|
|
ABAT PRENGË DOÇI
(1846-1917)
Me rastin e 88 vjetorit të vdekjes të bariut të vyer, letrarit të shquar
Prengë Doçi
Hyrje
Jeta dhe
vepra e Abat Doçit, ndahet në disa periudha. Periudha e parë i përket
kohës kur Preng Doçi ishte meshtar i ri dhe plot vrull. I frymëzuar nga
meshtarët e zelleshëm dhe atdhetarë, që në rini vihet në ballë të punës
meshtarake dhe atdhetare; periudha e dytë kur ai, si i pjekur kalon
nëpër burgje dhe në mërgim; periudha e tretë kur ai mori detyrën e
Abatit, dhe si prelat i lartë dhe diplomat i pjekur udhëhoqi Abacinë, e
cila ishte në rangun e një dioqeze dhe këshillonte mendjen shqiptare të
rilindasëve; periudha e katërt, kur abati me mençurinë e vet i bëhej
krah Qeverisë Shqiptare, e cila gjatë luftave ballkanike dhe Luftës së
Parë Boterore gjendjej në sprova të rënda qeverisje.
Kush
ishte Abati i nderuar
Preng (d)
(k) Doçi (Dochi), lindi më 7 shkurt vitit 1846, nga baba Për (Pren apo
Pjetër) dhe nëna Mria (Maria) në lagjen e Parasporit, në luginën më të
bukur në botë, atë të Bulgrit, siç e quante këtë luginë, romancieri i
njohur Fabian Barkata, në romanin e vet Lule. Lugina e Bulgrit, gjendet
në rrjedhën e poshtme të lumit të njohur të Fanit. Kurdo, në çdo stinë
të vitit, në këtë luginë syri sheh vetëm blerim, dhe përreth e qark syri
vëren një rreth të bukur pyjor. Në këtë luginë duke u shoqëruar më
gurgullimën e lumit Fan të Mirditës, i cili krijonte tinguj të bukur
kumbues, nisi Prendi i vogël, të dashurohej me vendlindjen.
Hapat e
parë të njohurisë më Kishën dhe më germat e abetares, Prendi i bëri së
bashku më të emën duke shkuar në Kallmet, ku ishtë rezidenca ipeshkvnore
e Lezhes. Aty vazhdoi të qëndronte për disa vite deri sa përfundoi
shkollën fillore. Në moshën 14 vjeçare, pikërisht në vitin 1856 hyri në
Seminarin Papnor të Shkodrës, ku qëndroi deri më 1861. Në Seminar u
dallua për zell dhe mësime të mira, kështu në vitin 1861 u dërgua në
Kolegjin Urban të Romës për studimë të larta teologjike. Gjatë studimëve
në Romë, pati rastin të njihej më letërsinë Arbëreshe, historinë e
Shqipërisë dhe poetin e madh Jeronim De Rada.
Veprimtaria meshtarake
Pas
përfundimit të studimeve në vitin 1871, Dom Preni i pajisur më njohuri
u kthye në Shqipëri, dhe pa u çmallur me të afërmit dhe vendlindjen u
caktua famullitar në Korthpulë.
Krahas
kujdesit për gjendjen shpirtërore të popullit, ai shqetësohej shumë për
gjendjen e vështirë të mirditasve nën zgjedhën Osmane. I frymëzuar qysh
në fillim të rinisë së vet me idenë e thjeshtë atdhetare, sapo shkeli në
tokën e të parëve, në Mirditë, për shkak të trysnive të vazhdueshme të
pushtuesve, krahas përkujdesit shpirtëror të besimtarëve u dha pas
çështjes kombëtare. Ai, çështjen kombëtare e përforcoi edhe kur ishte si
kapelan dhe sekretar tek Abati i Oroshit, dom Gasper Krasniqit gjatë
viteve 1872-1875.
