ArqipeshkviaFamulliteInstitutet rregulltareZyra per martiretCaritasShtypi dioqezanFshati i paqesArkiv
 

 

 

NË 450 VJETORIN E LIBRIT TË PARË SHQIP

 

Profesori i nderuar,  konrtibuti i  madh i të cilit është shumë i njohur dhe i vlerësuar për gjuhën shqipe, shfaqet rradhë për median. Si pak njerëzit me vlera që kanë mbetur në Shqipëri, ai preferon që kur të shfaqet, të dalë thjesht për gjëra serioze. Kështu ka ndodhur edhe këtë herë, kur ai po boton një shkrim në nderim të 450 vjetorit të “Mesharit”. Gjithkush që e lexon, përpos temës së rrokur dhe të trajtuar të autorit, ka mundësi që të shikojë dhe shkrimin e Prof. Demiraj, që është me të vërtetë një nderim për Shqipërinë.

U mbushën 450 vjet, që kur doli nga shtypi libri i parë shqip që njohim deri më sot , “Meshari” i Gjon Buzukut. Për këtë autor, sot për sot nuk dimë gjë tjetër veç ç'na thotë ai vetë në pasthënien e veprës së tij, se ishte biri i Bdek Buzukut dhe se i hyri punës për të shkruar këtë libër fetar duke parë se “gjuha jonë nuk kishte gjë të kuptueshme nga Shkrimi  Shenjtë si edhe nga dashuria për botën tonë”. Ai na thotë gjithashtu se “nuk çuditet nëse ka bërë ndonjë gabim, duke qënë se kjo e para vepër, dhe fort e vshtir për të vepruar në gjuh ton”. Duke u  mbështetur në këtë shprehje të fundit si edhe në faktin që deri më sot nuk është zbuluar ndonjë tjetër shkrim më i vjetër në gjuhën shqipe, në përgjithësi është menduar se me veprën e Buzukut fillon edhe dokumentimi shkrimor i gjuhës shqipe.

Natyrisht, ka pasur dijetarë, që, duke u mbështetur në fakte të ndryshme, kanë shprehur mendimin se gjuha shqipe ka qënë shkruar edhe para  Buzukut. Gjithsesi, edhe sikur vepra e Buzukut të jetë libri i parë i shtypur në gjuhën shqipe, kjo nuk do të thotë patjetër që shkrimi i kësaj gjuhe ka nisur me këtë vepër. Dëshmi të ndryshme tregojnë se disa dorëshkrime me kalimin e kohës janë zhdukur. Kështu p.sh. Pjetër Bogdani  në parathënien e veprës së tij Cuneus Profetarum (Çeta e Profetënve,1665) na flet për një gramatikë latinisht-shqip të ungjillit të tij, Andrea Bogdani, e cila i kishte humbur gjatë shtegtimeve të tij të detyruara. Një fat të tillë do të kishin pësuar edhe shkrimet e një farë Pali dhe Hasi, që Pjetër Budi i gjeti dhe i përfshiu në veprën e tij “Doktrina e Kështenë”(1618). Pradaj nuk duhet përjashtuar mundësia që në Shqipërinë mesjetare, qysh para Buzukut e Budit, do të ketë pasur edhe të tjerë “Palë”, që do të ketë ndier nevojën edhe kënaqësinë për të shkruar gjuhën amtare.

Në të mirë të këtij mendimi të tillë flet edhe dëshmia e murgut frëng Brokard, ish kryepeshkop i Tivarit, i cili në veprën e tij latinisht të vitit 1332 pohon: “Sado që Shqipëtarët kanë tjetër gjuhë, krejt të ndryshme nga latinishtja, megjithë atë ata kanë në përdorim në të gjithë librat e tyre shkronjën latine”. Natyrisht duke pasur parasysh se Gutenbergu e shpiku shtypshkronjën nga mesi i shekullit të XV, në këtë rast nënkuptohet se është fjala për dorëshkrime. Por edhe më shumë në të mirë të shkrimit të shqipes para Buzukut, flet vetë gjuha mjaft e përpunuar e këtij shkrimtari e këtë e kanë vënë në dukje edhe studiues të tillë si Norbert  Jokli, Gaetano Petrotta, Eqerem Çabej etj.

Kur flitet për shkrimin e shqipes qysh  përpara shekullit të Buzukut, është fjala për një traditë pak a shumë të stabilizuar të shkrimit. E në të mirë të një mendimi të tillë dëshmon, ndër të tjera, edhe një praktikë e përbashkët e shkrimtarëve shqiptarë këtej e përtej brigjeve të Adriatikut. Si Buzuku edhe ato që erdhën pas tij, Budi, Bardhi, Bogdani etj…, ashtu edhe Matrënga dhe shkrimtarë të tjerë arbëreshë që erdhën pas tij, kanë zbatuar të njëjtën praktikë për të shënjuar zanoret e gjata dhe pikërisht duke ua dyfishuar shkronjat përkatëse. Kështu përshembull gjejmë tek Buzuku : ndër gjithë graat të jeesh, nee ,hiirplota, e tuu, tyy etj. Po kështu gjejmë tek Matrënga :kaallture, uqij të paasosme, ndë dheet, ubëë, të bëëmetë trj faq,e etj.

