ArqipeshkviaFamulliteInstitutet rregulltareZyra per martiretCaritasShtypi dioqezanFshati i paqesArkiv
 

 

 

 AUSCHWITZI  SHQIPTAR - MOS TË HARROJMË, QË MOS TË PËRSËRITET

 

60 vjetori i kampit famëkeq të përqëndrimit nazist në Auschwitz  Poloni dhe Auschwitzi Shqiptar!

Sipas politikanëve del  që,  në Shqipëri përderisa nuk kishte imperializëm, s'patëm as gjenocid!!!

 

Po bëhen tashmë afro 15 vjet demokraci dhe të vërtetat në vend që të shkojnë drejt sqarimit po ngatërrohen gjithnjë e më shumë. Një ndër të vërtetat më të dukshme, çuditërisht po vonon më shumë se gjithçka tjetër të ndriçohet. S'po meret vesh, a pat gjenocid apo jo në Shqipëri?

Këtë ende s'e kemi sqaruar. Politikanët thonë se ajo po i takoka historianëve. Mirëpo edhe këta te fundit, “krejt pa faj”, po e përcjellin  tek gjuhëtarët. Them “krejt pa faj”, sepse duke i  hedhur sy një fjalori dinjitoz prej mijëra faqesh të Gjuhës  Shqipe, syri të ndalet tek faqja 610, ku lexon: “Gjenocid - është shfarosja e plotë a e pjesëshme e një popullsie ose e grupeve të veçanta kombëtare, që bëhet nga imperialistët për qëllime kriminale.”

Kështu del  që,  përderisa tek ne nuk kishte imperializëm, s'patëm as gjenocid. Mirëpo, kur i hedh një sy një tjetër fjalori,  tashmë vetë ai “imperialist”, pra  Garzantit të madh, syri të ndalet në faqen 743,  ku  lexon “Gjenocid - krimi që synon të shfarosë, me metoda të organizuara, një grup etnik apo fetar.”

Atëherë fillon e mendon disi më ndryshe.

Tashti përfundimi sikur bëhet më i lehtë, duan apo s'duan historianët e gjuhëtarët.

Çfarë ndodhi me Klerin Katolik Shqiptar?

 Ja një tabelë fare e shkurtër:

Nga të gjithë ata që diktatura gjeti gjallë e në këmbë, rezulton se:

1-Janë pushkatuar 32   klerikë (14%)

2-Janë mbytur  ndër  tortura  25   klerikë (10%)

3-Janë Burgosur dhe internuar 122 klerikë (53%)

4-Janë detyruar të arratisen ose s'janë lejuar të kthehen në atdhe 23   klerikë (14%)

5-Janë perjashtuar nga shërbimi 13   klerikë (4%)

6-Kanë vdekur në ankth e dhimbje pjesa e mbetur               16   klerikë ( 5%)

Pra të gjithë, u asgjësuan 100%

Ndoshta s'kemi prapë gjenocid. Le ta studiojnë në të ardhmen historianët, pasi ta kenë korrigjuar fjalorin gjuhëtarët.

Ndoshta  është kjo tjetra. “Nuk ka të verbër me të madh se ai që nuk do të shohë.”

E pse jo, ndoshta edhe mllefi vazhdon sërish. Madje edhe  johistorianët apo jogjuhëtarët, kërcenohen se po merren me  zhvarrosjen e  eshtrave të të vdekurve, po ngjallin kujtimet e të vrarëve apo po baltosin dëshmorët e luftës, duke kujtuar pasluftën.

I  vranë fizikisht, i baltosen  moralisht, por duan t'i vrasin sërish për të dytën herë, edhe me harresën e tyre. E meqë tjerët po i harrojnë për gjithmonë, e gjatë gjithë vitit, le t'i kujtojmë  ne,  vetem në një ditë, në këtë që po quhet

“Dita e Kujtesës”

Çfarë ndodhi gjatë asaj diktature tëe tmerrshme 50 vjeçare?

Skenarët ishin mjaft tronditese. U zbuluan Organizata terroriste. U gjetën armë në Kisha dhe altare.U zbuluan vrasje të organizuara të aktivistëve komunistë nëpër Qela e Famulli. Çfarë nuk u gjet e nuk u zbulua. E rëndësishme është se u pushkatuan të gjithë, si ata që iu gjetën,  ashtu edhe ata që i futën  ato armë në Kisha e altarë; si ata që i organizuan, ashtu edhe ata që i zbuluan ato Organizata terroriste; si ata që i kryen ashtu edhe ata që i zbuluan ata “vrasje të shëmtuara” afër  Qelave e Famullive.

