|
|
Bashkësia famullitare e famullisë Shën Nikolli në Pistull, me
datën 11.11.2009, mes emocioneve të shumta, me një kremtim
solemn ka përkujtuar 80-vjetorin e lindjes së Motrës Stigmatine
Marie Kaletës. Në këtë përvjetor nderoi me pjesëmarrjen e tij
Ipeshkvi i vendit, Imzot Lucjan Avgustini, i cili udhëhoqi
Meshën Shenjte në bashkëkremtim me famullitarin Dom Vinçens
Palin dhe meshtarë të tjerë, me një pjesëmarrje të gjerë të
popullit të Zotit, të bashkësisë së motrave Stigmatine në
Shqipëri bashkë me Superioren Motër Chiara Pieri, si dhe miq e
të afërm të motër Maries. E veçanta e këtij përvjetori ishte
edhe 67 vjetori i kushtimit të motër Maries me jetë rregulltare
në familjen e motrave Stigmatine, në shërbim të Zotit dhe
njeriut.
Nuk dëshiroj të flas për jetën e motrës Marie, apo siç e
thërrasin i gjithë fshati, të hallës Marie, tha Imzot Lucjani në
fillim të predikimit të rastit, sepse shumë prej jush e njihni
më mirë se unë. Por ai u ndal në disa mendime, në të cilat
lidhet dhe jeta e kushtuar si motër stigmatine. Në realizimin e
planit të shpërblimit, Hyji ka dashur të kërkojë bashkëpunimin e
njeriut. Shkrimi i Shenjtë e tregon historinë e shëlbimit si një
histori thirrjesh, në të cilën gërshetohen nisma e Zotit e
përgjigjja e njerëzve. Çdo thirrje lind prej takimit të dy
lirive: asaj hyjnore dhe asaj njerëzore, e në çdo thirrje Hyji
zbulon kuptimin e thellë të Fjalës. Pra Jezu Krishti, Fjala e
Atit, është ikona për të kuptuar thirrjen e çdo njeriu, për të
verifikuar ecjen e tij të jetës dhe për t'i dhënë frytshmëri
shpirtërore misionit të tij. Imzot Lucjani vuri në dukje edhe
fjalët e Shën Palit “Për mua Krishti është jetë!” E besoj se
këto fjalë mund t'i adoptojmë edhe në jetën e motrës Mari.
Motër Marie Kaleta ka lindur në Shkodër me 10 Nëntor 1929, është
rritur në Nënshat dhe në moshën 7 vjeçe bashkë me familjen e saj
u vendos me banim në Pistull. Ishte mbesë e meshtarit Dom Ndoc
Sumës, që sot është në proces të kanonizimit të martirëve të
Kishës Katolike në Shqipëri. Me dëshirën e madhe për të ndjekur
Krishtin, që në moshë fare të vogël, kur ishte 10 vjeçe, ajo hyn
në kuvendin e motrave Stigmatine në Shkodër, pikërisht me datën
11 dhjetor të vitit 1940. Mbasi jetoi për 7 vjet në këtë kuvend,
erdhi çasti fatal për të ku ajo u kthye në shtëpi për arsye të
mbylljes së kuvendit në vitin 1946. E po në të njëjtin vit i
arrestojnë edhe xhaxhain, Don Ndoc Sumën, i cili në atë kohë
ishte famullitar në Pistull. Por plani i Zotit në mirësinë dhe
dashurinë e vet, ka dashur që Motër Maria të bëhet një
shërbëtore e Tij, të jetë një dëshmitare e gjallë e fesë së
Krishtit, pa marrë parasysh vuajtjet dhe pengesat e mëdha që u
krijuan nga sistemi totalitar ateist. Motër Maria e përjetoi
edhe më tepër dashurinë e Zotit, kur ajo ndante sakramentet shpi
për shpi, e pa pagëzu s'ka lanë asnjë fëmi. Atë fe të madhe që
Motër Maria ka pasur për Jezu Krishtin, me aq mundësi sa kam
pasur, ka kërkuar ta ushtrojë mund të them ilegalisht, duke vënë
edhe jetën në rrezik kur shkonte dhe takonte meshtarët në burg,
u çonte njetet e meshëve që i jepshin besimtarët, si dhe osten
dhe verën në mënyrë që meshtarët t'ia paraqitnin Zotit flinë për
mbarë popullin shqiptar. Këtë besim dhe dashuri ndaj Zotit nuk
ka mundur askush t'ia marrë e aq më tepër t'ia zhdukë nga jeta e
saj. E pas shumë vuajtjesh, me rihapjen e kishave në vitin 1991,
Motër Maria Kaleta bashkë me 28 vajza, që kishin mbetë, ish
murgesha nga e gjithë Shqipëria bashkohen në ish ambjentet e
Kuvendit të Stigmatineve, për të nisur kështu jetën e re në emër
të Krishtit dhe me Krishtin. Sot ajo shprehet e kënaqur që ka
arritur ta shohë lirinë duke gëzuar kështu çdo moment të ditës
në lutje, uratë dhe shërbim të Zotit në mesin e të gjithë atyre
që e duan dhe e kërkojnë Zotin
titujt kryesore |
|