ArqipeshkviaFamulliteInstitutet rregulltareZyra per martiretCaritasShtypi dioqezanFshati i paqesArkiv

Sakramentet e fillimit te jetes se krishtere

 

 

(Pjesa e katërt)

Pagëzimi është i Nevojshëm për Shpëtimin e Njerëzve

Vetë Zoti pohon se Pagëzimi është i nevojshëm për shpëtim. Për këtë arsye u ka urdhëruar nxënësve të Vet ta shpallin Ungjillin dhe t’i pagëzojnë të gjithë popujt. Pagëzimi është i nevojshëm edhe për ata që kanë pranuar Ungjillin dhe që e kanë kërkuar këtë sakrament.

Kisha nuk njeh mjet tjetër përveç Pagëzimit për të siguruar hyrjen në shtëpinë e Atit. Kisha gjithmonë ka qenë e bindur se ata që vdesin për të dëshmuar fenë e tyre, pa qenë të pagëzuar, pagëzohen nëpërmjet vetë vdekjes së tyre me dhe për Krishtin. Ky Pagëzim gjaku sjell frytet e Pagëzimit me ujë, edhe pa qenë një sakrament i vërtetë. Për katekumenët që vdesin para se të pagëzohen me ujë, dëshira e tyre e shprehur për ta marrë atë e bashkuar me pendesën për mëkatet e bëra dhe me dashurinë, siguron shpëtimin e atyre, atë shpëtim që ata nuk kanë mundur ta marrin përmes sakramentit.

Kur fëmijët vdesin pa Pagëzim, Kisha nuk mund të bëjë tjetër veçse t’ia besojë, si gjithmonë, mëshirës së Hyjit, i cili dëshiron t’i shpëtojë të gjithë njerëzit. Fjalët e Jezusit: “Lini fëmijët të vijnë tek unë e mos i ndaloni” (Mk 10, 14b) na lejojnë të shpresojmë se ekziston një rrugë shpëtimi për këto fëmijë.

Efektet e ndryshme të vepruara në Pagëzim shprehen në elementet e ndjeshme të ritit sakramentor: zhytja në ujë thërret në kujtesë simbolizmin e vdekjes dhe të pastrimit, por edhe të rilindjes dhe të ripërtëritjes. Dy efektet kryesore janë pra, pastrimi prej mëkateve dhe lindja e re në Shpirtin Shenjt.

Përmes Pagëzimit falen të gjitha mëkatet, mëkati i rrjedhshëm dhe të gjitha mëkatet personale, ashtu si edhe të gjitha dënimet për mëkatet e bëra. Në ata që kanë qenë të rilindur, në fakt, nuk mbetet asgjë që mund t’i pengojë të hyjnë në Mbretërinë e Hyjit, as mëkati, pengesa më e madhe e të cilit është ndarja prej Hyjit.

Megjithatë në të pagëzuarin mbesin disa rrjedhoja kohore, si vuajtja, sëmundja, vdekja apo brishtësi të tilla si dobësi të karakterit dhe një prirje për mëkat që Tradita e quan lakmi.

Pagëzimi jo vetëm e pastron njeriun prej të gjitha mëkateve, por e bën atë krijesë të re (krh. 2 Kor 5, 17), bir të Hyjit, domethënë pjesëmarrës të natyrës hyjnore, gjymtyrë të Krishtit dhe bashkëtrashëgimtar me Të, tempull i Shpirtit Shenjt. Trinia e Shenjtë i dhuron të sapopagëzuarit hirin shenjtërues, hirin e justifikimit që e bën të aftë për të besuar në Hyjin, të shpresojë në Të dhe ta dojë me anë të virtyteve teologale: fesë, shpresës dhe dashurisë.

I jep aftësinë për të jetuar dhe vepruar nën shtytjet e Shpirtit përmes dhuratave të Tij: dija, vështrimi, këshilla, forca, shqisja, përshpirtëria, frika e Tenzot. I mundëson të rritet në të mirë përmes virtyteve morale.

