|
|
SHIROKA - NJË LASHTËSI E HERSHME
Hyrje
Për
përgatitjet për Jubileun e vitit 2000, nuk lashë pas dore edhe punën në
famullinë ku aktualisht shërbej: Shirokën. Edhe këtu synimi im ishte që
të përfundoj një material histori për këtë famulli të lashtë, afër
qytetit të Shkodrës. Edhe kësaj here, u mbështeta në kujtimet e të
moshuarve, si dhe në disa burime të publikuara. Si përherë, i palodhur u
tregua në redaktimin e materialit edhe studiuesi Lec Zadeja. Jemi të
bindur se kjo punë që po bëjmë, është hapi i parë i një pune të madhe që
duhet bërë në të ardhmen si nga unë ashtu edhe nga ata që do të vijnë
pas meje, me qëllim që të bëjnë pasurimin e mëtejshëm të tij.
Shkruar në
kronikën e tij të vitit 1999,
Dom Mario
Baglio
ish
famullitari kësaj famullie
I. Të dhëna
historiko-gjeografike për Shirokën
Kush e njeh
liqenin e Shkodrës, që në të kaluarën quhej “Lacua Labeatis”, nuk ka se
si të mos e njohë edhe fshatin piktoresk të Shirokës, 7 km në perëndim
të Shkodrës, pranë malit të Taraboshit, dikur me 1.000 banorë (viti
1920), pjesa më e madhe e të cilëve ishin katolikë.
Ky fshat,
në afërsi të qytetit, lidhet me Shkodrën me rrugë automobilistike, dhe
pasi kalon Urën e Bunës, merr drejtimin djathtas, pa iu larguar malit të
Taraboshit, rrëzë të cilit, në të kaluarën kanë qenë katër kisha: ajo e
shën Premtes në Lavrend, e shën Mërisë Magdalenë, e shën Kollit (për
ortodoksët) dhe e shën Ndout, në të cilën festoheshin më 2 gusht ndjesa
e Shën Françeskut dhe më 17 janar shën Ndou Abat.
Banorët e
këtij fshati mendohet të kenë ardhur nga Kraja, Shestani, Ljarja,
Berati, etj.
Disa emra
të personaliteteve të shquara të këtij fshat janë: Imzot Gjergj Volaj,
atë Viktor Volaj (i vëllai), atë Anton Harapi (Nogaj), dom Pjetër Tusha
(Nogaj), dom Nikollë Radovani, dom Zef Shestani, kardinal Mikel Koliqi,
prof. Ernest Koliqi, dr. Frederik Shiroka etj.
II.
Famullia dhe famullitarët e Shirokës në vite
Ashtu si
shumë famulli të arqidioqezës së Shkodrës, edhe ajo e Shirokës, rezulton
se ka një lashtësi të hershme. Kjo jo vetëm që pohohet nga të moshuarit,
por dokumentohet edhe me materiale arkivore e të botuara. Në relacionet
e Imzot Pjetër Bogdanit, te vitit 1662, 1665, 1666, 1670, Shiroka
rezulton si famulli dhe dom Anton Vladanjin si misionar.
Prej Amzave
të famullisë figurojnë emrat e klerikëve që kanë shërbyer në famullinë e
Shirokës nga viti 1892, e në vazhdim si: Dom Pjetër Shkreli dhe dom Zef
Gurakuqi; në vitin1901, Dom Nikollë Radovani dhe më pas dom Pjetër
Ivanoci; 1903, Dom Paskual Bardhi, me origjinë nga Australia; 1904, Dom
Gjon Bushati; 1910, Dom Mati Begu; 1911, Dom Mark Shllaku, i cili
qëndroi gjatë në Obot e shumë të tjerë deri në mbylljen e saj në vitin
1967.
