|
|
IMZOT ERNEST M. ÇOBA, IPESHKVI I
SHKODRËS
(1913-1980)
Me datën 8
të mujit janar 1980 vdes në spitalin e burgut të Tiranës Imzot Ernest M.
Çoba, Ipeshkëv i dioqezës së Shkodrës.
Kur asht
shkëputë Shkodra nga Arkidioqeza e Tivarit, asht ba arqipeshkvia e
Shkodrës që ka qenë dikur, tue fillue tashti me arqipeshkvijt Imzot Karl
Poten, Imzot Pashko Guerinin, Imzot Jak
Serreqin,
Imzot Lazer Mjeden, Imzot Gasper Thaçin për të arrijtë te i gjashti
Ipeshkvi Ernest M. Çoba.
I biri i
Luigj Çobës dhe i nanës shumë të divoçme Ursolinës, e mbesa e piktorit
të permendun të Shkodres Kolë Idromenos. Me rastin e largimit nga
Shkodra, per shkak se Shkodra u rrethue nga Mali i Zi, familja banoi
deri në mbarim të luftës në Laç të Vaut të Dejës. Këtu leu monsinjori me
16 fruer 1913, ku edhe u pagëzue.
Një fëmijë
me një natyrë shumë të mirë. Në moshën 7 vjeç do të merrte krezmimin. Ka
hy në shkollën fillore nder jezuitë. Aty pati thirrjen për urdhnin e
meshtarisë në Seminarin e Jezuitëve.
Mbasi ka
marrë maturën ndoq mësimet e nalta për filozofi e teologji. Gjatë
studimeve, daja i nanës së tij, Kolë Idromeno ka pasë një dëshirë të
madhe ta kishte pranë vetes në shtëpinë e tij, që e donte aq fort. Me
lejën e jezuitëve, ai jetonte në shtëpi dhe ditë për ditë shifte meshën
dhe vinte në seminar për studime. Asht shugurue meshtar në kishen e
jezuitëve nga Imzot Della Pietra me 9 fruer 1936 e me 11 fruer 1936 ka
çue meshen e parë, ditën e Zojës Lurdë, në kishen e jezuitëve. Në këtë
ditë, 9.II.1961 jam shugurue edhe unë prej Tij e kam thanë edhe unë
meshen e parë, pse ka qenë dëshiri i Tij që të më shuguronte edhe mue në
këtë datë, mbas 25 vjetësh. Kam shumë gjana për t'iu falë nderës këtij
Imzoti, personë që ka pasë aq cilësi të mira në jetën e vet.
Ka qenë
ndihmës famullitar i Shkodrës, kur ishte famullitar Dom Mikel Koliqi.
Një punëtuer i shkathtë në sherbim të famullisë, Dom Ernestoja sherbente
në kishë, sherbim tek të sëmurët, në vorrime në të gjitha nevojët që
kishte kisha. Kur Dom Mikeli mori revisten e permendun “Kumbona e së
diellës”, Dom Ernestoja ishte punëtuer i zellshëm i saj. Ishte redaktori
i revistes dhe shkruente artikuj me pseudonimin Erba.
Kur asht ba
statuti i Kishës Katolike në Shqipni, Kisha donte të kishte ipeshkvij,
se i kishin pushkatue, si: Imzot Frano Gjini dhe Imzot Gjergj Volaj ,
ndërsa Imzot Gasper Thaçi vdiq heret nga një sëmundje e randë. Atëherë,
Mons. Bernardin Shllaku, Ipeshkëv i Pultit kërkonte të baheshin katër
ipeshkvij të cilët i caktoi dhe detyrimisht do t'ia jepte kryeministrit
të atëhershëm Mehmet Shehut që t' ia përcillte për t'ia dërgue Selisë
Shejte. Papa Piu XII nuk aprovoi ata të katër, por dy tjerë që nuk ishin
në listë që do të ishin: Imzot Ernest Çoba për arkidioqezën e Shkodrës
me titull dhe Ipeshkëv, Imzot Pjeter Dema për arqipeshkvinë e Durrësit
me titull ipeshkvi i dioqezës së Durrësit. Këta do t'i shuguronte Mons.
