|
|
“Nuk është e mundur të vazhdojmë që ta pranojmë luksin dhe
shpërdorimin”
Papa Benedikti XVI duke vizituar, të hënë më 16 nëntor 2009,
selinë e FAO-s në Romë në rastin e hapjes së Takimit Bitëror mbi
sikurimin ushqimor (Romë, 16-18 nëntor 2009), bërë fjalimin që
vijon:
Zotëri President, Zonja dhe Zotërinj!
1. E pranova me kënaqësi të madhe ftesën e Zotëri Jacques Diouf,
Drejtor i Përgjithshëm i FAO-s, për të marrë fjalën në seksionin
e hapjes së këtij Takimi të nivelit të lartë Botëror mbi
Sigurinë Ushqimore. E përshëndes përzemërsisht dhe e falënderoj
për fjalët e tij të sjellshme të mikpritjes. Përshëndes
Autoritetet e larta të pranishme dhe të gjithë pjesëmarrësit.
Dëshiroj të përsëris – në vazhdimësi me Paraardhësit e mi të
nderuar Pali VI dhe Gjon Pali II – vlerësimin për veprimin e
FAO-s, të cilin Kisha Katolike dhe Selia e Shenjtë e shikojnë me
vëmendje e interes për shërbimin e përditshëm të atyre që
punojnë në të. Falë veprës suaj bujare, të përmbledhur në moton
Fiat Panis, zhvillimi i bujqësisë dhe siguria ushqimore mbeten
objektivat parësorë të veprimit politik ndërkombëtar. Dhe jam i
sigurtë se ky shpirt do t'i orientojë vendimet e këtij Takimi,
ashtu si edhe ato që do të merren me qëllimin e përbashkët për
ta fituar sa më shpejt luftën ndaj urisë dhe ndaj të
kequshqyerit në botë.
2. Bashkësia ndërkombëtare në këta vjet është duke përballuar
një krizë të rëndë ekonomiko-financiare. Statistikat dëshmojnë
për një rritje dramatike të numrit të atyre që vuajnë prej urisë
dhe në këtë ndihmojnë ngritja e çmimeve të prodhimeve ushqimore,
pakësimi i mundësive ekonomike të popullsive më të varfëra,
mundësia e kufizuar për të përdorur tregun dhe ushqimet. E
gjithë kjo ndërsa përforcohet e dhëna se toka mund t'i ushqejë
në mënyrë të mjaftueshme të gjithë banorët e saj. Në të vërtetë,
megjithëse në disa rajone vazhdojnë nivelet e ulta të prodhimit
bujqësor edhe për shkak të ndryshimeve klimatike, globalisht ky
prodhim është i mjaftueshëm për të plotësuar si kërkesën
aktuale, ashtu edhe atë të parashikueshme në të ardhmen. Këto të
dhëna tregojnë mungesën e një marrëdhënieje shkak-pasojë mes
rritjes së popullsisë dhe urisë, dhe kjo provohet edhe më tej
prej shkatërrimit të turpshëm të prodhimeve ushqimore në
funksion të fitimit ekonomik. Në Enciklikën Caritas in veritate
kam vënë në dukje se “uria nuk varet aq prej mangësisë
materiale, por prej mangësisë së burimeve shoqrore, më e
rëndësishmja ndër të cilat ka natyrë institucionale. Pra, mungon
një sistem institucionesh ekonomike në gjendje qoftë për të
garantuar mundësinë e ushqimit dhe të ujit të rregullt e të
përshtatshme..., qoftë për të përballuar kërkesat e lidhura me
nevojat parësore dhe me emergjencat e krizave të vërteta
ushqimore...”. Dhe kam shtuar: “Problemi i pasigurisë ushqimore
duhet përballuar në një perspektivë afatgjatë, duke i shmangur
shkaqet strukturale që e shkaktojnë dhe duke nxitur zhvillimin
bujqësor të vendeve më të varfëra nëpërmjet investimeve në
infrastruktura rurale, në sisteme ujitjeje, në transporte, në
organizime të tregjeve, në formim e përhapje të teknikave
bujqësore të përshtatshme, pra të afta t'i përballojnë sa më
mirë burimet njerëzore, natyrore e socio-ekonomike më të
mundshme në nivel lokal, në mënyrë që të garantojnë një ruajtje
të tyre edhe afatgjatë” (nr. 27). Në këtë kontekst, është e
nevojshme t'u kundërvihemi edhe përdorimit të disa formave të
subvencionit që e çrregullojnë rëndë sektorin bujqësor,
vazhdimit të modeleve ushqimore të orientuar vetëm nga konsumi
dhe pa një perspektivë me rreze të gjerë, e sidomos egoizmit, që
i lejon spekullimit të hyjë madje edhe në tregjet e drithrave,
prandaj ushqimi konsiderohet njësoj me të gjitha mallrat e
tjera.