Në këtë mënyrë krejt organizmi i jetës mbinatyrore të të krishterit e ka rrënjën e vet në sakramentin e Pagëzimit, i cili na bën gjymtyrë të Trupit të Krishtit, që është Kisha, duke u bërë kështu edhe gjymtyrë të njëri-tjetrit (krh. Ef 4, 25). Pagëzimi e fut të sapopagëzuarin në Kishë. Prej pagëzimores lind populli i Besëlidhjes së Re, që i tejkalon të gjithë kufijtë natyrorë apo njerëzor të kombeve, të kulturave, të racave dhe të sekseve.

Në të vërtetë ne të gjithë jemi pagëzuar në një shpirt të vetëm për të formuar një trup të vetëm (krh. 1 Kor 12, 13). Të pagëzuarit janë gurë të gjallë për formimin e një ndërtese shpirtërore, për një meshtari të shenjtë (krh. 1 Pj 2, 5).

Përmes sakramentit të Pagëzimit besimtarët marrin pjesë në meshtarinë e Krishtit, në misionin e Tij profetik dhe mbretëror, janë fis i zgjedhur, meshtari mbretërore, komb i shenjtë, populli që Hyji e fitoi për vete për t’i shpallur veprat e mrekullueshme të Tij, që e thirri prej errësirës në dritën e Tij të mrekullueshme (krh. 1 Pj 2, 9).

Pagëzimi i bën pjesëmarrës të meshtarisë së përbashkët të besimtarëve. Pasi është bërë gjymtyrë e Kishës, i pagëzuari nuk i përket më vetvetes, por Atij që ka vdekur dhe është ringjallur, për këtë është i thirrur t’i nënshtrohet të tjerëve, për t’i shërbyer Krishtit në bashkësinë e Kishës.

Ashtu si Pagëzimi sjell përgjegjësi dhe detyra, në të njëjtën mënyrë i pagëzuari gëzon edhe të drejta në gjirin e Kishës, si të drejtën për të marrë sakramentet, për t’u ushqyer me Fjalën e Hyjit dhe për të qenë i mbështetur prej të tjerëve.

Të rilindur prej Pagëzimit për të qenë bij të Hyjit, të pagëzuarit shpallin publikisht fenë e marrë prej Hyjit përmes Kishës dhe pjesëmarrjen në veprimtarinë apostolike e misionare të popullit të Hyjit.

 

 Lidhja Sakramentore e Njësisë së të Krishterëve

Pagëzimi përbën themelin e bashkësisë mes të krishterëve, edhe me ata që ende nuk janë në bashkësi të plotë me Kishën katolike. Të justifikuar në Pagëzimin e fesë janë të futur në Kishë dhe për këtë me të drejtë thirren me emrin të krishterë dhe nga bijtë e tjerë të Kishës katolike me të drejtë njihen si vëllezër në Zotin. Pra, sakramenti i Pagëzimit përbën lidhjen sakramentore të njësisë që ekziston mes të gjithë atyre që përmes tij kanë lindur.

Të futur në Krishtin përmes sakramentit të Pagëzimit, i pagëzuari bëhet një Krisht i dytë. Pagëzimi e shënon të krishterin me një vulë të pashlyeshme duke shënuar kështu përkatësinë e tij ndaj Krishtit, vulë që nuk mund të fshihet prej asnjë mëkati. I dhënë një herë e përgjithmonë Pagëzimi nuk mund të përsëritet më. Të futur në Kishë përmes Pagëzimit besimtarët kanë marrë karakterin sakramentor të bijve të Hyjit. Vula sakramentore i aftëson dhe i angazhon të krishterët për t’i shërbyer Hyjit nëpërmjet një pjesëmarrjeje të gjallë në liturgjnë e shenjtë të Kishës dhe në ushtrimin e meshtarisë së tyre pagëzimore me dëshminë e një jete të shenjtë dhe me një dashuri vepruese.

Vula e Zotit është vula me të cilën Shpirti na shënon për ditën e shpërblimit (krh. Ef 4, 30). Besimtari që arrin ta ruajë vulën deri në fund mund të vdesë nën shenjën e fesë, në pritjen e takimit të mrekullueshëm me Hyjin, dhe me shpresën e ringjalljes.

 Leze Preka

 

 Kumbona korrik -gusht 2010

 
 
> Kisha Katolike Shkoder  <

webmaster