Mendohet se
devocioni për Shën Rrokun i përket kohës së venecianëve. Ekzistonte një
kishë e vogël në nder të shën Rrokut, historia dhe origjina e së cilës
nuk njihen, por shihet e pikturuar shumë qartë në flamurin e përdorur në
procesionin e Shën Rrokut që i përket gjysmës së shek. XVIII. Me siguri
dihet se në fillim të vitit 1900, famullitari dom Gjon Bushati, në vitin
1906, kërkoi nga arkitekti i famshëm Kol Idromeno rindërtimin dhe
zgjerimin e kishës së Shën Rrokut. Kisha, edhe nga pikëpamja artistike,
ishe shumë e bukur me një navatë të vetme me qemer, 20 m me 12 m, e
ndarë anash me kolona të luguara për së gjati, me harkthe dhe me
shtyllakë në 5 sektorë nga 4 metër secili me përmasa shumë të sakta, me
një akustikë shumë të mirë dhe me dy dalje anësore, dhe shumë korniza
zbukuronin kishën nga brenda. Më vonë u vendos edhe një kambanare, një
kullë katrore rreth 30 metër e lartë me tri kambana, me orë në katër
anët, si dhe me një shkallë të brendshme.
III.
Festimi i ditës së shën Rrokut, pajtorit të kësaj Kishe
Kjo famulli
tradicionalisht ka si pajtor shën Rrokun, festë që çdo vit përkujtohet
më 16 gusht. Ceremonia hapet me procesionin tradicional që bëhet para
Meshës, e cila zakonisht udhëhiqet jo nga famullitari, por nga një
klerik i një famullie tjetër, i ftuar për të mbajtur tri homeli, gjatë
malit Tarabosh, me tri ndalesa, njëra nga të cilat ende sot emërtohet
“Mandi i shna Rrokut”.
Z. Nik
Pavaci, ka qenë i pranishëm gjatë homelisë së mbajtur me datë 16 gusht
1944, nga kleriku dom Ndre Zadeja, në atë kohë famullitar në Sheldi. Ja
çfarë kujton ai: “Dom Ndre Zadeja, në fund të predikimit vulosi në
kujtesën time dhe të mijëra pjesëmarrësve të tjerë një gjest shumë
domethënës. Duke treguar me dorë nga veriu i liqenit të Shkodrës në
drejtim të Serbisë dhe sllavizmit të kuq të veriut tha këto fjalë
historike dhe parashikuese: 'Dy fjalë i kam me ju, sidomos me rininë:
një re e zezë me një ideologji të kuqe po vjen mbi kokat tuaja, ajo ka
ndër mend të shprazet mbi ju, por atëherë s'keni me pasë se çka me i ba
veçse me i bajtë dhe me i sprovue, se përveç të tjera të këqija që ajo
ka, mohon edhe Zotin'. Unë atëherë - vazhdon autori - po mbushja 12
vjeç”
Në
procesionin tradicional të ditës së shën Rrokut, besimtarët këndojnë së
bashku këngën e këtij shenjti, e cila u hartua nga një meshtar shkodran
qysh në vitin 1849, pikërisht në një ngjarje të shënuar, kur në fshat u
përhap “murtaja”, e cila shkaktoi shumë viktima, veçanërisht në lagjen
“Ana e Përroit të Plenit”.
Sipas
dokumentacionit të kohës rezulton se në Shirokë ekzistonte një ndër
shkollat e para shqipe.
Ja si
shkruan i nderuari Sandër Troshani: «Ndër dokumentet që kam mundur të
gjej, ndër më të rëndësishmit që shkruhen për popullin e këtij vendi,
është ai i datës 8 janar 17(9)60, nxjerrë prej regjistrit të famullisë
së Shirokës fq.22, ku shkruhet: “Shkolla ose mësojtorja për djemtë,
filloi në vjeshtën e vitit 1874 kur në fshatin Shirokë prifti katolik
dom Zef Ashta qe i pari që hapi shkollën fillore (ose mësojtoren) e
djelmërisë së këtij fshati…”».
Nëse
shkolla për djemtë filloi në vitin 1874, ajo për vajza u hap në vitin
1907, nën drejtimin e murgeshave Stigmatine, të cilat u kujdesën edhe
për thirrjet rregulltare femërore.
Shkolla
vetëm për djemtë është drejtuar nga famullitari dom Zef Ashta, kurse ajo
e femrave nga motrat Stigmatine, të cilat kanë jetuar në një kuvend të
veçantë, rreth dyqind metra nga Kisha.
IV. Mbyllja
e kishës dhe ngjarjet e vitit 1967
Prilli i
vitit 1967, për besimtarët e kësaj famullie mbahet mend dhe do të
kujtohet në vite si data e mbylljes së kishës dhe e ndalimit të
veprimtarive fetare në formë të hapët. Natyrisht, vala e ngjarjeve të
hidhura të vitit 1967 nuk lanë në këmbë as kishën e famullisë së
Shirokës.
