|
|
GJERGJ KASTRIOTI-SKENDERBEU
(1405-1468)
MBROJTËS I QYTETËRIMIT EVROPIAN
Me rastin e
600 vjetorit të lindjes së Atletit të Krishtit, siç shprehet papa
Kalisti III, të Heroit Kombëtar.
Shekulli i
XV, që tashmë ka hyrë në historinë tonë kombëtare si epoka e
Skenderbeut, përbën një faqe të ndritur dhe njëkohësisht një periudhë
kyçe në historinë mesjetare shqiptare. Niveli që kishte arritur populli
shqiptar, me një lulëzim të marrëdhënieve feudale dhe formimi i
kombësisë shqiptare me një rrugë të vetën historike, e bënin shqiptarin
në pragun e pushtimit turk, një popull me tipare të dalluara dhe të
veçanta. Nëpërmjet figurës së Gjergj Kastriotit Skenderbeut, për një
çerek shekulli mishërohet, e gjithë lëvizja antiosmane për liri të botës
së krishterë.
Gjatë kësaj
lufte 25-vjeçare, të udhëhequr nga Skenderbeu, megjithëse me vështirësi
dhe pengesa, përparoi më tepër në hedhjen e themeleve të shtetit të
përqëndruar shqiptar, që përfshinte territore të banuara nga popullsia
shqiptare, që fliste të njëjtën gjuhë e që kishte të njëjtën kulturë. Ky
shtet pati për qendër Krujën “ zemrën e fuqisë Arbërore”, pikërisht këtu
ishte instaluar administrata ekonomike, sociale, politike dhe ushtarake
e këtij shteti. Kjo figurë legjendare, - siç shprehet dhe Papa Kalisti i
III, “Me të vërtetë shohim se ai është pothuajse i vetmi i cili i është
kundërvënë pushtimit të egër turk, e nuk ka lejuar afrimin e tyre”,
është përfaqësuesi më konsekuent dhe më i shquar i atij grupi
sundimtarësh shqiptarë të cilët u rreshtuan në frontin e qëndresës
kundër pushtuesit osman. Tek figura e Skenderbeut e pati burimin ajo
literaturë e shumëllojtë dhe shumëgjuhëshe, që iu kushtua Skenderbeut në
katër anët e botës. Kur vërshimi osman qëndronte si një shpatë e mprehtë
kundër Evropës Qëndrore, kur në Gadishullin e Ballkanit shpërthyen
lëvizjet për çlirim kombëtar dhe historianët, shkrimtarët e poetët
përdorën figurën e tij si flamur frymëzimi për mobilizimin e popujve për
liri e pavarësi.
Për këtë
figurë në literaturën historiografike dhe publicistiko-fetare ka pasur
vlerësime nga më të ndryshmet, në të cilat mbizotëron vlerësimi pozitiv.
Ai është parë si “kordhëtar i madh”, si “luftëtar për lirinë në
përgjithësi”, si “Athleta Christi”, “Difensor Fidei” dhe “ Christi
propugnotor acerrimus” (Mbrojtësi më i rreptë i Krishtërimit), si dhe
mbrojtës i qytetërimit evropian.
Duke u
nisur nga këto vlerësime, pati autorë dhe historianë të ndryshëm, të
cilët mbajtën një qëndrim skeptik, duke e quajtur figurën e tij
(Skenderbeut) si një krijesë të humanistit M. Barleti, apo një figure të
shtyrë dhe të paguar nga Venediku, Napoli dhe Papët e Romes, një
udhëheqës “çetash malësorësh” etj. Vlerësimet e autorëve të mësipërm,
sipas mendimt tonë, janë bërë, duke u nisur nga një material i pakët
burimor (pushtuesi osman e bëri vendin tonë një “tabula rasa”, përsa i
përket monumenteve dhe dokumeneteve), dhe ai material që ekziston është
me prejardhje venedikase, napolitane, dubrovnikase dhe papale. Të gjitha
këto dokumente përfaqësojnë veprimtarinë e kancelerive të këtyre
shteteve në lidhje me Shqipërinë në fushën ekonomike, politike dhe
ushtarake. Nga vështrimi sipërfaqsor i këtyre dokumenteve, të krijohet
përshtypja, se në të gjitha fushat, rolin kryesor në Shqipëri e kanë
luajtur të huajt. Dhe ai material i pakët që ekziston është vlerësuar në
mënyrë të njëanshme, pasi shprehin në mënyrë të maskuar interesat
politike të shteteve që u përkisnin studiuesit të cilët janë marrë me
figurën e Skenderbeut. Këto faktorë së bashku kanë çuar në qëndrim
nënvleftësues të figurës së Gjergj Kastriotit-Skenderbeut në
historiografi.
Edhe sot në
ditët tona po kërkohet të revizionohet figura e Skenderbeut. Përpjekje
të tilla mund t'i konsiderojmë të shëmtuara, pasi janë në kundërshtim me
frymën pro perëndimore të vendit tonë. Figura e Skenderbeut është me të
vërtetë një mishërim i kësaj fryme dhe pikërisht në këtë kohë kur
Shqipëria po bën përpjekje për të ndërtuar marrëdhënie edhe më të mira
me Evropen perëndimore, mbijnë si kërpurdhat “pas shiut”, rryma
anadollake apo lëvizje të tipit “ Haxhiqamil” për të revizionuar në
mënyrë më të sofistikuar figurën e Skenderbeut. Mirëpo, këto lëvizje nuk
po dënohen në mënyrën e duhur, madje dhe kultura shqiptare në këtë
drejtim po tregohet e dobët. Për shqiptarët sot, figura e Skenderbeut
duhet të jetë udhërrëfyesja për në Evropë, pasi kjo figurë tregon se si
shqiptarët janë ndjerë evropianë ndër shekuj, sepse edhe pse u pushtuan
nuk e braktisën asnjëherë këtë figurë. Pra, ata asnjëherë nuk e
braktisën aspiratën evropiane, dëshirën për të qenë në Evropë. Kjo duhet
të jetë arsyeja që ne, si shqiptarë, nuk duhet të pranojmë asnjë rrymë
apo lëvizje që kërkojnë të revizionojnë figurën legjendare të Gjergj
Kastriotit Skënderbeut.
titujt janar - shkurt 2005 |
|