ArqipeshkviaFamulliteInstitutet rregulltareZyra per martiretCaritasShtypi dioqezanFshati i paqesArkiv
 

 

 

VIZITË E NDËRSJELLTË EKUMENIKE DOMETHËNIE E NJË RËNDËSIE TË VEÇANTË

 

“Takimi i shumëpritur u realizua pikërisht me rastin e 40 vjetorit të takimit të papës Palit të VI dhe patrikut ekumenik të Konstantinopolit, Athinagorës, në Jeruzalem, me 05-06. janar të vitit 1964”

 

Takimi në Durrës

Me datën 9 nëntor 2004, studentët e ciklit teologjik të shkollës filozofiko - teologjike pranë Seminarit ndërdioqezan në Shkodër, bashkë me drejtorin e shkollës, p. Mario Imperatore, rektorin e Seminarit p. Armando Ceccarelli dhe disa profesorë, vizituan studentët e Akademisë teologjike ortodokse “Ngjallja e Krishtit” në Durrës.

Tema e këtij takimi ishte: Ndriçimi i figurës së patrikut Athinagora, me prejardhje shqiptare.

Në hyrje të shkollës na mirëpritën priftërinjtë ortodoksë, disa pedagogë dhe studentë. Aty na takoi dhe na përshëndeti peshkopi Ilia Ketri, drejtor i kësaj shkolle.

Së pari vizituam mjediset shkollore, përfshirë këtu edhe kishën e shkollës “Ngjallja e Krishtit”, bibliotekën, redaksinë e gazetës shkollore “Fjala”, sallën e konferencave dhe në qendër të atij kompleksi, kishën e shën Vlashit të ndërtuar në vitin 1992, në themelet e kishës dhe manastirit të vjetër.

Ishim të ftuar të hanim drekë bashkë me Peshkopin, pedagogët e studentët në sallën e tyre të ngrënies. Në përfundim të drekës, peshkopi Ilia na falënderoi për nderimin që i bëmë me vizitën tonë. Gjithashtu tha se edhe ata me gëzim e prisnin datën e 23 nëntorit të këtij viti, kur do të vinin tek ne në Shkodër.

Në sallën e konferencave, peshkopi Ilia mbajti ligjëratën mbi personalitetin dhe veprimtarinë e Athinagorës, patrikut ekumenik të Konstantinopolit (Stamboll).

 Prej tij mësuam se Athinagora, kishte lindur në Vasilikon të Greqisë më 25 mars 1886. Në vitin 1922, kur ishte sekretar i parë i Sinodit të Greqisë, zgjidhet Metropolit i Korfuzit. Në vitin 1931 emërohet Kryepeshkop i Amerikës. Me zgjuarsinë e tij dhe me virtytet e shpirtit, me durim e dashuri, transformoi rrethanat e vështira brenda Kishës Greke në Amerikë dhe arriti të bëjnte organizimin e klerikëve dhe aktivizimin e kryetarëve laikë; merrej me zhvillimin e marrëdhënieve mes Ortodoksëve, të krishterëve jo ortodoksë dhe feve të tjera të botës.

 Në vitin 1948, Athinagora zgjidhet Patrik ekumenik në Konstantinopol. Që në fillim sqaroi që kërkonte miqësi dhe respekt midis Kishave dhe akoma më tepër midis feve.

I pajisur me një mendje të mprehtë dhe me një zemërgjerësi në shpirt, ishte i vendosur që popujt e rajonit të bashkëjetonin në paqe e harmoni. Patriku Athinagora ishte një përzierje e rrallë e idealizmit dhe e realizmit, prandaj ndoshta pati guxim të çante përpara si një ikonoklast që theu prangat e dyshimit, paragjykimit dhe mendjengushtësisë. Marrëdhëniet me Kishën Katolike i zhvilloi me shumë kujdes dhe pati shumë rezultat. Në vitin 1949, duke udhëtuar për në Stamboll nga Neë York, e urdhëroi pilotin e avionit të presidentit të SH.B.A. të asaj kohe, Harri Truman, që të fluturonte rreth qytetit të Romës dy herë që të kishte kohë të lutej mbi tokën e Selisë së Shenjtë. Për dhjetë vjet punoi në mënyrë jo zyrtare për të sajuar lidhje komunikimi me Vatikanin. Takimi i parë zyrtar u realizua në vitin 1959, kur Kryepeshkopi i Amerikës Jakovi, i dërguari i Patrikut, u prit në një vizitë ceremoniale nga papa Gjoni XXIII.