Bernardin Shllaku që u ba simbas statutit, kryetar i Kishës Katolike të
Shqipërisë, që do ta mbante deri në nanduer të vjetit 1956, kur Imzoti
do të vdiste e vendin e tij do ta kishte Imzot Ernest M. Çoba.
Mons. Çoba
ka pasë një trup të shkurtë, dy sy të shkathtë, ku mbante perherë syze
të zeza në kishë, në sherbime dhe në zyre dhe kishte një të ecun të
ngadalshëm. Mons. Çoba ka qenë ipeshkvi ma i sprovumi në njenën anë e ma
fatlum në anën tjetër, se gjindej ndër dhimbjet ma të fortat të Kishës e
të idealit të saj për të qenë martir. Një periudhë e vështirë për atë në
të gjitha punët që kishin me i përkitë për të krye detyrën e lartë si
duhet, një misionar i përgjakun në tokën e vet.
Kishte
cilësi fort të mira. Unë kam qenë një personë fort e afërt e tij. Ishte
i pervujtë, i qetë, i mbatun, i qeshun, i papritueshëm e i dashun me të
gjithë, tue i respektue të gjithë, me një qëndrim nderimi ndaj të
gjithëve. Fillonte, së pari, ipeshkvijtë, meshtarët, popullin e sidomos
të vobektit. Ishte i palodhun në sherbime, deri te ata që nuk i
perkitshin si ipeshkëv. Monsinjori do të gjindej çdo ditë, veç të
diellesh dhe festave të urdhnueme, mbasi mbaronte meshen e orës gjashtë
të mengjesit, dimen e verë, me vizitat që i bante të sëmurëve të
qytetit, ma tepër nder koliba e baraka, lagjeve të humbuna të qytetit,
për t'u dhanë sakramendet shejte, veprime këto e sa tjera që e kishin ba
të fitojë popullaritet të madh e një simpati e dashuni nga ana e të
vorfenve, të cilët me ata çka kishte, i ndihmonte. Nderonte të gjithë,
edhe fëmijtë e vogjel, krejt popullin e njerëzit e çdo besimi që njifte.
Nuk bante dallim. I begenisun me folë me të gjithë, me të madhin e me të
voglin.
Ishte një
ipeshkëv, që, megjithëse nuk e lejonte diktatura të shkonte në Koncilin
II të Vatikanit, bani që të hynte shpirti e fryma e koncilit ndër disa
veprime, kështu që e kishte anticipue atë ndër ne. Nisi të thohej mesha
në lterin me fytyrë kah populli në gjuhën shqipe dhe ndonjë njoftim
tjetër.
Një njeri
që, tue kenë qytetar, kuptonte ma së miri jetën e qytetit dhe kohën. Jo
vetëm ata që e kanë njoftë, por sidomos ata që kanë ndejë pranë tij, siç
më ka tokue mue të punoj me të ç'prej vjetit 1958 deri në vjetin 1976 që
jam arrestue, kam pa një personë me shumë njohje dhe një njeri,
çuditnisht, largpamës.
Monsinjori
ishte guximtar per punët e mëshehta dhe me rrezik, deri sa aty me
shugurue mësheftas disa meshtarë, deri në shtatë, e një ndër ata do të
ishe edhe unë që u shugurova në dhomën e tij personale. Kishte
marrëdhanie të rregullta me klerin e sidomos konfidenca me disa meshtarë
per probleme serioze të Kishës me shtetin. Lidhej shumë me Pader Pjeter
Meshkallen e Dom Gjon Kovaçin, ordinarin e Zadrimës. Donte shumë Pader
Anton Lulin, Dom Injac Gjokën që e mbante shembull të lartë e meshtar
shejt e sa e sa tjerë. Monsinjori e shifte mirë gjendjen e Kishës në
Shqipni e kishte shumë nevojë me vu në dijeni Selinë Shejte. Për këtë do
ta ndihmonte e motra, e cila ishte e martueme me një italian që qe i
detyruem nga shteti të mos rrinte në Shqipni, pse donte të mbante
nënshtetësinë italiane. Atëherë, me largimin e të shoqit, e motra mbas
do kohet, merrte prej tij një pension mujor dhe shkonte çdo muej në
ambasadën italiane për ta marrë. Atëherë, Monsinjori pregaditëte një
material ndër letra cingareje me probleme vetëm kishtare, por tue vu në
dijeni nëpunësin e sigurtë të ambasadës per t'ia dergue.