Kryengritja
e viteve 1876-1977, të mirditasve kundra osmallinjve, ishte rezultat i
organizimit të dom Prekë Doçit dhe bajraktarit të Mirditës Preng Bibë
Dodës. Puna rreth këtij organizimi bëri që ipeshkëvi i dioqezës së
Lezhës, Françesko Malçinski, shtetas austriak me kombësi nga Ukraina, ta
suspendonte (shkishëzontë) dom Prengun nga shërbimët meshtarake. Dom
Prengu, duke qenë tashmë i vëtëdijshëm së çfarë mendimi ka ipeshkvi për
të, duke mos kërkuar mëshirë nga ai, mori arratisjen në mal së bashku
me shumë bashkfshatarë. Kështu në muajin maj të vitit 1877 dom Prengu së
bashku me disa shokë u nisën nëpër shtigje malore për të shkuar në
Cetinë dhe më larg. Por udha e tij ishte shumë e shkurtër sepse në
Vuthaj të Guicë u zu nga ushtarët turq dhe prej andej e dërguan në Pejë
dhe më në fund në Stambol të Turqisë. Nga kjo ditë për dom Prenkë Doçin,
31 vjeçar rifilloi një jetë me plot sprova, e cila do të zgjaste plot
njëmbëdhjetë vjet, duke kaluar nëpër tre kontitente të botës.
Prend
Doçi 11 vjet në mërgim
Pasi u
dërgua në burgun e Stambollit, falë një bashkëvendasi, Nikollë
Përlaskajt, i cili kishte qëlluar roje nëburgun e Konstadinopolit të
atëhershëm, Doçi arriti të kontaktojë me patriarkun katolik të këtij
kryeqyteti, armenin Stefan Azarjan, i cili sapo u njoftua për këtë
çështje ndërmori aksionin për ta liruar dom Prendin. Në fund ia doli
kësaj pune në krye dhe Doçi u lirua nga burgu me kusht që të largohej
jashtë perandorisë osmane. Dhe i gëzuar pa masë, dom Prendi me ëndje u
nis për në Romën e endërruar. Ai më 7.VII. 1877, nga Roma i dërgoi
letër arqipeshkvit të Shkodrës duke i lajmëruar se mrekullisht doli nga
kthetrat e ushtarëve turq dhe se tashmë gjendej në Romë, në Kolegjin
Urbano ku i kishte përfunduar studimet e veta.
Meqenëse e
kishte të ndaluar të kthehej në Shqipëri, Doçi duke e marrë miratimin
nga Selia e Shenjtë u nis për mision në Tokën e Re (Amerikë) në vitin
1877. Ishte ky shqiptari i parë që shkeli kontinentin e ri. Dom Prendi
duke qëndruar në anën tjetër të rruzullit tokësor, nga malli për vendin
e vet shpesh në mengjes i drejtohejdiellit: “Ç'prune prej dheut të
Evropës? A mi ke pa ata të mijët?” Nërsa në mbrëmje thoshte: “Mule e mu
ço shnet atyne të mijve atje nalt ku vet e di?”
Për
qëndrimin e Doçit në provincën kanadeze Brunswick, dëshmoi edhe gazeta e
kohës “The morning Freeman”, të Brunswickut më 22 tetor të vitit 1881.
Në kujtimet e disa priftërinjve kanadezë Doçi paraqitet si një
shembull shumë interesant i atdhedashurisë.
Në vitin
1883, dom Prendin e kishn thirrur në Evropë me shpresa kthimi në
Shqipëri. Kështu ai më 2 prill të viti 1883 u gjend në Romë. Për të qenë
sa më afër Shqipërisë, Selia Shenjtë e dergoi më 5 maj po të këtij viti
misionar në Tivar, ku ndejti plot gjashtë muaj. Por, përkundraj
përpjekjeve që bëri Selia Shenjte dhe kryeipeshkvi i Shkodrës P.
Guerrini, për t'ia mundësua kthimin në vendlindje, Doçi me plot hidhërim
u detyra të marrë anijen e përgjatë brigjeve të Shqipërise të merrte
rrugën për në Athinë. Për shkat të shpifjeve të cilat i bënte Ipeshkvi i
Lezhës, Malçinski drejtuar për nga Stambolli dhe Roma, Dom Prendi në
vitin 1884, u detyrua përsëri të largohej nga Evropa, për të marrë rrugë
tashmë në kontinentin e Indisë, pikërisht në Bombei, i caktuar sekretar
i kardinalit Antonio Agliardi. Atje, si njohës i mirë i italishtes,
latinishtes dhe frëngjishtes, zuri një vend të merituar mes të
intelektualëve të Bombeit.
