|
Ne, burra e gra të besimeve të ndryshme kemi lënë akim në
qytetin e lashtë të Krakovisë, në Poloni, shtatëdhjetë vjet pas
fillimit të Luftës II Botërore: për t'u lutur, për të dialoguar,
për të bërë që të rritet një humanizëm paqeje. I bëjmë nderimet
kujtimit të Gjon Palit II, bir i kësaj toke. Ai ka qenë mësues i
dialogut dhe dëshmitar këmbëngulës i shenjtërisë së paqes, i
aftë të dhurojë një vizion në kohë të vështira: shpirtin e
Asizit.
Ai
shpirt ka fryrë në shumë ndryshime paqësore në botë. Kështu, në
vitin 1989, njëzet vjet më parë, Polonia dhe Europa Lindore
rigjetën lirinë e tyre. Pikërisht në shtator 1989, në Varshavë,
burra e gra të besimeve të ndryshme, të mbledhur prej Bashkësisë
së Shën Egjidit, e kanë shprehur fort dashurinë e tyre për
paqen: “Kurrë më luftë!”. Atij shpirti i kemi qëndruar besnikë,
pavarësisht se, në vitet e kaluara, shumë njerëz kanë besuar se
dhuna e lufta mund t'i zgjidhnin problemet e konfliktet e botës
sonë.
Shpesh është harruar mësimi i hidhur i Luftës II Botërore. E
megjithatë ajo ka qenë një tragjedi e pamasë e historisë
njerëzore. Kemi shkuar shtegtarë në Aushvic, të vetëdijshëm për
humnerën në të cilën njerëzimi ka rënë. Duhej të ktheheshim në
këtë humnerë të të keqes për ta kuptuar më mirë zemrën e
historisë! Nuk mund të harrohet aq shumë dhimbje!
Duhet të vështrojmë dhimbjet e botës sonë: popujt në luftë, të
varfërit, llahtari i terrorizmit, viktimat e urrejtjes. Kemi
dëgjuar britmën e shumë njerëzve që vuajnë. Popuj të tërë janë
pengje të luftës e të varfërisë, shumë njerëz lënë shtëpitë e
tyre, shumë njerëz janë zhdukur e grabitur apo jetojnë në
pasiguri.
Bota jonë është e çorientuar prej krizës së një tregu që ka
menduar se është i gjithëpushtetshëm, dhe nga një globalizim
shpesh pa shpirt e pa fytyrë. Globalizimi është një rast
historik, edhe pse shpesh është parapëlqyer të shikohet në një
logjikë përplasjeje qytetërimesh dhe besimesh. Nuk ka paqe për
botën, kur vdes dialogu mes popujve. Asnjë njeri, asnjë popull
nuk është ishull!
Traditat tona fetare, në ndryshimet e tyre, së bashku dhe me
forcë thonë se një botë pa shpirt nuk do të jetë kurrë
njerëzore. Ato tregojnë rrugën e kthimit te Hyji, që është
zanafilla e paqes.
Shpirti dhe dialogu do ta frymëzojnë këtë botë të globalizuar!
Një botë pa dialog do të jetë skllave e urrejtjes dhe e frikës
prej tjetrit. Besimet nuk e duan luftën dhe nuk duan që të
përdoren për luftën. Të flasësh për luftë në emër të Hyjit është
një blasfemi. Asnjë luftë nuk është e shenjtë. Njerëzimi
mposhtet gjithmonë prej dhunës dhe prej terrorit.
Shpirti dhe dialogu tregojnë rrugën për të jetuar së bashku në
paqe. Kemi zbuluar me më shumë qartësi se dialogu na liron prej
frikës dhe prej mosbesimit ndaj tjetrit. Është një alternativë e
madhe në vend të luftës. Nuk e dobëson identitetin e askujt dhe
na bën të zbulojmë më të mirën në vetveten dhe në tjetrin. Asgjë
nuk humbet me dialogun. Dialogu shkruan historinë më të mirë,
ndërsa përplasja hap humnera. Dialogu është arti i të jetuarit
së bashku. Dialogu është dhurata që duam t'i bëjmë shekullit
XXI.
Kështu le të rinisemi nga kujtimi i Luftës II Botërore, nga
profecia e Gjon Palit II, si shtegtarë të paqes, duke ndërtuar
me durim dhe guxim një stinë të re të dialogut që bashkon në
paqe ata që urrehen dhe mospërfillen, të gjithë popujt dhe të
gjithë njerëzit. Hyji i dhashtë botës së tërë, secilit burrë dhe
secilës grua, dhuratën e mrekullueshme të paqes!
Krakovë, 8 shtator 2009
titujt kryesore |