ArqipeshkviaFamulliteInstitutet rregulltareZyra per martiretCaritasShtypi dioqezanFshati i paqesArkiv

Takim Ekumenik ne Qipro

 

 

 

Romë, e enjte, 29 tetor 2009 (ZENIT.org). – Mbledhja XI e Komisionit të Bashkuar Ndërkombëtar për dialogun teologjik mes Kishës katolike dhe Kishës ortodokse, e zhvilluar në Paphos (Qipro) nga data 16 deri më 23 tetor mbi temën “Roli i ipeshkvit të Romës në bashkësinë e Kishës në mijëvjeçarin e parë”, ka lejuar të bëhen “hapa të vegjël përpara në drejtimin e duhur”.

E ka pohuar këtë Kardinal Walter Kasper, President i Këshillit Papnor për Promovimin e Njësisë së të Krishterëve dhe bashkëpresident i Komisionit, në Radio Vatikan, duke theksuar se “hapat janë të vegjël e të ngadaltë” pikërisht sepse argumenti i diskutimit është “një çështje shumë, shumë komplekse, një temë që ka një peshë emotive prej shumë shekujsh”.

“Por, ajo që është e rëndësishme pavarësisht prej manifestimeve kundërshtare që janë bërë nga ana e disa eksponentëve, sidomos të Kishës së Greqisë – është se të gjithë përfaqësuesit ortodoksë kanë qenë të vendosur dhe të përcaktuar në vazhdimin e dialogut”, ka vërejtur ai.

“Marrëdhëniet mes anëtarëve katolikë dhe ortodoksë të Komisionit kanë qenë shumë të mira, miqësore, të kthjellëta”, ka shtuar, duke lajmëruar me kënaqësi se organizmi do të takohet vitin e ardhshëm në Vjenë për të vazhduar dialogun.

Nga ana e vet, metropoliti i Pergamos Ioannis Zizioulas, bashkëpresident i Komisionit nga ana ortodokse, ka deklaruar se “çështja e parësisë është një problem ekleziologjik”, dhe meqenëse ekleziologjia bën pjesë në dogmatikë është “çështje feje”.

“Përvoja të tjera tonat të dialogut teologjik, me parakalcedonezët dhe vetero-katolikët për shembull, na tregojnë se një marrëveshje mbi çështje të tjera dogmatike nuk duhet asgjë nëse nuk ka një mirëkuptim mbi themelet e ekleziologjisë”, ka shpjeguar në një intervistë dhënë agjencisë së shtypit athinas dhe maqedonas Apa-Apm marrë edhe nga “L'Osservatore Romano”.

Në marrëdhëniet mes ortodoksëve dhe katolikëve, çështja e parësisë “ka luajtur rolin më tragjik” dhe “ka krijuar probleme më të mëdha (kryqëzatat, uniatizmi)”, ka pranuar ai, duke thënë se “pajtueshmëria është një kusht paraprak i parësisë”.

Përballë akuzave të bëra nga disa mjedise ortodokse për “lëshim peri” përballë Kishës katolike thjesht për faktin e çuarjes përpara të një dialogu konstruktiv, metropoliti ka vërejtur se është “e padrejtë dhe e gabuar” të hidhemi kundër Patriarkatit ekumenik, sepse “dialogu bëhet me vendimin e njëzëshëm të të gjitha Kishave ortodokse”.

Dialogu teologjik mes Kishës ortodokse dhe asaj katolike, ka kujtuar ai, është më i rëndësishmi ndër të gjithë ata që janë ndërmarrë zyrtarisht prej Kishës ortodokse me heterodoksët “por, në të njëjtën kohë, për disa situata, edhe më I munduari”.

Ioannis Zizioulas pra ka nxitur që “të punohet pa lëshuar pe në drejtim të fesë që na është përçuar për të bërë lutjen e përditshme 'për bashkimin e të gjithë neve'”, duke vërejtur se nëse “nuk e bëjmë këtë apo nëse e bëjmë në dëm të fesë së Etërve tanë, jemi borxhlinj para Hyjit”.

Kanë marrë pjesë në takimin e Paphos-it 20 delegatë për palën katolike – me disa mungesa për shkak të angazhimeve në Sinodin e Ipeshkvinjve për Afrikën apo për arsye shëndeti – dhe 24 delegatë si përfaqësues të të gjitha Kishave ortodokse përveç Patriarkatit të Bullgarisë.

Seksioni i vitit 2010 në Vjenë do të zhvillohet nga data 20 deri më 27 shtator dhe do të mikpritet nga Kardinali Christoph Schonborn, Arqipeshkëv i qytetit.

Nga Zenit

    titujt kryesore

 
 
> Kisha Katolike Shkoder 2009 <

webmaster