ArqipeshkviaFamulliteInstitutet rregulltareZyra per martiretCaritasShtypi dioqezanFshati i paqesArkiv

Festa e Pajtores se qytetit te Shkodres

 

 

 

Festa e Pajtores së qytetit të Shkodrës sivjet ra në datat 18 e 19 tetor, pasi tradita do që Zoja e Shkodrës të kremtohet në të hënën e parë pas të dielës së tretë të tetorit.

Që festa të kremtohej sa më mirë, Famullitë e Qytetit u angazhuan në përgatitje kohë më parë. Tri ditë adhurime e rrëfimi në Katedralen e Qytetit do të ishin fillimi i kremtimit. Të shtunën në dt. 17 tetor do të zhvillohej procesioni me figurën e Zojës së Shkodrës e përgatitur nga zejtarët shkodranë me devocion e përkushtim dhe e mbajtur mbi supe me po aq devocion nga anëtarë të Këshillit Baritor të Famullisë e besimtarë të Qytetit. Këtë procesion e udhëhoqën dy famullitarët e Shkodrës Dom Gjovalin Sukaj dhe Fra Vladimir Mamala.

Meshën e mbrëmësores (natën e festës) në Katedrale e kremtoi Fra Aurel Gjerkaj, rektori i Kishës së Shën Françeskut, i cili në pretkun e rastit do të ftonte besimtarët që të luteshin më shumë në familje dhe t'i besoheshin në lutje kësaj Nëne që nuk braktis.

Menjëherë pas meshe qielli i Shkodrës, edhe pse i vrenjtur, do të shkëlqente nga ngjyrat e dritat e fishekzjarrëve që në emrin e Zojën përshëndetnin qytetin për të cilin Ajo është Pajtore dhe Nënë.

Në ditën e festës së Zojës meshën kryesore dhe solemne e udhëhoqi Sh. T. Imzot Angelo Massafra i cili në predikimin e mbajtur do të tregonte rëndësinë e rolit të Marisë në Kishë dhe shembullin e saj në ndjekjen e Shëlbuesit të Botës, Krishtit Jezus.

Festa do të mbyllej me një koncert solemn e madhështor i mbajtur në Katedralen e Qytetit ku morën pjesë tre kore nga Shkodra Kori “Preng Jakova” nën drejtimin e mjeshtrit Gjon Shllaku, si dhe nga Franca e Gjermania të cilët shoqëroheshin nga Orkestra e Radio Televizionit Shqiptar. Nderuan me pranin e tyre Sh. T. Imzot Angelo Massafra, Imam Ndriqim Sulemani - Myfti i Shkodrës, Sh. T. Maxhit Cungu - Prefekt, Z. Lorenc Luka - Kryetar i Bashkisë, Z. Gjovalin Kolombi - Kryetar i këshillit të Qarkut.

Dom Gjovalin Sukaj, në emër të Famullisë së Shën Shtjefnit Shkodër, me gjithë zemër i falënderoi besimtarët shkodranë që ndihmuan që festa e Zojës së Shkodrës të kremtohej me aktivitete të tilla solemne si dhe Këshillin Baritor të Famullisë për angazhin serioz e të përkushtuar.

Shkodra ka ditur ta nderojë gjithmonë Zojën, Nënën dhe Pajtoren e saj.

 

Kronisti

    titujt kryesore

 
 
> Kisha Katolike Shkoder 2009 <

webmaster