3. Dobësia e mekanizmave aktuale të sigurisë ushqimore dhe
nevoja e një rimendimi të tyre dëshmohen, në një farë mënyre,
prej vetë thirrjes së këtij Takimi. Në të vërtetë, pavarësisht
se vendet më të varfëra janë të integruar në ekonominë botërore
më gjerësisht se në të kaluarën, ecuria e tregjeve ndërkombëtare
i bën më të ndjeshëm dhe i detyron të përdorin ndihmën e
Institucioneve ndërqeveritare, që pa dyshim kryejnë një vepër të
çmueshme dhe të domosdoshme. Por, koncepti i bashkëveprimit
duhet të jetë koherent me parimin e subsidiaritetit: është e
nevojshme të përfshihen “bashkësitë lokale në zgjedhjet dhe në
vendimet në lidhje me përdorimin e tokës së punueshme” (ibid.),
sepse zhvillimi njerëzor i tërësishëm kërkon zgjedhje të
përgjegjshme nga ana e të gjithëve dhe lyp një qëndrim solidar
që nuk e konsideron ndihmën apo emergjencën si diçka në funksion
të atyre që vënë në dispozicion burimet apo të grupeve elitare
të pranishme mes dobimarrësve. Përballë vendeve që shfaqin
nevojën e ndihmave të jashtme, Bashkësia ndërkombëtare ka
nevojën të marrë pjesë me mjetet e bashkëveprimit, duke u ndier
e bashkëpërgjegjëshme për zhvillimin e tyre, “nëpërmjet
solidaritetit të pranisë, të shoqërimit, të formimit dhe të
respektit (ibid., 47)...
4. Në situatën e sotme ekziston ende një nivel zhvillimi i
pabarabartë mes Kombeve dhe në Kombet, që, në shumë zona të
planetit, përcakton kushte të përkohshmërisë, duke theksuar
kundërvënien mes varfërisë dhe pasurisë........
5. Megjithatë, edhe pse solidariteti i animuar prej dashurisë e
tejkalon drejtësinë, sepse të duam do të thotë të dhurojmë, t'i
japim tjetrit diçka prej vetes, ai nuk ekziston kurrë pa
drejtësinë, e cila na bën t'i japim tjetrit atë që është “e
tija” dhe që i përket për arsye të të qenit të tij dhe të të
vepruarit të tij. Në të vërtetë, nuk mund “t'i dhuroj” tjetrit
diçka prej “times”, pa i dhënë në rend të parë atë që i përket
sipas drejtësisë (krh. ibid., 6). Nëse synohet zhdukja e urisë,
veprimi ndërkombëtar është i thirrur jo vetëm të favorizojë
rritjen ekonomike të ekuilibruar e të mundshme dhe
qëndrueshmërinë politike, por edhe të kërkojë parametra të reja
– patjetër etike dhe pastaj juridike e ekonomike – që janë në
gjendje ta frymëzojnë veprimtarinë e bashkëveprimit për të
ndërtuar një marrëdhënie të barabartë mes vendeve që gjenden në
një shkallë të ndryshme zhvillimi...