Mesha e
fundit në këtë kishë u kremtua nga i ndjeri dom Mark Hasi, me rastin e
Krishtlindjes të vitit 1966.
Në vitin
1967 kisha u mbyll dhe u kthye në shtëpi kulture me dy kate, kambanarja
u shemb. Një “fat” të përafërt pati edhe zyra famullitare, në të cilën
banuan tri familje.
U zhduk
edhe ora që ishte vendosur në kambanare, dhuratë e z. Ndrekë Mini, e
cila thuhet se u dërgua në Gjirokastër apo Elbasan. U zhdukën edhe 3
kambana: e vogla u vendos në malin e Taraboshit për sinjale alarmi,
kurse dy të tjerat nuk dihet ku përfunduan. Bashkë me këto u zhdukën apo
u dërguan në Shkodër edhe truporet e shën Rrokut, të shën Kollit, të
shën Ndout dhe të Zemrës së Krishtit.
Po çfarë u
bë me ndërtesën e kishës dhe me atë të Kuvendit të Motrave Stigmatine?
Si kudo,
edhe këtu u gjetën variante për t'i shfrytëzuar. Në Kuvendin e
Murgeshave në vitin 1945 u vendos Shkolla Fillore dhe Kopshti për
fëmijë. Ndërtesa dykatëshe ekzistuese u shfrytëzua në katin e parë si
punishte leshi, kurse lart si sallë kinemaje, banesë për dy familje dhe
sistemimi i një kopshti parashkollor.
Pas
mbylljes së kishës kremtimet fetare që u bënë në mënyrë të fshehtë, u
zhvilluan nga atë Pjetër Meshkalla s.j., Imzot Ernest Çoba, dom Injac
Dema, etj. (ose aty, ose në Shkodër).
VI. Rihapja
e kishës dhe gjendja e saj aktualisht
Rihapja e
Kishës në qytetin e Shkodrës, në nëntor të vitit 1990 bëri që edhe në
këtë famulli të përgatitej terreni për rihapjen e kishës, që u mbyll në
prill të vitit 1967.
Më shumë
ndër klerikët, që ka vepruar në mënyrë të fshehtë ka qenë atë Pjetër
Meshkalla, meqë edhe familja e tij rridhte nga kjo famulli. Dom Simon
Jubani, që çeli i pari kishën në varrezat e Rrmajve të Shkodrës, hapi
edhe kishën e Shirokës.
Prishja e
pjesës së brendshme të kishës për të krijuar mundësinë e një hapësire
liturgjike u bë në vitin 1993, por ristrukturimi i mirëfilltë filloi në
vitin 2000, pas studimeve të bëra nga inxhinieri italian Mario
Castrataro dhe nga inxhinieri shqiptar Zef Deda. Vepra është realizuar
me kontributin e bamirësve të ndryshëm dhe Veprës së Vogël të Provanisë
Hyjnore të Shën Luigji Oriones, bijve të të cilit, që nga data 21
qershor 1998, arqipeshkvi i Shkodrës Imzot Angelo Massafra u ka besuar
përkujdesjen baritore të Shirokës dhe të Anës së Malit. Kisha u
rishugurua nga Imzot Massafra më 23 qershor 2001, në prani të shumë
autoriteteve dhe një numri të madhe besimtarësh si dhe misionarëve të
nderuar, dom Natale e dom Mario (dioqeza e Latina Italia ) atë Mario
Baglio, atë Rolando Reda, atё Giuseppe De Guglielmo Orionini.
Natyrisht
një famulli e rëndësishme siç është Shiroka, me një numër besimtarësh,
në të kaluarën rreth 65% katolikë dhe 35% muslimanë, kundrejt gjendjes
së sotme, 70% muslimanë dhe 30% katolikë, edhe pse shumë familje
katolike janë shpërngulur në Shkodër apo qytete të tjera, e ka pasur dhe
duhet ta ketë një famullitar të përhershëm.
Sot, kjo
famulli ka 20 shtëpi me 150 besimtarë. Shërbimet fetare i bëjnë
misionarët orionitë, atё Giuseppe De Guglielmo dhe atë Rolando Reda.
At¸
Giuseppe De Guglielmo
Atë
Rolando Reda.
titujt janar - shkurt 2005 |
|