Një praktikë e tillë e shënjimit të zanoreve të gjata nuk ndeshet në shkrimet latine e greke, sepse, siç dihet, këto dy grupe kulturore zanoret e gjata i dallojnë krejt ndryshe. Një praktikë e tillë e dyfishimit të shkronjave për zanoret e gjata nuk ndeshet as në shkrimet e gjuhëve sllave dhe as në shkrimet e gjuhëve popullore të pellgut të Mesdheut, d.m.th. në asnjë prej gjuhëve, që mund të kishin ndikuar drejtpërdrejt mbi Buzukun e Matrëngën dhe pasardhësit e tyre. Po  të kihen parasysh edhe rrethanat historiko-gjeografike, në të cilat kanë jetuar e punuar Buzuku e Matrënga, në këtë rast nuk mund të përfytyrohet as ndonjë ndikim i Buzukut mbi Matrëngën.Në të njëjtën kohë është shumë e vështirë, për të mos thënë e pamundur, që një praktikë e tillë e përbashkët e shënjimit të zanoreve të gjata duke ia dyfyshuar shkonjat përkatëse, si te Buzuku ashtu edhe tek Matrënga, nuk ka qënë rastësi. Sigurisht, Buzuku e Matrënga kanë ndier nevojën t'i dallonin zanoret e gjata të gjuhës amëtare nga të shkurtrat, por mënyra e njëjtë e shënjimit të zanoreve të gjata prej tyre të bën të mendosh se ata në këtë rast kanë ndjekur një traditë të përbashkët shkrimi më të hershme se shekulli i Buzukut dhe i Matrëngës. Për më tepër, këtë praktikë shkrimore e ndeshim aty  këtu edhe tek autorët e mëvonshëm shqiptarë, si Anonimi i Elbasait dhe Dhaskal Todhri, që nuk duhet të ketë pasur lidhje me shkrimtarët e tjerë katolik të Veriut

Pra, dëshmi të ndryshme tregojnë se vepra e Buzukut mund të jetë libri i parë shqip, që arriti të shihte dritën e shtypit, por ajo nuk shenjon patjetër edhe fillimin e shkrimit shqip, që duhet të jetë më i hershëm se shekulli i XVI. Gjithsesi, shqipja hyn në rradhët e gjuhëve të tilla si rumanishtja dhe  lituanuishtja, që për arsye të ndryshme historike kanë nisur të lëvrohen me shkrimin relativisht vonë. Dhe një gjë e tillë nuk është e papritur, po të kihet parasysh se qysh nga kohët antike edhe gjatë mesjetës kanë mbizotëruar si  gjuhë kulture dhe kishtare latinishtja dhe greqishtja. Këto dy gjuhë kulture “kanë penguar” në një farë mënyre zhvillimin e gjuhëve letrare kombëtare edhe në vende të tilla si Italia e Franca.

“Meshari”i Buzukut është me të vërtetë një thesar i paçmuar jo vetëm si libri i parë shqip, por edhe për vlerat e tij të shumanshme, sidomos gjuhësore. Nga studimet e shumta që i janë bërë gjuhës së tij nga shkencatarë të ndryshëm, është bërë e qartë, ndër të tjera, se dy dialektet  kryesore të shqipes në shekullin e Buzukut ishin më afër njëri  tjetrit se në kohën tonë. Për këtë mjafton të përmendim faktin që në veprën e Buzukut zanorja e patheksuar fundore /- ë/ ndeshet pothuaj aq dendur sa në veprën e Matrëngës, ndërsa në gegënishten e folur të ditëve tona ajo pothuaj nuk ndihet më. Gjithsesi edhe në kohën tonë dallimet në sistemin fonologjik e sidomos në strukturën gramatikore dhe në fjalor midis dy dialekteve të shqipes janë shumë më të pakta sesa midis dialekteve të gjuhëve të tjera, si p.sh. italishtes, frëngjishtes, gjermanishtes, etj.

Vepra e Buzukut paraqet një interes të madh edhe për fjalorin e tij të pasur. Tek ai gjejmë edhe ndonjë fjalë të vjetër të trashëguar indoevropiane, siç është fjala mang-u e cila është zëvendësuar nga huazimi latin mashkull. Tek Buzuku dokumentohet për herë të parë edhe ndajfolja shqip, e cila ka zëvëndësuar fjalën më të vjetër arbën-isht/arbër-isht, që lidhet me fjalën Arbën/Arbër, kurse fjala shqip-tar dokumentohet për herë të parë në Aktet e Kuvendit të Arbënit të vitit 1705, dhe emri Shqip-e-ni/Shqip-ë-ri kanë zëvendësuar fjalët e mëparshme i arbënesh/i arbëresh, përkatësisht Dheu i Arbënit/i Arbër-it, që kanë mbijetuar tek arbëreshët e Italisë

 

Prof. Shaban Demiraj

Marrë nga gazeta “Korrieri”, 13  janar 2005

 

janar - shkurt 2005

 
 
> Kisha Katolike Shkoder 2008 <

webmaster