6. Zotëri President, Zonja dhe Zotërinj, për të luftuar urinë
duke nxitur një zhvillim njerëzor të tërësishëm nevojitet edhe
të kuptojmë nevojat e botës rurale, ashtu si edhe të mos lejojmë
që pakësimi tendencial i ndihmës së dhuruesve të krijojë
pasiguri në financimin e veprimtarive të bashkëveprimit: duhet
shmangur rreziku që bota rurale të konsiderohet, në mënyrë
miope, si një realitet dytësor. Në të njëjtën kohë, duhet
favorizuar hyrja në tregun ndërkombëtar e prodhimeve që vijnë
prej zonave më të varfëra, sot shpesh të ngujuar në hapësira të
kufizuara. Për të arritur këta objektiva është e nevojshme t'i
shkëpusim rregullat e tregtisë ndërkombëtare prej logjikës së
përfitimit si qëllim në vetvete, duke i orientuar në dobi të
nismës ekonomike të vendeve më nevojtarë për zhvillim, që, duke
pasur hyrje më të mëdha, të mund të vazhdojnë drejt asaj
vetëmjaftueshmërie që është prelud i sigurisë ushqimore.
7. Pastaj nuk duhen harruar të drejtat themelore të personin
ndër të cilët dallohet e drejta për një ushqim të mjaftueshëm,
të shëndetshëm e ushqyes, si edhe për ujë; ato kanë një rol të
rëndësishëm për arritjen e të drejtave të tjera, duke filluar
nga ajo parësore, e drejta për jetë. Prandaj është e nevojshme
të piqet “një vetëdije solidare, që i konsideron ushqimin dhe
ujin si të drejta të gjithëmbarshme të të gjitha qenieve
njerëzore, pa dallime dhe diskriminime” (Caritas in veritate,
27). Ajo që me durim është realizuar këto vite prej FAO-s, nëse
nga njëra anë ka favorizuar zgjerimin e atyre objektivave të
kësaj të drejte në krahasim me garancinë e vetme për të
plotësuar nevojat parësore, nga ana tjetër ka vënë në dukje
nevojën për një planifikim të përshtatshëm.
8. Metodat e prodhimit ushqimor kërkojnë po ashtu edhe një
analizë të kujdesshme të marrëdhënies mes zhvillimit dhe
tutelimit mjedisor. Dëshira për të pasur e për të përdorur në
mënyrë të tepruar e të çrregullt burimet e planetit është shkaku
i parë i çdo degradimi të mjedisit. Tutelimi mjedisor pra
shtrohet si një sfidë aktuale për të garantuar një zhvillim
harmonik, që respekton planin e krijimit të Hyjit dhe prandaj
është edhe në gjendje që të ruajë planetin (krh. ibid., 48-51).
9. Është e rëndësishme të kujtojmë – kam vënë në dukje gjithnjë
në Enciklikën Caritas in Veritate – se «degradimi i natyrës
është... i lidhur ngushtë me kulturën që modelon bashkëjetesën
njerëzore: kur “ekologjia njerëzore” respektohet brenda
shoqërisë, edhe ekologjia mjedisore ka dobi prej saj»...
10. Uria është shenja më mizore dhe konkrete e varfërisë. Nuk
mund të vazhdojmë ta pranojmë luksin dhe shpërdorimin, kur drama
e urisë merr përmasa gjithnjë e më të mëdha. Zotëri President,
Zonja dhe Zotërinj, nga ana e Kishës katolike do të ketë
gjithmonë vëmendje ndaj përpjekjeve për ta mposhtur urinë; do të
ketë angazhim për të mbështetur, me fjalë e me vepra, veprimin
solidar – të programuar, të përgjegjshëm e të renduar – që të
gjithë përbërësit e Bashkësisë ndërkombëtare do të jenë të
thirrur të ndërmarrin. Kisha nuk pretendon të ndërhyjë në
zgjedhjet politike; ajo, me respekt ndaj dijes dhe ndaj
rezultateve të shkencës, sikurse edhe ndaj zgjedhjeve të
përcaktuara prej arsyes kur janë me përgjegjësi të ndriçuara
prej vlerave vërtet njerëzore, bashkohet me përpjekjen për ta
zhdukur urinë...
Nga Zenit
titujt kryesore |
|