Një ngjarje
shumë e randësishme, shugurimi i kishës katedrale me aq pompozitet. Kjo
ndodhte me rastin e 100-vjetorit të kishës. Për t'i dhanë hov jetës e
religjionit, në ato kohë aq të vështira, nisën pregaditjet disa kohë
përpara, si zbukurimi i kishës me afreske të Testamendit të Vjetër e ttë
Ri, një udhëkryqe të re nga skulptorë të ndryshëm, me lterin e ri, ashtu
si asht sot, me pregaditjen e korit. Festa u ba shumë e bukur me
pjesëmarrjen e madhe të popullit e të meshtarëve të të gjitha dioqezave,
me daten 19 prill 1958.
Kur ishte
ndihmës famullitar, punonte me zell në Shoqninë e vogël të kryqtarëve,
pranë etenve jezuitë, që kishte drejtor At Jak Gardinin S.J. dhe që i
ndihmonte frateli jezuit, Françesk Ljarja.
Monsinjori,
kur ishte ndihmësfamullitar, jepte mësimin e katekizmit nder shkolla
shtetnore dhe ma vonë, kur ishin kishat ende të çiluna, deri në shkurt
1967, e jepte në Kishë të Madhe për pregaditjen e Kungimit të Parë dhe
Krezmimit dhe te diellave jepte orë besimi për fëmijë që ishin krezmue.
Mbasdite jepte per popull, me shumë interesim, shpjegimin e Tetamendit
të Vjetër e të Ri. Ishte njohës i mirë i tri gjuhëve: latinisht,
italisht, frengjisht dhe një ekspert i teologjisë morale dhe i landëve
të religjionit. Ishte shumë praktik në punët e fesë. I aftë të punojë në
kohë normale e providencial në epokën e terbueme të komunizmit shqiptar.
Po avitej
koha e mbylljes së kishave dhe i të gjitha komuniteteve fetare. Shteti e
trazonte shumë kishën. Filluen të baheshin kontrolle kush vjen në kishë
dhe kishte roje që merrshin shënime e bajshin gjithfarë dredhishë nga
shteti permes organizatës së Frontit, të rinisë, të pionierit. Gjithmonë
gjithçka në drejtim të Sigurimit. Nuk lejoheshin mësuesit dhe njerëzit
që punojshin në zyre, të shkojshin në kishë. Ndalohej ramja e kumbonëve
nga Tirana deri që do të vinte shpallja e fletërrufeve kundra fesë,
klerit, zakoneve të quejtuna mbrapanike. Fletërrufetë u vunë në tanë
Shqipninë, mbas Fjalimit të 6 shkurtit 1967. Me datën 24 shkurt,
Monsinjori qe thirrë në Komitetin Ekzekutiv të qytetit dhe unë e
përcolla. Aty, në komitet, kemi gjetë P. Agostin Ashikun, provincialin e
françeskanëve, të cilin e urdhnuen të lironte kuvendin, me perjashtim të
4 dhomave. Ndërkohë, nësa ishim ne në komitet, forcat e Sigurimit
erdhën në Arqipeshkvi, ku priten Monsinjorin. Mandej ushtruen kontroll
të rreptë. Mbasdreke sollën makinat për të çue materialet e
Arqipeshkvisë te kuvendi i françeskanëve te Arra e Madhe. Me këtë rasë e
urdhnuen Monsinjorin të braktisë Arqipeshkvinë e të shkojë në Kuvendin e
Fretenve te Arra e Madhe. Ne e nesre, Monsinjori më tregoi një shkresë
që famullia e Stajkes protestonte për mbylljen e kishës së Stajkes, të
firmosun nga anëtarët e këshillit të kishës, në emën të fshatarëve. Kjo
shkresë mund të gjindet ndër arkiva të shtetit. Ndërsa “mbledhjet e
popullit” vazhdojshin, ku elementë komunistë kërkojshin mbylljen e
kishave.
