ArqipeshkviaFamulliteInstitutet rregulltareZyra per martiretCaritasShtypi dioqezanFshati i paqesArkiv
 

 

 

 450-VJETORI  I MESHARIT TË DOM GJON BUZUKU

KONFERENCA JUBILARE SHKENCORE

 

Ulqin, më 27  28 maj, 2005

 

Ulqini, ishte mikpritësi i Konferencës Jubilare Shkencore kushtuar 450 vjetorit të "Mesharit" të dom Gjon Buzukut, librit të parë shqip, të cilën e organizuan Qendra për Kulturë e Ulqinit, Bashkimi i Krijuesve Shqiptarë në Malin e Zi, Shoqata Dom Gjon Buzuku  dhe Art Clubi.

 Pjesa solemne e këtij aktiviteti shkencor me temë Vepra e Gjon Buzukut dhe rëndësia e saj shkencore e kombëtare u mbajt  të premten e kaluar në mbrëmje në Shtëpinë e Kulurës në Ulqin. Siç është e zakonshme në takime të këtilla shkencore, konferencën e  përshëndetën dr. Simë Dobreci, në emër të Këshillit Organizativ të kësaj konference, pastaj  dr. Mahmut Hysa, në emër të studiuesve nga Kosova, dr. Emil Lafe në emër të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, imzot Zef Gashi, në emër të Arqipeshkvisë së Tivarit dhe kryetari i Kuvendit Komunal të Ulqinit, Fuad Nimani. Në vazhdim të hapjes së këtij manifestimi shkencor Iliriana Gjoni ekzekutoi pjesë në piano, dhe Lulieta Hamdiu recitoi vargje. Kurse, ipeshkvi në pension, imzot Pjetër Përkoliqi, shestanas, në vargje shpalosi jetën dhe veprën e Buzukut, të hartuara nga ai vet.  Konferenca vazhdoi punimet ditën e shtunë me leximin e 27 kumtesave të studiuesve të njohur nga  Shqipëria, Maqedonia, Kosova,  Arbëreshët e Italisë dhe Mali i Zi.

Seanca e së shtunës filloi me leximin e përshëndetjes së kryetarit të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, Ylli Popa, drejtuar organizatorit. Në vazhdim u lexuan dy kumtesat e Shaban Demiraj A e ka njohur Pjetër Budi "Mesharin" e Gjon Buzukut dhe të Jahja Drançollit Tradita parabuzukiane e gjuhës shqipe.  Referuesi i parë Anton Nikë Berisha nga Universiteti i Kalabrisë, duke folur për letërsinë tonë gojore dhe Mesharin e Gjon Buzukut përmes shembujve që i nxori nga vepra e përmendur dëshmoi "jo vetëm për dukurinë e bashkekzistimit dhe të ndikimit të ndërsjellë të letërsisë sonë gojore dhe letërsisë sonë të shkruar, por edhe për ekzistimin dhe rëndësinë e letërsisë gojore shqipe, e cila qysh më 1555 dëshmohet në formë të shkruar me disa lloje të saj dhe pikërisht nëpërmjet Mesharit krijohet edhe mundësia e përcjelljes së pjesshme të vijimësisë së zhvillimit të tyre në rrjedhë të shekujve, deri në ditët tona".

Meshari  në kontekstin evropian dhe ballkanik

Zbulues, studiues dhe ndjekës i Buzukut, kurse studiuesi nga Tirana, Moikom Zeqo u ndal në kryeveprën e Buzukut, duke e quajtur emblemë koceptualiteti. Në punimin e tij paraqiti disa teza mjaft interesante për përcaktimin kualifikues të rolit të Gjon Buzukut, për vendbotimin e  librit të Buzukut  dhe paraqiti të dhëna të reja për ikonografinë e librit buzukian, etj.

Studiuesi nga Prishtina Mahmud Hysa, duke e trajtuar Mesharin  në kontekstin evropian dhe ballkanik pohoi se "për asnjërin nga problemet që sillet në suazat e hipotezave, nuk mund të japim përgjigje as të përafërt nëse Mesharin si inkonabulë nuk e vendosim në kontekste evropiane dhe ballkanike, pse ai është një produkt i rrethanave politke e shpirtërore të brendshme, mbarëshqiptare, dhe të jashtme, evropiane dhe ballkanike." 

Jorgo Bulo nga Tirana në kumtesën e tij pohoi se "Meshari" i Gjon Buzukut është një vepër që si  kohë lindi në vorbullat e zhvillimeve fetare e politke që mbajnë vulën e Reformës dhe të Kundërreformës dhe që vetëm në këtë kuptim qëndron mes tyre. Por ajo, në qoftë se subjektivisht nuk është produkt i drejtpërdrejt i së parës, mundi të rritej në klimën e saj, pra në klimën e Reformës, çka do të thotë se objektivisht është produkt i kësaj lëvizjeje të madhe progresive që hapi një epokë të re në historinë fetare dhe politke të Evropës". 

