botë. Kështu
është shprehur Imzot Lucjan Avgustini në predikimin e rastit. Në
shenjë falenderimi për punën e kryer deri më sot të Dom Giovanni
Fiochit si dhe me rastin e pranimit të detyrës së famullitarit
të ri Atë Andres Waltermann, ai theksoj edhe disa fjalë mbi
meshtarinë. Meshtaria është kusht i pashmangshëm për kremtimin e
vlefshëm të Eukaristisë. Në të vërtetë “në shërbimin kishtar të
mbarështuesit të shuguruar është vetë Krishti që është i
pranishëm në Kishën e vet, si Krye i trupit të vet, Bari i
grigjës së vet, Kryemeshtar i flisë shëlbuese”. Sigurisht,
mbarështuesi i shuguruar “vepron në emër të të gjithë Kishës kur
ia paraqet Hyjit lutjen e Kishës dhe sidomos kur kushton flinë
eukaristike”.
Ndërkaq, besimtarët dhe Ipeshkëvi falenderuan Dom Giovannin për
kujdesin e tij baritor në këtë famulli i cili, që prej 10
vjetësh punoi me zemër dhe dashuri ndaj besimtarëve të kësaj
famullie, dhe i premtuan se do ta kujtojnë në lutje në mënyrë që
kudo që të shërbejë t'i kushtohet punës me zell dhe dashuri për
Zotin dhe të mirën e Kishës.
Në
këtë kremtim nuk mungoi edhe urimi për mirëseardhjen e meshtarit
të ri Atë Andres Waltermann duke i dëshiruar bekimin e Zotit në
punën baritore duke i besuar këtë grigjë që t'i ushqejë me
Fjalën e Zotit, t'ju ndajë sakramentet dhe bekimet që kanë
nevojë, si dhe t'i mësojë dhe t'i edukojë në mësimin e Krishtit
dhe të Kishës.
Violeta Marashi
titujt kryesore |
|