Prandaj,  s'është për t'u çuditur nëse historianët e ardhshëm  do të gjejnë bashkë ata që kujtojmë e nderojmë sot, me ata që e sollën  këtë ditë kujtimi.

Sa për t'ua kujtuar atyre, po përmend se,  së bashku  me Faustin,  Dajanin e Shllakun, Gjinin, Prendushin e Harapin, Shantojën, Zadejën e Gazullin e dhjetëra e qindra tjerë do të gjejnë edhe Koci Xoxen,  Mehmet Shehun e Kadri  Hazbiun, Feqor Shehun, Pjerin Kçirën e Xhemal  Selimin, Toger Babën, Zoi Themelin, e dhjetëra e qindra të tjerë Do të gjejnë edhe  dëshmitarët që kishin punuar e luftuar aq shumë për atë çlirim vetëvrasës të Shqipërisë si, Riza Dani, Kolë Prela, Gjergj Kokoshi, D. Luigj. Pici e sa të tjerë që nuk mund ta mohonin të vërtetën dhe i dolën zot ashtu  siç do të gjejë edhe ata që shpifën”. E natyrisht edhe  ata,  avokatët, që mjerisht deshën të mbrojnë pafajësinë e tyre, si Arshi Pipa, Paulin Pali e sa e sa  të tjerë. E, do të gjejnë deri edhe sekretarët, që ashtu pafajësisht i shkruanin ato shpifje të ndyra që i çonin njerëzisht tek plutoni i pushkatimit,  si  Zalo Xhomaqi e shumë e shumë të tjerë,  të gjithë të pushkatuar nga sistemi i tyre si armiq...

Çfare ndodhi me veprën dhe jetën e tyre?

Seminare, shkolla, teatro, shtypshkronja e biblioteka, pra gjithçka ishte krijuar e trashëguar prej qindra vitesh, u asgjësua në pak kohë. Elita më e shquar e katolicizmit shqiptar u shfaros. Bilanci është rrënqethës:  Nga 4 ipeshkvinjtë ekzistues 3 u mbytën në torturat çnjerëzore, i katërti  vdiq  nën ankthin e izolimit, të hetimeve dhe të pushkatimeve. 7 shkrimtarët më të mëdhenj të katolicizmit shqiptar u zhdukën mizorisht njëri pas tjetrit: Atë Vinçenc Prendushi, Dom Ndre Zadeja, Atë Benardin Palaj, Dom Nikollë Gazulli,  Atë Anton Harapi, Dom Lazër Shantoja e Atë Gjon Shllaku. Të shtatë u torturuan siç nuk mund të përshkruhet. E ky ishte vetëm fillimi.

Sapo kishte nisur  ajo tragjedi e masakër, që siç do të shprehej zoti Sami Repishti: “Për katolikët shqiptarë nuk merr kuptimin e vërtetë e të plotë nëse nuk pohohet publikisht nga të gjithë e me bindje se nga 94  famullitarë të rregullt e 93 ndihmës - gjatë viteve 1944-49 u vranë, u torturuan e u burgosën 7 ipeshkvinj, 60 famullitarë, 30 etër françeskanë, 13 etër jezuitë, 10 seminaristë etj”. e më tej: “Tortura nuk ka kuptimin e plotë në qoftë se nuk kujtohen fjalët që tha në burg Pandi Kristo: "Ato Lleshrat e Prengrat i kemi vrarë faj e pafaj vetëm sepse kanë qenë katolikë. Ata po, kanë të drejtë të ankohen”.

E, natyrisht, jo pa ndëshkimin e vet, mbetën edhe Klerikët e nderuar të besimeve tjera. Visarion Xhuvani e Irene Banushi, udhëheqësit simbol të besimit ortodoks thanë kaq shumë me jetën e vdekjen e tyre.

Kapitull të rëndë e të pafund kanë edhe myslimanët bektashinj. Jo pa ndëshkim mbetën edhe mjaft sunitë. Hafiz Ali Tare, Hafiz Dërguti e sa të tjerë lidhën miqësi të përjetshme ndërfetare, pikërisht  në ditët e vështira të tmerrit komunist.

Vetëm disa therime nga ajzbergu shqiptar!