Genc Lafe nga Lecce, Itali, nënvizoi se vepra e Buzukut "ka rëndësi të veçantë edhe në rrafshin e studimit të semantikës së gjuhës shqipe, si në vështrim historik ashtu edhe në atë semantiko  konjitiv". Ai pohoi se "Meshari" përveç "vlerës së padiskutueshme dokumentuese në paraqitjen e plotë e për herë të parë të sistemit fonetik dhe morfologjiko  sintaksor të gjuhës shqipe në shekullin e 16-të, përbën një dëshmi gjuhësore të pazëvendësushme edhe në rrafshin leksikor semantik". 

Ndërkaq  Fatbardha Hoxha nga Universiteti i Shkodërs konstatoi se "Buzukut i takon merita të ketë projektuar në veprën e tij botën shqiptare, edhe pse një vepër liturgjike e përkthyer, të cilën autori i hershëm e vuri mrekullisht në funksion për të afirmuar identitetin gjuihësor dhe kulturor të botës shqiptare, identitetin e tyre kombëtar".

Jaho Brahaj nga Tirana, duke referuar për origjinën familjare të Gjon Buzkut, u përpoq që ndër të tjera të përgjigjet edhe në pyetjen e dëgjuar shpesh, sidomos tek ne, se a ka mundësi që Gjon Buzuku të ketë jetuar e punuar në Ulqin ose në ndonjë fshat të tij. Ai, duke iu përgjigjur kësaj pyetje pohoi se të "të dhënat e pakta që njohim, na orientojnë që veprimtarinë e tij ta shohim jashtë truallit amë. Por duke ditur se në vitet kur doli nga shtypi Meshari, në të djathtë të Bunës ishte përqëndruar një popullësi shqiptare vendore dhe e ikur nga krahinat e tjera dhe kemi një aktivitet fetar aktiv dhe në këto vite njëri nga komandantët rojtarë të Ulqinit është kushëri i Gjonit, ndoshta ka të ngjarë, që ky  punoi këtu".

Buzukut me shqipen e sotme standarde

Latif Mulaku, në kumtesën e tij u përpoq për zgjidhjen e problemit mjaft të diskutueshëm që ka të bëjë me vendlindjen përkatësisht me vendshërbimin e Buzkut dhe të përkatësisë dialektore të Mesharit. Dhe, përfundimi i tij ishte ky: "Nga të gjitha shqyrtimet dhe faktet e paraqitura, mua më është formuar e krijuar mendimi që vendshërbimi fetar i Buzukut ishte Shirgji dhe që baza dialektore e gjuhës së Mesharit eshtë e folura e Bregut të Bunës".

Referuesi i radhës Qemal Murati, përmes fakteve filologjike vërtetoi njësinë gjuhësore të shqipes së Buzukut me shqipen e sotme standarde, kurse Ragip Mulaku u ndal në veçoritë kryesore fonetike të veprës së Buzukut, siç janë gjatësia e zanoreve,  palatalizmi, sonorizmi, shurdhimi, asimilimi, metateza, shtimi dhe rënia e tingujve.

Mjaft me interes ishte  edhe ligjërata e Abdyllah Zymberit që kishte të bënte me disa trajta të pjesësve të ligjëratës te "Meshari" i Buzukut krahasuar me disa të folme popullore, pastaj  punimi shkencor i Begzad Aliut rreth koncepteve shkencore për studimin e "Mesharit", me theks të veçantë në mosmarrëveshjet mes Eqrem Çabejt dhe Selman Rizës, si dhe i studiuesit  Kolec Topalli. Ky i fundit  u përpoq të zbërthejë sonantet rrokjeformuerse në "Mesharin" e Gjon Buzkut. Faktet gjuhësore që i paraqiti  në trajtesën e tij, siç konstatoi ai, dëshmojnë se "dukuria që shfaqet te Buzuku gjendet e gjallë si një shfaqje dialektore në po ato treva, që kanë qenë vendlindja ose vendbanimi i  këtij autori më të lashtë të shkrimit të shqipes".

Përveç studiuesve në fjalë në këtë simpozium ligjëruan apo u paraqitën me kumtesat e veta edhe David Luka, Tomor Osmani, Wyli Kamsi, Emil Lafe, Ruzhdi Ushaku, Hysni Hoxha, Hamit Xhaferi, Ismail Doda, Rrok Gjolaj, Gjokë Dabaj dhe Haxhi Shabani.

 

maj -qershor 2005

 
 
> Kisha Katolike Shkoder 2008 <

webmaster