|
|
POROSIA
E SHENJTËRISË SË TIJ GJON PALI II PËR
KRESHMET 2005
GJON PALI
II, Vatikan, më 8 shtator 2004
Shumë të
dashur Vëllezër dhe Motra!
1. Çdo vit
Koha e Kreshmeveç na paraqitet si një kohë e volitshme për ta shtuar
lutjen dhe pendesën tonë, duke ia hapur zemrën pranimit të ëmbël të
vullnetit hyjnor. Kjo kohë na paraqitet si një itinerar shpirtëror që na
përgatit për ta rijetuar misterin e madh të vdekjes dhe të ringjalljes
së Krishtit, sidomos nëpërmjet dëgjimit më të vëmendshëm të Fjalës së
Hyjit dhe praktikimit më bujar të pendesës, falë së cilës mund t’i vijmë
në ndihmë të afërmit që ka nevojë.
Është
dëshira ime t’ju propozoj këtë vit, shumë të dashur Vëllezër dhe Motra,
një temë kaq aktuale, që ilustrohet kaq mirë prej rreshtave të librit të
Ligjit të përtërirë: “Ai është jeta jote, gjatësia e ditëve të tua” (Lp
30, 20b). Janë fjalët që Moisiu ia drejton popullit për ta ftuar atë që
të lidhë një besëlidhje me Hyjin në Moab: “që të jetosh ti e
trashëgimtarët e tu, e duaje Zotin, Hyjin tënd, dëgjoje zërin e Tij,
qëndroji besnik” (Lp 30, 19c-20a). Besnikëria ndaj kësaj besëlidhjeje
është për Izraelin garanci për të ardhmen: “që të banosh në tokën për të
cilën Zoti iu përbetua etërve të tu Abrahamit, Izakut e Jakobit, se do
t’ua japë” (Lp 30, 20c). Arritja në moshën e pjekur, në vizionin biblik,
ishte shenjë mirësie dhe bekimi nga ana e Tejetlartit. Për këtë
jetëgjatësia paraqitet si një dhuratë e veçantë hyjnore.
Mbi këtë
temë do të doja t’ju ftoja të reflektonit gjatë Kreshmeve, për të
thelluar kështu vetëdijen e rolit të të moshuarve në shoqëri dhe në
Kishë, si dhe për ta përgatitur shpirtin që t’i mirëpritni gjithmonë me
dashamirësi. Në shoqërinë e sotme, edhe falë kontributit të shkencave
dhe të mjekësisë, po përjetojmë një zgjatje të jetës njerëzore dhe si
rrjedhojë, edhe një shtim të numrit të të moshuarve. Kjo kërkon me ngut
një vëmendje më të kujdesshme për të ashtuquajturën moshë “të tretë”,
për t’i ndihmuar ata që t’i jetojnë në mënyrë më të plotë potencialet e
tyre, duke i vënë këta potenciale në shërbim të bashkësisë. Besimtarët
dhe, sidomos Bashkësitë kishtare të shoqërisë perëndimore, ku problemi
është veçanërisht i pranishëm, duhet ta kenë për zemër kujdesin ndaj të
sëmurëve, veçanërisht në çastet e tyre të vështira.
2. Jeta e
njeriut është një dhuratë e çmueshme, të cilën duhet ta duam dhe ta
mbrojmë në çdo fazë të saj. Urdhri “Mos vra!” kërkon që jeta të
respektohet dhe të nxitet gjithmonë, që nga fillimi deri në vdekjen e
saj natyrore. Është një urdhër që vlen edhe kur personi është i sëmurë,
edhe kur dobësimi i forcave ul aftësitë për autonomi. Nëse plakja, me
kushtëzimet e saj të pashmangshme, pranohet me qetësi në dritën e fesë,
mund të bëhet rast i çmueshëm për të kuptuar më mirë misterin e
Krishtit, që i jep domethënie të plotë ekzistencës njerëzore.
