ArqipeshkviaFamulliteInstitutet rregulltareZyra per martiretCaritasShtypi dioqezanFshati i paqesArkiv

Imzot Angelo Massafra ne vizite ne bashkesine e emigranteve shqiptare

 

 

 

Me rastin e pranisë së Tij në Romë, Imzot  Angelo Massafra, vizitoi Bashkësinë e emigrantëve Shqiptarë të dielën më 15 nëntor, për të cilët kremtoi edhe Meshën e Shenjtë. Mesha dhe takimi vëllazëror u kremtua në Kishën e Shën Gjonit të Malvës.

Prania e Arqipeshkvit dhe e meshtarëve dom Gjovalin Simoni e Atë Bernard Caruana o.p. dhe e një numri të konsiderueshëm besimtarësh bënë që përjetimi i të dielës së XXXIII, rreth tryezës së Eukaristisë, të jetohej në një atmosferë feste e falënderimi.

Duke marrë shkas nga liturgjia e së dielës Imzot Angelo jo vetëm nxiti, por edhe uroi që Fjala e Zotit të jetë themel për të ndërtuar kalanë shpirtërore dhe prania e shqiptarëve në Itali të jetë përherë e më shume shenjë e Kishës që rritet në shenjtëri. Vizita e Imzot Angelos tregon kujdesin e vazhdueshëm dhe afërsinë e Barinjve të Kishës që është në Shqipëri për bijtë e saj të shpërndarë nëpër botë.

Që në çastet e para të pranisë së shqiptarëve në Itali, nuk ka munguar kujdesi baritor. Shenjë e këtij kujdesi është edhe krijimi i një numri të madh të Bashkësive shqiptare në të gjithë territorin e Italisë ku mblidhen rregullisht për të kremtuar Meshën e Shenjtë në gjuhën shqipe.  Kështu edhe në Romë, në Kishën e Shën Gjonit të Malvës, shqiptarët mblidhen çdo të diel për kremtimin  Meshës së Shenjtë, për përgatitjen për Sakramentet të Shenjta dhe për takimet e ndryshme fetaro-baritore.

Kjo Kishë shërben si tempull lutjeje e 'vatër' takimi për shumë familje dhe të rinj katolikë shqiptarë.

Edhe pse larg Shqipërisë, rrënjët dhe traditat e shëndosha familjare dhe fetare i nxisin shqiptarët të jenë dëshmitarë të një kulture të krishterë që di ta jetojë me qëndrueshmëri Lajmin e gëzueshëm të Ungjillit.

Dom Tomë Mihaj

    titujt kryesore

 
 
> Kisha Katolike Shkoder 2009 <

webmaster