Ndërsa
mbledhja kundër klerit u ba tek ndërmarrja e ujnave, në një sallë të
madhe që gjindej karshi vorreve katolike. Aty u thirrën Imzot Ernest
Çoba, D.Mark Hasi e D. Kolë Shkoza famullitar. Salla ishte e mbushun
plot me popull e në tribunë ishin të dërguarit nga Komiteti i Partisë së
Rrethit, të Frontit e të tjerë. Qellimi ishte kryesisht mbyllja e Kishës
së Madhe. Referuesit folën për rolin reaksionar të fesë dhe i banë
Monsinjor Çobës shumë pyetje të cilave iu pergjigj. Pati edhe sharje e
fjalë vulgare kundër fesë dhe klerit. Një qytetar, Dedë Gjushi, gjallë
ende, tue mos durue këto shamje tendencioze e fyese, u ngrit e i doli
zot Kishës e Monsinjor Ernestit.
Ndërkohë,
kur mbledhja vazhdonte, shteti mbylli Kishën e Madhe, të cilën, për çudi
të të gjithëve e hapi përsëri mbasdreke. Nuk e harroj kurrë, një popull
i madh, me shumë divocion, mori pjesë në kishë.
Me daten 5
mars 1967, ora 5 mbasdite, një grumbull 15 personash, deklaruen se kjo
kishë i dorëzohet popullit dhe shndërrohet në muze. Monsinjori njoftoi
Dom Mark Hasin të merrte sakramendin nga tabernakulli e ta dërgonte te
Kuvendi i Françeskanëve te Arra e Madhe.
Me daten 18
mars 1967 thirren Monsinjorin në Front të Lagjes dhe një grup meshtarësh
të cilëve u kërkohej të mohojshin detyrën meshtarake. Asnjë nuk pranoi.
Mbasditen e kësaj dite mbyllën kishën e Zojës Rruzare te Arra e Madhe
dhe kuvendin.
Monsinjori kje percjellë me taksi te shtëpia e motres, tue kalue mes një
populli të madh me lot në sy.
Te shtëpia e motrës
do të jetonte e do të bante shërbime të mëshehta per disa vjet deri që
do të arrestohej me 3 prill 1976. Gjyqi u ba mbas një vjeti, tue qenë
edhe unë i arrestuem me të dhe me dy meshtarë tjerë. Monsinjori në gjyq
foli mirë, ndonëse torturat e kishin ba dyfish. Kje dënue per dy nene,
per marrëdhaniet e fshehta që kishte pasë me Selinë Shejte dhe per
axhitacion e propagandë dhe kje dënue 25 vjet. Monsinjor Çoba do të
vdiste misteriozisht në burgun e spitalit të Tiranës, pas një
inxheksioni sekret që iu ba rreth festës së Shën Ernestit, me datën 8
janar.
Shumë vjetë ma vonë,
mbas rihapjes së kishave, i vëllai zbuloi vorrin e Monsinjor Çobës në
Tiranë. Atëherë, unë e Z. Lec Çoba dhe shoferi im Zef Gajtani morëm
eshtnat, i sollëm në Shkodër, në Katedrale. Të nesërmën, u celebrue
mesha nga Nunci Apostolik Ivan Diaz dhe unë, që mbajta edhe predkun e
rastit.
Në meshë
asistuen të afermit e tij, e motra e nipat dhe një popull i tanë.
Me kërkesën e autorit
nuk është ndërhyrë në gjuhën e
artikullit.
Redaksia
titujt janar - shkurt 2005 |
|