Meqë jemi në këtë “Ditë Kujtese” le të kujtojmë vetëm disa therime nga ajzbergu i madh i vuajtjes shqiptare, vetëm disa :

Imz. Nikollë Dedën,  e torturuan  kaq tepër  sa, kur e kthejnë nga torturat, shoku i qelisë nuk e njeh.  Atëherë ai në gjithë atë siklet, me ironi i thotë: “Nuk po me njeh? E pra, mos harro se dikur kam pasë qenë Dom Nikollë Deda”. Me plagë në gjithë trupin, nuk mund të qëndronte në këmbë, por e lidhën për hatlla, deri ditën e pushkatimit.  Atë Mati Prendushit, kur  kërkoi pak ujë, i tharë etje, kushedi sa ditë pa pirë, i mbyllur në nevojtoren e sigurimit, i japin të pijë urinën që ai sapo kishte bërë në një gotë. Po këtë gjë, e kishin bërë edhe me Imzot Gjinin.  Atë Frano Kiri, përfiton prej një polici "të mirë", dhe ulet e njomë buzët me ujin e mbetur ndër pllakat e nevojtores. E lidhin me një të vdekur fytyrë për fytyrë. E zgjidhën pas tri ditësh, kur filloi të dekompozohet kufoma. Atë Çiprian Nikës, mbas dy ditësh pa gjumë i thyejnë këmbën, të cilën nuk e ndien fare, deri sa i vjen në ndihmë dhe e kthen në jetë Dr. Frederik Shiroka. Imzot Frano Gjini, lihet disa ditë i lidhur për ullinjtë e oborrit dhe vetëm kur varet për vdekje, e hedhin në një nevojtore ku ujërat e zeza kishin dalë sipër gadi 10-15 cm. Aty e lanë me ditë të tëra. Dom Mark Hasit, Nesti Kopali i mbërthen  gjuhën për tavolinë me thikë tejpërtej, duke i bërtitur  pse nuk flet. Dom Anton Muzaj, lihet ndër ujërat e zeza deri në bel dhe vetëm pasi fillon të nxjerrë copat e  gjakut prej goje, nxirret prej torturës. E linin me orë të tëra në këmbë, gjersa i binte të fikët. Pastaj e lagnin me ujë. Dhe prapë tortura. Vdiq i martirizuar në moshën 29 -vjeçare. Dom Mikel Beltojen, pas torturave më të egra, para se ta pushkatonin, e tërheqin zvarrë gjymtyrësh deri sa e shqyen dhe ashtu zharg e pushkatuan  gjysëm vdekur. Dom Lazër Shantojes, iu kalbën të dy këmbët nga shufurat e hekurit të skuqur. Ashtu cung e nxorën përpara nënës së vet, e cila me lot në sy i tha xhelatit: Ju lutem, ma pushkatoni, mos e leni në atë siklet . Vëlla Gjon Pantalia pëson një ferr të vërtetë mundimesh. Vdes në spital, pasi  i kishte të  thyera të dyja këmbët. Dom Pjetër Çuni e Dom Aleksandër Sirdani  hidhen në gropën e zezë të %C së Koplikut, gjersa i mbysin ashtu gjysëm së gjalli duke i shtyrë me cfurk”. “Më kanë bërë masakra me kënaqë shpirtin e tyre pa asnjë arsye” do t'i thoshte Imzot Prof. Jul Bonati mbesës se vet, njëherë në takim.Vdiq pasi e çmendën. Kurse  Papa Pandin  prift katolik në Korçë, ndërsa shkonte në fshatin e tij, e mbytën në një pyll. Iu gjet koka e prerë dhe e vënë mbi trupin e vdekur. Papa Josif Papamihalin - prift i ritit bizantin në Elbasan, e mbytën në baltë për së gjalli në kampin e shfarosjes në Maliq.

