ArqipeshkviaFamulliteInstitutet rregulltareZyra per martiretCaritasShtypi dioqezanFshati i paqesArkiv
 

 

 

   MARTIRI  I PANJOHUR

Dom Mikel Gjergj Beltoja (1935-1974)

 

Selia Shenjte i ka kushtuar një vëmendje të veçantë martirëve shqiptarë dhe 5 nëntori në kalendarin Liturgjik është caktuar festa kushtuar këtyre martirëve.

Mikeli (Hil), i biri i Gjergjit dhe i  Prendës, u lind më 17 prill 1935 në  fshatin Beltojë. Sipas gjendjes civile  u lind më 9.05.1936. Mikeli, i cili në gjendjen civile kishte emrin Hil, kishte vëllezër  Gjokën, Ndocin, Kolën, Pjetrin dhe motrën  Rozën.

Shkollën fillore, katër klasë, i ka kryer në fshatin Beltojë, nga viti 1948-1951, kurse një vit pas një klasë unike në Berdicë. Ka bërë 7 muaj shkollë për arsimtar në Tiranë, pranë Shkollës pedagogjike. Pastaj në vitin 1954  1957 në Tiranë ka kryer shërbimin ushtarak. Pas këtij shërbimi është paraqitur tek Ordinari i Shkodrës, Imzot Ernesto Çoba, që të  regjistrohej në Seminar për t'u bërë prift.

Që nga viti 1959 e deri në vitin 1961, për tre vjet rresht, ka vazhduar shkollën fetare në kryedioqezën e Shkodrës, ku ka mbaruar filozofinë dhe teologjinë. Me 8 dhjetor 1961 u shugurua meshtar nga Imzot Ernesto Çoba. Në fundin e vitit 1961 u emërua meshtar në Dajç B. Bunës, ndërsa në nëntor 1964, famullitar në Barbullush deri më 22 shkurt 1967. Kur u mbyllën kishat e qitën përjashta dhe u kthye në shtëpi duke punuar në kooperativën bujqësore në Belaj deri ditën që u arrestua dhe u dënua me vdekje më 4. IX. 1973.

Jeta nëpër sprova

 “Nuk qajmë që i humbëm, por krenohemi që i kemi.”

Tashmë është e ditur nga të gjithë se Shqipëria pësoi diktaturën më të gjatë e më të rëndë në Evropë e pse jo edhe më tej, ashtu siç dihet fare qartë se Kleri katolik shqiptar ishte epiqendra e kësaj diktature.

Është shkruar e do të shkruhet  vazhdimisht për to, për  vlerat e kontributin e madh që dhanë e mjerisht edhe për shpërblimin aq të padrejtë që morën, me vrasjen e parë, atë  fizike e morale dhe, me vrasjen e dytë, harresen e tyre...

Tashmë ata janë në rrugën drejt shenjtërimit të tyre. Janë përzgjedhur rreth 40 dhe kanë mbetur  jashtë listës së parë disa prej tyre, që duhej të ishin dhe do të jenë në të ardhmen. Kanë mbetur thjesht se nuk mund të merreshin të gjithë, sepse procedura është e gjatë dhe njerëzit që merren me grumbullimin e materialeve janë mjaft të pakët, kushtet janë mjaft të vështira. Ndër ata që janë futur që në listen e parë, ka mjaft nga martirët e njohur, shkencëtarët e të mëdhejtë që Shqipëria njohu për veprat dhe funksionet e tyre.

Është i pari Dom Lazër Shantoja, i cili u pushkatua më 5 mars 1945 dhe është edhe i fundit, Dom Mikel Beltoja, i cili u pushkatua më 10 shkurt 1974. Ndërsa i pari është mjaft i njohur dhe i përmendur, ky i fundit,  në të kundërt, ishte mjaft  pak i njohur...