I moshuari
ka nevojë të kuptohet dhe të ndihmohet në këtë perspektivë. Dëshiroj të
shpreh vlerësimin tim për ata që punojnë për plotësimin e nevojave të
tyre dhe ftoj edhe të tjerë, që të përfitojnë nga koha e Kreshmeve për
të dhënë edhe ata kontributin e vet në këtë çështje. Kjo do të bëjë të
mundur që shumë të moshuar të mos e ndiejnë veten si një peshë për
bashkësinë dhe nganjëherë, edhe për vetë familjet e tyre, në një situatë
vetmie që i shtyn ata të mbyllen dhe të ligështohen.
Në
opinionin publik duhet të rritet vetëdija se të moshuarit në çdo rast
janë një burim për t’u vlerësuar. Për këtë, duhet të shtohet mbështetja
ekonomike dhe nismat legjislative që u krijojnë mundësi për të mos u
përjashtuar nga jeta shoqërore, e cila në dhjetëvjeçarët e fundit është
bërë më e vëmendshme ndaj nevojave të tyre dhe mjekësia ka zhvilluar
kura qetësuese të përkohshme që, me një përçapje integrale ndaj të
sëmurit, rezultojnë veçanërisht të dobishme për jetëgjatët.
3. Koha më
e shumtë që të moshuarit kanë në dispozicion në këtë fazë të
ekzistencës, u jep mundësi atyre që të përballen me pyetjet e thella, që
ndoshta më parë i kishin lënë pas dore, për shkak të interesave të
ngutshme apo të konsideruara si parësore. Duke pasur vetëdijen se i janë
afruar fundit, të moshuarit përqendrohen në atë që është thelbësore,
duke i dhënë rëndësi asaj që vitet nuk arrijnë ta shkatërrojnë.
I moshuari,
pikërisht për shkak të këtyre kushteve mund të zhvillojë një rol të
vetin në shoqëri. Nëse është e vërtetë që njeriu jeton me trashëgiminë e
atij që e ka paraprirë, dhe e ardhmja e tij varet në mënyrë përcaktuese
prej mënyrës se si i janë përçuar vlerat e kulturës së popullit të cilit
i përket, urtia dhe përvoja e të moshuarit mund ta ndriçojnë ecjen e tij
në rrugën e përparimit drejt një forme qytetërimi gjithmonë e më të
plotë.
Sa i
rëndësishëm është zbulimi i këtij pasurimi të ndërsjelltë mes brezave të
ndryshëm! Koha e Kreshmeve, me ftesën e saj të fortë për bashkëndarje
dhe solidaritet, na çon këtë vit që t’i vëmë në fokus këta tematika të
rëndësishme me interes për të gjithë. Çfarë do të ndodhte nëse Populli i
Hyjit do të dorëzohej përpara një lloj mendësie të sotme që i konsideron
gati të kotë këta vëllezër e motra, atëherë kur aftësitë e tyre
pakësohen nga mosha apo sëmundjet? Sa e ndryshme do të ishte bashkësia,
sikur, duke nisur nga familja, do të kërkonte të ishte gjithmonë e hapur
dhe mirëpritëse ndaj tyre!
4. Shumë të
dashur Vëllezër dhe Motra Gjatë kohës së Kreshmeve, të ndihmuar nga
Fjala e Hyjit, të reflektojmë se sa e rëndësishme është që çdo Bashkësi
t’i shoqërojë me një mirëkuptim dashamirës këta të moshuar. Gjithashtu,
duhet të mësohemi të mendojmë me besim mbi misterin e vdekjes, me qëllim
që takimi përfundimtar me Hyjin të ndodhë në një klimë paqeje të
brendshme, në vetëdijen se ai që do të na mirëpresë është Ai “që na ka
endur në kraharorin e nënës” (krh. Ps 139, 13b) dhe që na ka dashur “në
shëmbëlltyrën dhe në përngjasimin e Vet” (krh. Zan 1, 26).
Maria,
udhëheqësja jonë,në itinerarin e kohës së Kreshmeve, i drejtoftë të
gjithë besimtarët, sidomos të moshuarit, për një njohje gjithnjë e më të
thellë të Krishtit të vdekur dhe të ringjallur, që është arsyeja e
fundit e ekzistencës sonë. Ajo, shërbëtorja besnike e Birit të vet
hyjnor, së bashku me Shenjtërit Ana dhe Joakin, ndërmjetësofshin për
secilin prej nesh “tani e në fill të vdekjes sonë”.
titujt janar - shkurt 2005 |
|