Kthimi
në vendlindje
Sado që
ishtë mirë nëpër vende të cilat ishin të lira, Doçi nuk gjente prehje e
qetësi. Dëshira e tij e vetme ishte të kthehej në Shqipëri. Kështu pas
kërkesave të parreshtura nga ana e tij, nga Bombei dhe Roma për tu
këthye në vendlindje, më 6 nëntor 1888, i shoqëruar nga djem të
Mirditës, i pritur katund më katund, tashmë si abat i Abacisë Nullius
(Abaci e veçantë) të Mirditës, mbërriti në Orosh.
Papa Leoni
i XII me dekretin “supra montem Miriditarum”, datë 25 tetor 1888, e
kishte përtrirë Abacinë e Shën Lleshdrit, duke e shkëputur nga
jurisdikcioni e ipeshkvisë të Lezhës, duke e lënë drejtpërdrejt të varur
nga Selija e Shenjte. Sipas atij dekreti, Abacia që përbëhej prej
famullive te Oroshit e të Spaçit, i shtoheshin edhe pesë famulli të
tjera të shkëputura nga Diqeza e Lezhës: Ndërfanda, Kalivarja, Qafa e
Malit, Blinishti e Fandi. Kongregacioni i Shenjt i Propogandës, me
dekretin “Ssmus D:N:Leo “, datë 27 tetor 1888 , lajmëronte Dom Prengë
Doçin së Papa Shejt e kishte zgjedhur Abat të Mirditë.
Duhet
theksuar se kësaj Abacie iu shtuan edhe disa famulli të tjera, me dekret
të 30 shtatorit 1890, të Selisë së Shenjte: Vigu, Mnela e Gomsiqa, duke
i shkëputur nga dioçeza e Sapës. Me dekret të 31 marsit 1894 Selia e
Shenjte i shtoi edhe pesë famulli të tjera, shkëputur nga dioçeza e
Lezhës: Kashnjetin, Korthpulen, Shën Gjergjin, Ungrejt e Kaçinarin dhe
me dekret 2 korrik 1906 Abacisë iu shtua edhe Gryka e Gjadrit që i
përkiste Sapës. Abati qëndroi 28 vjet në detyrën e bariut të mirë.
Veprimtaria letrare
Abati Prend
Doçi, përvese një diplomat i shquar, nderohej edhe si poet dhe letrar.
Poezinë dhe prozën e shkroi me një gjuhë të rrjeshshme dhe të përdorur
mirë, duke i botuar në Kalendarin Vepra Pijore, të vitit 1916 dhe
Kalendar për të Gjithë, të vitit 1925. Ai edhe pse në të shumtën e
rasteve shkroi pa emër, ka publikuar rreth 32 vepra. Ndër të tjera edhe
fjalorin e dom Dodë Koletsit të botuar për nëntë vjet nga shoqëria
“Bashkimi”. Doçi me themelimin e shoqërisë “Bashkimi” në vitin 1899 dhe
të ortografisë shqipe me germa latine, zë vend të merituar në
literaturën shqiptare. Përveç librave të botuar prej kësaj shoqërie,
kemi edhe Alfabetin që Kongresi i Manastirit, i mbajtur në nëntor të
1908 ës, që u miratua më pak ndryshime. Abati cilësohet edhe si
mbrojtës dhe nismëtar i hapjes së shkollave shqipe në Mirditë e
rrethina.
Vdekja e
Abatit
Më 17
shkurt 1917 duke dalë nga dhoma e nxehtë për të shëtitur në mes të
murlanit, në oborr të Abacisë, abati ndjeu një dobësi! Rrëzohet !E ndien
veten keq! E vizitojnë dy mjekë austriakë që ndodheshin në Orosh me
ushtri. Diagnoza: bronkopolmoni e dobësim zemre! “I ka ditët e
numëruara!”, thanë mjekët! Lajmërohet kleri e të afërmit. Abat Doçi
kujtohet e thotë: dies annorum nostrorum septuaginta anni, (që jeta e
një njeriu është normalisht shtatëdhjetë vjet, (Ps. 89.10)”, të cilat i
kishte mbushur e kaluar. Thërret Dom Zef Skanen; ai e rrëfen, ia ndan
kungimin dhe sakramendin e vajimit. Kështu i bërë gati, vdekja i arriti
me 22 shkurt 1917, në orën 14.30.
Vdiq bariu
i mirë, letrari, atdhetari, duke ia ndërtuar vetes monumentin me vepra
të pavdekshme.
titujt janar - shkurt 2005 |
|