ArqipeshkviaFamulliteInstitutet rregulltareZyra per martiretCaritasShtypi dioqezanFshati i paqesArkiv
 

 

 

 DITA 38-të  BOTËRORE E PAQES - 1 JANAR 2005

 

LIRIA NJERËZORE ËSHTË NË QENDËR TË DRAMËS SË MËKATIT

 

“Mos lejo të të mposhtë e keqja, por mposhte të keqen me të mirën” (Rom 12, 21)

 

Hyrje

Jam i gëzuar të paraqes Mesazhin që Shenjtëria e Tij, Papa Gjon Pali II ka dërguar për ditën e XXXVIII Botërore të Paqes 2005. Për këtë ngjarje, Ati i Shenjtë, ka zgjedhur dhe propozuar si temë reflektimi një pjesë prej Letrës drejtuar Romakëve: “Mos lejo të të mposhtë e keqja, por mposhte të keqen me të mirën” (Rom 12, 21).

Paqja përkufizohet si një “e mirë që duhet të nxitet me të mirën: ajo është një e mirë për personat, për familjet, për Kombet e tokës dhe për krejt njerëzimin; por është edhe një e mirë që duhet ruajtur dhe kultivuar nëpërmjet zgjedhjeve dhe veprave të mira” (nr.1).

Mesazhi i Papës është i ndarë në tri pjesë: në pjesën e parë, paqja vlerësohet në marrëdhënien e saj me të mirën morale; në të dytën, paqja shihet në marrëdhënien e saj me njërin prej parimeve tipike të doktrinës sociale të Kishës, me parimin e të mirës së përbashkët; në të tretën, paqja trajtohet në lidhje të ngushtë me përdorimin e të mirave të tokës dhe me një referim që ka lidhje me një tjetër parim të madh të doktrinës sociale, atë të qëllimit universal të të mirave.

1. E mira dhe e keqja: lidhja e tyre morale

Në qendër të dramës të së keqes ndodhet një protagonist: njeriu me lirinë dhe mëkatin e vet. E keqja nuk do të ndodhte nëse njeriu nuk do të ishte rrënjësisht i lirë. Liria njerëzore është në qendër të dramës së mëkatit.

Me vlerësimin e lirisë njerëzore, Ati i Shenjtë nuk pranon atë interpretim të ngjarjeve historike të njeriut, që karakterizohet nga vizioni i të keqes si “një forcë anonime që vepron në botë me anë të mekanizmave paracaktues dhe jopersonal”. Për të përvijuar profilin moral të së keqes, Papa shprehet me fjalët që kanë një efektshmëri dhe një ndikim të madh: “E keqja ka gjithmonë një fytyrë dhe një emër: fytyrën dhe emrin e burrave dhe të grave që lirisht e zgjedhin atë… E keqja, në fund të fundit, është një shmangie tragjike prej kërkesave të dashurisë, ndërsa e mira morale lind prej dashurisë, shfaqet si dashuri dhe orientohet prej dashurisë” (nr. 2).

Ati i Shenjtë ndalet në një pikë shumë të rëndësishme dhe vendimtare nëse shihet në horizontin e përgjithshëm të mësimit social katolik: për t'i bërë ballë shfaqjeve të shumëllojshme sociale dhe publike të së keqes, njerëzimi sot duhet të marrë prej trashëgimisë së përbashkët të vlerave morale të dhuruara prej Hyjit dhe duhet t'i referohet gramatikës së ligjit moral universal, pasi vetëm ajo është në gjendje t'i bashkojë njerëzit me njëri-tjetrin, edhe pse ata i përkasin kulturave të ndryshme.

Ati i Shenjtë dënon dhunën në përgjithësi dhe stigmatizon katër gjendje dhune të kohës sonë: konfliktet në Afrikë, situatën e rrezikshme në Palestinë, terrorizmin që duket se po e shtyn botën drejt një të ardhmeje plot frikë dhe ankth; dramën irakiane që shton paqartësi dhe pasiguri. Çfarë përgjigje mund t'i japim dhunës, kësaj të keqeje të papranueshme? Ati i Shenjtë, duke marrë disa tema të Mesazhit për Ditën Botërore të Paqes 2004, nxit një vepër të madhe për edukimin e ndërgjegjeve të aftë që të hapë për të gjithë, sidomos për brezat e rinj, horizontet e pafundme të humanizmit integral dhe solidar (krh. nr. 4).

