|
|
JETËSHKRIM HISTORIK ME GJITHFARË
TRAZIRASH - Dom Ndoc Nikaj,
“Kujtime të nji jetës së kalueme”, Tiranë
2003
Jeta dhe
veprimtaria e dom Ndoc Nikaj. Ai lindi në Shkodër më 15 qershor 1865.
Mësimet fillestare i kreu tek françeskanët, kurse në moshë 13 vjeçare
hyri tek jezuitët në Kolegjin Papnor në Shkodër të cilat i përfundoi më
sukses duke u bërë meshtar në vitin 1888. Veprimtaria e tij, e cila
filloi pas shugurimit për meshtar, ishte fetare shkencore, historike,
letrare, publicistike dhe politike, e botuar brenda dhe jashtë
Shqipërisë. Si shkrimtar filloi që në moshën 24 vjeçare, kohë kur shkrim
leximi në gjuhën shqipe ishte rrepstësisht i ndaluar prej qeverisë
turke. Nikaj është më i pari krijues i romanit shqip. Ai shkroi më se 30
vepra të zhanrit të ndryshëm.
Nga shtëpia
botuese Plejad në Tiranë, shtypi librin e autorit dom Ndoc Nikaj.
Libri, redaktorë të të cilit janë dr. Nevila Nika dhe Ibrahim Kadriu,
mban titullin Kujtime të nji jetës së kalueme, të cilin e përgatiti
dhe e pajisi me shënime dom Nikë Ukgjini. Tekstin origjinal të
dorëshkrimit që e ka lënë vetë autori, e botoi për herë të parë “Zëri”
i Prishtinës, kurse më pas ”Tema” e Tiranës. Ky interesim i mediumeve në
Kosovë dhe në Shqipëri tregon se fjala është për një libër me vlerë, në
të cilin autori shkodran ka shënuar kujtimet e tij historike, të cilat
janë shkruar sipas rëndësisë së ngjarjeve të historisë sonë, e të cilat
përfshijnë periudhën e viteve 1870 1945, kur, siç thotë vetë autori,
mbarojnë diftesat e këtyne kujtimeve pse plotsohet tetëdhjetë vjetori i
kësaj jete të kalueme, me trazime gjithfarësh. Këto kujtime histrorike
të dom Ndoc Nikaj na përkujtojnë në ato rrëfimet e gjyshërve tanë për të
kaluarën tonë sa të lavdishme aq edhe tronditëse, andaj edhe lexohen
lehtë e me kënaqësi, sepse siç pohon autori, zbulojnë ndrrimet e
mëdhaja mbrenda një kohe sa asht nji brez jete e nji populli” dhe shton
“ ma tepër i shtyepm prej tjerve se prej andjes s'ëme nisa me rreshtue
n'uzdajë se dishka ka për t'i vjeftë të rive t'ardheshem per defrim
leximi e ashtu edhe per ndonji perfitim moral e per drejtim jete, ku
kan me mujtë me msue sende për t'u ndjekë e sende për t'u largue porsi
te rrezikshme sikur i paraqesin rasat e diftueme. Vlerësojmë se ky
libër ia arriti qëllimit që i kishte parashtuar vetes autori, sepse
këto kujtime, edhe pse përgjithësisht nuk kanë kronologji kohore dhe
sigurisht kanë nevojë për theksimin e disa datave që lidhen me disa nga
këto ngjarje, për lexuesin janë sa të këndshme aq edhe të dobishme.
Lexuesi në këto shkrime, shprehet autori ka me gjetë dashtunin ma
shejten e ma të çmueshmen që i kje e asht dhe ka me kenë për njeriun e
ndershëm dashtunin e atëdheut, burrnitë, kreshnikitë, flijimet që e
ushqejnë dhe e ngjijnë shpirtnisht e mendsisht njerin e urtë. Në një
jetëshkrim siç është ky, ku mosha përfshin plot një jetë njeriu, çdo
lexues do të gjejë diçka që atij i intereson dhe i ofrohet mundësia të
mësojë diçka nga ngjarjet e ndodhura në krahinën e Gegënisë. Lexuesi,
veç kësaj, ka mundësi edhe të përfitojë nga ky libër, duke iu shmangur
sendeve që i vëren se janë devijuese e të dëmshme dhe të përvetësojë
ato që i vlerëson se janë të vlefshme dhe të ndershme. Dom Ndoc Nikaj
përshkrimin e jetëshkrimim e tij në këtë libër e fillon në ato vite kur
edhe pat filluar jeta e tij. Fillimisht na tregon një biografi të
vetën, për fatin e njëmbëdhjetë vëllezërve dhe motrave të tij, për
kushtet e jetesës së prindërve të tij, të cilët materialisht ishin të
varfër, por shpirtërisht të pasur. Në vazhdim shkruan për vajzat e
Malësisë, fejesat, martesat, doket, zakonet, ngatërresat, vrasjet e
gjaqet që për atë kohë, madje edhe sot, ishin të vështira për pajtime.