 Takimi mes papës Palit VI e patrikut Athinagora, me 5 janar të vitit 1964, në Jeruzalem, ishte takimi i parë mes Kishës Katolike e Kishës Ortodokse, prej kur ngjau ndarja e u ndërprenë marrëdhëniet mes tyre, në vitin 1054. Më këtë rast patriku Athinagora deklaroi: Njerëzimi i krishterë jetoi natën e përçarjes. Le të jetë ky agimi ndriçues prej kur gjeneratat e ardhme do të kungohen nga një Kupë e një Trup i Zotërisë. Me dashuri, paqe dhe bashkim të lumërojnë dhe të lavdërojnë një Zot dhe Shpëtimtar të të gjithëve.

Përshëndetja e Patrikut u mirëprit nga Papa i Romës dhe kështu filloi një periudhë e re, një frymë e re, e hapur në marrëdhëniet Kishtare.

Patriku Athinagora mbeti i thjeshtë, i përmbajtur dhe i kujdesshëm duke kujtuar se suksesi i tij qëndronte në faktin që arriti të sjellë afër të dy Kishat e ndara nga mosbesimi dhe urrejtja. Parimet e tij të përulësisë, dashurisë, së vërtetës në Krishtin dhe të shërbimit ndaj njerëzimit, janë kryesore.

 

Takimi në Shkodër

Sikurse ishte planifikuar, me 23 nëntor, arritën nga Durrësi peshkopi Ilia, pedagogët e studentët e Akademisë teologjike në shkollën tonë, në Shkodër.

Në sallën tonë të konferencave, drejtori i shkollës p. Mario, bëri prezantimin e pedagogëve dhe të studentëve të të dyja shkollave.

Si lutje të fillimit lexuam lutjen e Papës Palit VI dhe Athinagorës të bërë në Romë, në vitin 1967.

Profesori i dogmatikës, don C. Lorenzo Rossetti, mbajti ligjëratën me titull: Papa Pali VI dhe ekumenizmi.

Don Lorenzo në fillim përvijoi një profil të shkurtër të Gjon Batista Montinit, papës Pali VI dhe paraqiti në mënyrë sintetike mendimin dhe veprën e tij ekumenike.

Ajo çfarë mund të themi në pika të shkurtëra ishte se, Gjon Batista Montini u lind në Italinë veriore, afër Breshës, në vitin 1897. Shumë shpejt u bë asistent i Federatës së universitarëve katolikë dhe pasi punoi për shumë vite në Sekretarinë e Shtetit (nga 1937-1954), u shugurua Arqipeshkëv i Milanos, në dhjetor 1954 dhe u zgjodh për Papë në vitin 1963. Vdiq me 6 gusht 1978.

Në vazhdim, Don Lorenzo thekso se, Montini ishte shumë i pajisur nga ana intelektuale, do thoshim një filozof i madh, për kthjelltësinë dhe aftësinë e tij reflektuese. Atij i takoi të përballonte njërën prej epokave më kritike të Kishës bashkohore. Këtë detyrë ai e bëri me përvujtëri, zell dhe vetëmohim, me një dashuri ndaj Krishtit, Kishës dhe njerëzimit, sa ndoshta ende  nuk janë vlerësuar aq sa duhet. Me enciklikat e tij ka nxitur dialogun me të gjithë (Ecclesiam suam, 1964), drejtësinë shoqërore (Populorum progressio, 1967), dashurinë e vërtetë bashkshortore (Humanae vitae, 1968) dhe sidomos shpalljen e Ungjillit (Evangelii nuntiandi, 1975). Me udhëtimet e shpeshta ka përuruar mbarështimin shtegtar të Gjon Palit II, duke shkuar në Neë York për t'u thënë Kombeve të bashkuara “Kurrë më luftë!”(1965); për të ngushëlluar besimtarët më të varfër në Indi (1964) dhe Afrikë (1969). Në Filipine i bënë një atentat që spërkati me gjak veshjen e tij të bardhë (1970). Ekumenistët e kujtojnë sidomos për udhëtimet e tij në Jeruzalem (1964) dhe në Stamboll (1965, 1967), në të cilat përqafoi pas një mijëvjeçari ndarjeje Kreun e bashkësisë Ortodokse dhe në Gjenevë në Këshillin Ekumenik të Kishave (1969) etj.

Në fund të kësaj ligjerate u dha rasti për pyetje dhe reflektime.

Peshkopi Ilia u falënderua shumë dhe shprehu gëzimin e tij për këtë takim, aq më tepër që edhe dy shpirtëra të tjerë ishin të pranishëm aty me ne, Athinagora dhe Pali VI, duke i bashkuar kështu dy shkollat tona.

 

M. Teuta Augustini

 

titujt janar - shkurt 2005

 
 
> Kisha Katolike Shkoder 2008 <

webmaster