2.  Paqja dhe e mira e përbashkët

Në këtë pjesë të mesazhit Ati i Shenjtë bashkon nxitjen e paqes me të mirën e përbashkët: “kur kultivohet e mira e përbashkët, kultivohet paqja”.

Pasi ka nxitur angazhimin e të gjithëve për të mirën e përbashkët por, sidomos të autoriteteve publike, Ati i Shenjtë lidh nxitjen e të mirës së përbashkët me respektimin e personit dhe të të drejtave të tij themelore, si edhe me respektimin e të drejtave të Kombeve në një perspektivë universale, duke kërkuar fillimin e një bashkëveprimi të vërtetë ndërkombëtar. Kjo pjesë e Mesazhit mbyllet me fjalët se e mira e përbashkët nuk duhet të zvogëlohet apo të merret thjesht si një mirëqenie socialo-ekonomike. Një gjë e tillë është e mundur nëse e mira e përbashkët mbetet e hapur në dimensionin e saj transhendent.

Për këtë qëllim, përmbledhja e doktrikës sociale, të cilën e kemi cituar më lart, përmban pohime shumë të qarta: “E mira e përbashkët e shoqërisë nuk është një qëllim në vetvete; ajo ka vlerë vetëm në lidhje me arritjen e qëllimeve të fundit të personit dhe me të mirën e përbashkët universale. Hyji është qëllimi i fundit i krijesave të veta dhe për asnjë arsye të mirës së përbashkët nuk mund t'i hiqet dimensioni i saj transhendent, që tejkalon, por edhe plotëson të mirën historike” (nr. 170).

3. E mira e paqes dhe të mirat e tokës

Pjesa e tretë e Mesazhit i kushtohet përdorimit të të mirave të tokës, që Ati i Shenjtë e trajton në kontekstin e parimit të doktrinës sociale të qëllimit universal të tyre. Gaudium ed spes thotë: “Hyji ia ka besuar tokën dhe të gjitha që gjenden në të, të gjithë njerëzve dhe të gjithë popujve, kështu që të mirat e krijuara duhet t'i gëzojnë të gjithë në mënyrë të barabartë, duke pasur si udhëheqëse drejtësinë dhe për shoqe dashurinë” (krh. nr. 69).

Papa, për të parën herë në doktrinën sociale, flet për parimin e nënshtetësisë botërore. Dy parimet  qëllimi universal i të mirave të tokës dhe nënshtetësia botërore  ndriçojnë njëri-tjetrin dhe përbëjnë, mund të themi, dy fenerë të fuqishëm dhe të aftë për t'i ndriçuar zgjedhjet politike të bashkësisë ndërkombëtare.

Ia vlen të lexojmë këtë pjesë nga Mesazhi i Papës: “Përkatësia në familjen njerëzore i jep çdo personi njëfarë nënshtetësie botërore, duke e bërë subjekt të drejtash dhe detyrash, meqënëse njerëzit kanë një origjinë dhe një fat suprem të përbashkët. Një fëmijë mjafton të ngjizet, që të jetë subjekt të drejtash, të meritojë vëmendje e përkujdesje dhe që dikush të ketë detyrën të kujdeset për të. Dënimi i racizmit, mbrojtja e pakicave, asistenca ndaj të mërguarve e refugjatëve, mobilizimi i solidaritetit ndërkombëtar në lidhje me të gjithë nevojtarët nuk janë veçse zbatime koherente të parimit të nënshtetësisë botërore” (nr. 6).

 Brenda këtij konteksti etiko-kulturor, Ati i Shenjtë flet për një seri çështjesh shumë urgjente:

1.  Përket përdorimit dhe qëllimit universal të këtyre të mirave që janë fryti i njohjes shkencore dhe i përparimit teknologjik.