Ngjarja e parë që ka mbetur e ngulitur në mendjen e dom Ndoc Nikaj qysh
në vegjëli, ishte varrimi i Bibdodë Pashës së Mirditës, ngjarje kjo që
ka ndodhur atëherë kur autori nuk kishte mbushur ende 5 vjet. Nga
ngjarjet e shumta e mjaft interesante të këtij libri, për të cilat
autori shprehet se faktet i ka diftue lakuriq sikur janë kenë po
përmendim vetëm disa, të cilat mendojmë se do të zgjojnë kureshtjen e
lexuesve. Veçojmë ndezjen e tmerrshme të xhebehaneve të Kështjellës së
Shkodrës në dhjetor të vititi 1874, ngatërresat ndër ortodoksë dhe
katolikë rreth Kuvendit të Urdhërit Benediktin në Rash, të cilat kanë
ndodhur në vitin 1855 dhe 1869, rrënojat e Kishës së Zojës së Këshillit
të Mirë në Shkodër, përshkrimi i kohës së kapadajive guximtarë të cilët
mendjen e kishin në pushkë e grabitje, e cila u referohet viteve
1888-1892, formimi i Lidhjes Kombëtare në Shkrel “Bashkimi Kombëtar”
ose “Lidhja e Mshehet” në vitin 1893, pastaj përjetimet e autorit gjatë
viteve 1900-1901, kur i bëri vizitë edhe Faik Konicës në Paris,
qëndrimin e tij në Sarajevë dhe Vienë më 1905 dhe më vonë aktiviten e
tij në Shkodër gjatë viteve 1907-1912 me qëllim që ta lidhë ekonomikisht
Mirditën me Shkodrën. Një kapitull të veçantë ia ka kushtuar edhe
Kryengritjes së Malësisë së Madhe (1910-1911) dhe gjuhës shqipe në kohën
kur Turqia kishte hyrë në Shqipëri, në kohën kur përdorej vetëm gjuha e
folur, por jo edhe e shkruar.Giuha vetem e folun gojarisht nuk
shkaktonte asnji rrezik t'ardheshem mbasi qi nuk ishte mjet me komunikue
e me perhap mendimet e njanës anë me tjetren, me shumicë mendimesh për
nji herë... Për kundra giuha me të shkrueme mund t'ishte nji rrezik i
vazhdueshëm per nga ana e sundimit, pse shkrimet depertojnë qetëlsisht
e mshehtas, bindin mendjet e tjerëve qi i lexojnë… Turki prandej, me
shum arrsye, dronte kulturën e shkrimet e kendimet se sa për giuhen e
folur gojarisht nuk u interesue me ca ndryshime. Per at qellim shkollat
në giuhen shqype kjene të ndalueme me ligjë të veçantë. Nuk mund të
botoheshin libra e fletore a të përkohëshme e tjera sende përkatëse. Çdo
libër në giuhen shqype ishte i dnueshëm edhe rrebtsisht i ndaluem. Kuej
i gjindej në dorë ndeshkohej me burgim e tretnin, shkruan dom Ndoc
Nikaj. Ai po ashtu në vazhdim shkruan për ngjarjet ngatërruese rreth
flamurit dhe shkronjave të gjuhës shqipe midis muhamedanëve të Shkodrës
dhe katolikëve. Të parët këmbëngulnin që gjuha shqipe të shkruhej me
shkronja turqishte, kurse të dytët kërkonin që shipja të shkruhet me
shkronja latine. Në këtë jetëshkrim historik autori flet edhe për
Luftën e Parë Botërore, 1914, qëndrimin e lirshëm të ushtrisë
serbomalazeze në Shkodër që nga 5 qershori i i vitit 1915 e deri më 2
shtator 1916, qëndrimin e ushrtrisë austriake në Shkodër në vitin
1916-1918, Luftën Ballkanike, 1912-1914 dhe Lëvizjet e Mirëditës më
1920. Mjaft interesant është edhe kapitulli kushtuar themelimit të
shoqërisë “Bashkimi” në vitin 1899, shoqërisë “Agimi” më 1902 dhe Luftën
e Kastratit më 1910-1911, Luftën me Mal të Zi më 1911, Lëvizjen e
Mirëditës , qeverinë shiptare të Durrësit , vrasjen e Prenkë Pashës,
kohën kur në Shqipëri hypi në postin e ministrit të Brendshëm Ahmet
Zogu, kohën kur u themelua Qeveria e Nolit, ikjen e Zogut nga Shqipëria
në Londër, më 7 prill 1939 dhe ngjarje tjera mjaft interesante. Fakti
se autori ishte tetëdhjetçvjeç kur fillon t'i shkruaj këto kujtime
dëshmon se sa e fortë dhe e qëndrueshme është kujtesa e njeriut.
Gjekë
Gjonaj, Ulqin
titujt janar - shkurt 2005 |
|