U njohëm dhe u miqësuam në vitet 1959  1960. Kishte ardhur të bënte privatisht arsimimin për meshtar. Në Arqipeshkvinë e qytetit të Shkodrës i kishin dhënë një dhomë për banim. Ne luanim çdo ditë në oborrin e madh pas Katedrales: njeri i qetë dhe i dashur, i qeshur dhe zemërmirë. Dilte për pushim në atë oborr dhe rrinim bashkë e bisedonim. Pastaj, ai largohej për të vazhduar studimin...

Më vonë rrugët u ndanë. Unë shkova në Tiranë për shkollimin tim, ai u shugurua meshtar nga Imzot Ernest Çoba. Pasi u ktheva, ai kishte ikur në fshatin e tij. “Akuzën e ngritur kundra meje e ndigjova por nuk e pranoj dhe për këtë kërkoj që të dal nga burgu menjihere se jam i pafajshëm!”

Erdhi shpejt viti 1967 që rrënoi gjithçka, ndër to edhe ëndrrat e tij të bukura për t'i shërbyer njerëzve...

Më pas një gjyq i bujshëm e dënoi rëndë. Mbajti një qëndrim burrëror. E pushkatuan... apo e mbytën ndër tortura, kush e mori vesh. Gjithçka bëhej atje brenda, ku siç thonin “edhe me të rënë kapelja, lere aty e ik…mos u ndal t'a marrësh se të del më keq e më rëndë…”

Diçka u shkrua për të dhe vdekjen e tij e mandej u duk sikur u harrua...

Por jo ... Kaluan afro tridhjetë vjet e ai sërish u pa…në Listat e Kanoninzimit të Martirëve Shqiptarë...

M'u ngarkua një detyrë, gjatë kryerjes të së cilës, u takova sërish me të. Ai kishte kohë që kishte vdekur, por mua, sa herë merrja dosjen e tij më dukej sikur jam me të… vuaj me të, dënohem me të…Sikur kujtonim miqësinë e shkurtër e të largët të asaj kohe kur ai ishte në kulmin e ëndrrave të tij. Prej dhjetorit të vitit 1961 kur ishte shuguruar meshtar e deri në marsin e vitit 1967 kur kishte marrë fund gjithçka, nuk kishin kaluar  as pesë vjet…kaq pak kohë. As pesë vjet meshtar zyrtarisht. Sigurisht e kishte vazhduar edhe më pas …fshehtas atë mision fisnik, por sërish fare pak, deri më 19 prill 1973, kur e arrestuan dhe e pushkatuan më 10 shkurt 1974. Përsëri rreth 5-6 vjet, ishin shumë pak.

Koha vërtet kaq e shkurtër, por vuajtja aq e madhe… në atë vit torturash e prove të papërshkrueshme. Sa i madh ishte bërë ai në ato qeli të errëta të sigurimit e sa të vegjël dukeshin ata që kërkonin ta dobësonin, ta nënshtronin, “Frangar non flectar”...e thyen, e vranë, e varrosën s'dihet ku e si, por s'e përulën… s'e nënshtruan…Ata ishin aq larg prej tij. Mendonin se do t'a bënin të mohonte Zotin, të cilit ai i besonte aq shumë, t'a bënin të diskretitonte me gojën e tij detyrën e misionin të cilit ai i shërbeu, por u befasuan nga qëndrimi i tij…Humbën durimin… e masakruan për së gjalli, por ai nuk thyhej. Kryqëzimi ishte aq pak e aq shpejt në krahasim me  torturat e stërzgjatura e të lënit  gjallë…

Le t'i hedhim një sy Dosjes që lidhet me këtë martir aq pak të njohur dhe të shohim, çfarë ndodhi atje brenda, vetëm për vetëm me të…

Ishin shumë kriminelë, torturues e gjykues, ndërsa ai ishte vetëm me Zotin, të cilit i besonte dhe i falte jetën… Një ekip i tërë për ta asgjësuar. Ai i vetëm për të qëndruar.