2. Eshtë ajo që ka lidhje me të ashtuquajturat të mira publike. Ati i Shenjtë përmend disa: “Mjafton të mendojmë për luftën kundër varfërisë, për kërkimin e paqes dhe të sigurisë, për shqetësimin ndaj ndryshimeve klimatike, për kontrollin e përhapjes së sëmundjeve” (nr. 7);

3. Eshtë lufta kundër varfërisë, duke theksuar tre probleme: problemi i parë i përket borxhit të jashtëm të Vendeve të varfra. Ati i Shenjtë i pranon përparimet që janë bërë, por, në të njëjtën tokë, duhet të konstatojë me hidhërim se kjo“çështje nuk ka gjetur ende një zgjidhje të përshtatshme” (nr. 8); lufta kundër varfërisë sjell edhe një angazhim të përtërirë ndërkombëtar në frontin e financimit për zhvillim: “rrugëdalja e vetme vërtet e frytshme për t'u mundësuar këtyre Vendeve përballimin e çështjes dramatike të varfërisë” (nr. 9). Ati i Shenjtë ndalet në rëndësinë e Ndihmës Publike për Zhvillim  duke ftuar të gjitha Vendet për të respektuar angazhimet e marra për dhënien e 0,7% del PIL të të ardhurave vjetore për frymë për zhvillimin e Vendeve të varfra; në qendër të luftës për varfëri, Ati i Shenjtë vë Kontinentin Afrikan, i penguar në zhvillimin e tij nga probleme të shumta dhe të mprehta: konflikte të armatosura, sëmundje dhe kushte të mjerueshme jetese, paqëndrueshmëri politike dhe pasiguri sociale. Pjesa e Mesazhit papnor për Afrikën përmban tonet shprehëse tipike të gjuhës solemne që zbulon vetëdijen morale se janë duke u trajtuar çështje historike vendimtare për të ardhmen e njerëzimit. “Janë realitete dramatike që nxisin një ecje rrënjësisht të re për Afrikën: është e nevojshme t'u jepet jetë formave të reja të solidaritetit, në nivel dypalësh dhe shumëpalësh, me një angazhim më të vendosur të të gjithëve, në vetëdijen e plotë se e mira e popujve afrikanë përfaqëson një kusht të domosdoshëm për arritjen e të mirës së përbashkët të gjithmbarshme. Urojmë që popujt afrikanë ta marrin në dorë si protagonistë fatin e tyre dhe zhvillimin e tyre kulturor, civil, shoqëror dhe ekonomik! Afrika të reshtë së qeni vetëm objekt asistence, për t'u bërë subjekte përgjegjëse bashkëndarjesh bindëse dhe prodhuese!” (nr. 10).

 

Përfundim

Përballë skenarëve të tmerrshëm të përvijuar nga prania e të keqes, Ati i Shenjtë i fton të gjithë për ta ngritur shikimin drejt Hyjit që, në vdekjen dhe ringjalljen e Jezu Krishtit, e ka mundur të keqen me të mirën.

Në perspektivën e shpëtimit të Jezu Krishtit, “duke u bazuar në sigurinë se e keqja nuk do të mbizotërojë, i krishteri kultivon një shpresë të pamposhtme që e mbështet në nxitjen e drejtësisë dhe të paqes… së bashku me një besim të patundur në mundësinë për të ndërtuar një botë më të mirë” (nr. 11).

Duke rimarrë fjalët e para të Mesazhit Ati i Shenjtë pohon se “kur e mira fiton mbi të keqen, mbretëron dashuria dhe kur mbretëron dashuria mbretëron paqja”.

“Të krishterët duhet të jenë dëshmitarë të bindur për këtë të vërtetë; duhet të dinë ta tregojnë me jetën e tyre se dashuria është e vetmja forcë e aftë për të çuar në një përsosmëri personale dhe shoqërore, i vetmi dinamizëm që është i aftë ta bëjë historinë të përparojë drejt së mirës dhe paqes” (nr. 12).

Në vitin kushtuar Eukaristisë, Ati i Shenjtë e mbyll Mesazhin e Tij duke paraqitur vlerën sociale të Sakramentit më të madh të dashurisë: “Falë pjesëmarrjes në të njëjtën Bukë dhe në të njëjtin Kelk, mund të ndihemi 'familje e Hyjit' dhe së bashku t'i japim një ndihmesë specifike dhe të frytshme ndërtimit të një bote të bazuar në vlerat e drejtësisë, të lirisë dhe të paqes” (nr. 12).

 

 Angelo Massafra, Arqipeshkëv

 

 

titujt janar - shkurt 2005

 
 
> Kisha Katolike Shkoder 2008 <

webmaster