 Dosja e  tij mban  Nr. 22796. Kalvari, si zakonisht fillon me arrestimin që e shoqëron një Proçes Verbal. Mbi ndalimin e qytetarit Hil Gjergji në qytetin e Shkodrës me dt. 19.4.1973, ora 14.30, i ndjekur nga një tjetër.

Proçes Verbal i Hetimit, i datës  23 qershor 1973. Sigurisht torturuesit janë të tjerë dhe nuk përmbahen në proces verbale… ku sipas tyre,  njeriu  duhet të thotë “të vërtetën”…

Torturat çnjerëzore nuk e kanë përkulur. Nga dokumentet e arkivit njeriu befasohet për atë qëndrim burrëror, në mbrojtje të Fesë dhe besimit të tij në Zotin, në mbrojtjen e idelave te tij, të shokëve të tij të martirizuar para tij në ato qeli të burgut.

Ai, jo vetem e tha atë që kishte në shpirt e në zemër, brenda dhomave të hetuesisë, por edhe në sallën e gjyqit. Ai  e shkroi atë edhe në muret e ftohta të qelive... Me germa shqip e latinisht  ndër mure u gjetën të shkruara: “Ateizmit ju djegtë fara! Fesë së Krishtit ju priftë e mbara!Poshtë ateizmi! Poshtë feja e Enverit; Shndritë Shqipnija dhe bota e Krishtit ( kryqit T) e Klerit! Ateizmi i pafè,  katil, mizor i padrejtë, i paatdhè!” I burgosuni Hil Gjergji.

Ndërsa latinisht:

 “ Ave T crux,

Quia per sanctam crucem Tuam redemisti Mundem 1904,1090703 2106,1090 703” 

Dhe katilët nuk e dinë e pyesin dhe ai u tregon se me ato fjalë duan të thonë:“ Të falem o kryq sepse nëpër krygjën tande shëlbove botën mbarë”

Ndersa numrat janë: Data e arrestimit, pra  19.4.1973, ndërsa e dyta, data  e shkrimit  të këtyre frazave në faqet e murit 21.6.1973, dita që ka shkruar frazat e mësipërme, (zerot kanë zëvendësuar  vizat që ndajnë numrat. Vijon hetimi 29 qershor 1973. E pyesin për qëllimin e atyre  shkrimeve  e ai përgjigjet: - “Poshtë ateizmi, poshtë ideja e Enverit.  Kam dashtë të them që të zhduket ai që ka rrenue  shpirtin dhe zemrat e besimtarëve. Ky, sipas meje ka pasë domethënien  që duhet të zhduket Enver Hoxha!” - “Po pse në mur e jo në letër!?”  “Që të lexohen nga sa më shumë të tjerë që të jetë e mundur!”

...E vranë, duke menduar se e asgjësuan përfundimisht...Gabuan... Ai sot është në Listën e Kanonizimit për Martir....Të tjerët që pushkatuan atë u vranë nga vetë kolegët e tyre, edhe ata si armiq... duke hyrë në listën e turpit... Ndërsa ai iu  dha  një mësim të madh... e pra s' ishte tjetër veçse një prift shumë i vogël... martir.

Janë dhjetëra faqe që tashmë dalin në dritë... e flasin kaq shumë... Të tjera, edhe më shumë bëhen ortek, me dëshmitë nga ata që e njohën.... e që i lusim të na i japin, qofshin ata kujtime, dokumenta, shkrime, të cilësdo natyre qofshin ata... Ne i presim me kënaqësi, sepse kemi të tillë detyrën e ngarkuar.

Ai si dhe shumë të tjerë kolegë të tij, është tashmë martir, sepse e ka vulosur atë me jetën e tij, me gjakun e tij...

Ne nuk na mbetet tjetër veç të përgatisim Dosjen e tij të nderit... të kanonizimit, në kundërshtim me atë Dosje të ndyrë që e mundoi, e përbalti,  e vrau…

Kjo ishte historia e dhimbshme e një martiri të panjohur, të fundit të radhës...

 

 

titujt janar - shkurt 2005

 
 
> Kisha Katolike Shkoder 2008 <

webmaster