Për Imzot Ernest Çoba ipeshkëv, ndihmës-radiologu i spitalit kujton: “Më thirrën një mesnatë të vonë për t'i bërë radiografinë një të burgosuri. Emrin nuk ma thanë. Kur hyra në sallë pashë dy oficerë sigurimi që më pritnin. Në fund të dhomës dallova një thes. Ata morën thesin dhe, pasi e afruan pranë aparatit Rontgen, e hapën. Nxorën një njeri të shfytyruar, sa një fëmijë. E shikova me vëmendje i tmerruar, mezi e dallova. Ishte Dom Ernestoja". Atë Gjon Karmën,  fusin dhe e gozhdojnë në një arkivol dhe e lënë ashtu sa kohë. Mirrte frymë nga një vrimë e hapur, gjë të cilën ai nuk e dinte. Vetë i mjeri mendonte se po e varrosnin ashtu për së gjalli. Dom Ndre Krroqin e fusnin në një thes dhe e rrahin kaq egërsisht, sa ia thyen kockat. Nuk dalloja se kush më rrihte, - thotë Dom Ndreu. Më binte kush të mundte, pa dhimbë. Jetoi i paralizuar, vdiq me një këmbë të prerë." Dom Zef Bici  pushkatohet, ndonëse vuante nga sëmundja e kancerit dhe nuk kishte vetem pak vite jetë. Ishte 47 vjeç. Atë Serafin Kodës i  fusin gishtat në fyt dhe i nxjerrin gurmazin në Lezhë.  Vdes në një torturë . Ishte 54 vjeç. Atë Bernardin Palajn, një ndër folkloristët e mitologët më të mëdhenj shqiptarë, pasi e torturuan marrëzisht, e lidhën me tel të ndryshkur në të dyja duart. Nuk ia zgjidhën për muaj  gjersa iu shkërmish mishi dhe iu helmatis gjaku, duke kaluar në sëmundjen e tetanozit (sharrës). Vdiq rreth 50 vjeç. Dom Mark Gjani, pas sa torturave, e varën në shtyllë dhe ashtu e lanë për ditë e ditë, duke e rrahur sa mundnin. Pasi dha shpirt, trupin ia hodhën në përrua, për ta ngrënë qentë e fshatit Shpal - Mirditë. Ishte 36 vjeç. Dom Lazer Jubanit ndërsa punonte në fermë, i dhanë të hajë një domate dhe e helmatisën. E dërguan në spital duke e lënë pa asnjë ndihmë mjekësore. l hoqën edhe serumin. Vdiq mes dhimbjeve të tmerrshme.

“Atë Florian Berishën e mbajtën me muaj e muaj në qeli duke provuar mbi të tortura nga më çnjerëzoret. Edhe unë që kam ndenjur 20 vjet në burg nuk kam hequr sa i shkreti padër Berisha. E bënë gjysmë të çmendur” - do të thoshte Padër Gjergj Vata.  Kurse Dom Simon Jubani kujton: “Një herë e rrahën aq fort, sa ia thyen të gjithë dhëmbët. Dhe ai, me atë humorin e hollë që e karakterizonte, ashtu i mbuluar me gjak në fytyrë, i tha kriminelit hetues: “E kam ditur se je xhelat, por se qenke dhe dentist, nuk ma ka marrë mendja”. Motër Marie Tucit gjysmën e trupit ia shtinë në një thes, ku kishte brenda edhe dy mace. E rrahën egërsisht, macet u tërbuan dhe e shqyenme thonj. Kështu gjersa dha shpirt. Ishte rreth të 20-tave. Atë Zef Pellumbi do të kujtonte: “Kam kryer 14 vjet burg e 23 vjet internim, gjithsejt 37 vjet. Nga lodhja e mungesa e ushqimit, kanë vdekur mjaft klerikë. Njëri vdiq në krahët e mi, nësa po bisedonim. Një tjetër dha shpirt kur po flinte afër meje. Në mëngjes e gjetëm të vdekur”. Ndërsa Imz. Zef Simoni, ipeshkëv kujton:“ Të burgosurit i nënshtroheshin korrentit elektrik. Goja e tyre mbushej me kripe ose gëlltitnin ilaçe të dëmshme për sistemin nervor. Klerikët i varën, ia prenë kryet, u mbytën ndër këneta.

Torturat komuniste ishin të ngjajëshme me metodat e persekutorëve nazistë!

Të ngjashme me torturat komuniste ishin vetëm metodat e persekutorëve nazistë. Në Dachau hitlerianët internuan 2794 klerikë e besimtarë të 37 kombësive. Në Auschwitz burgosën 416 klerikë. Gjatë luftës së dytë botërore, në Poloni ishin rreth 6400 klerikë viktimë e represioneve, mes të cilëve edhe P. Maksimilian Kolbe, sot në rrugën e shenjtërimit.

E nisur në rrugën e kanonizimit janë tashmë edhe vetë klerikët martirë shqiptarë.

“Më arrestuan në kishën e Barbullushit, ndërsa po kremtoja meshën, kujton Dom Ernest Troshani. U akuzova për agjitacion e propagandë kundër partisë e pushtetit. Jam gjykuar në Shkodër e dënuar me 18 vjet burg. Kalova shumë vite në burgun e tmerrshëm të Spaçit. Në galeri shpesh ndodhnin shembje. I gjithë kampi ishte i rrethuar  me tela. Ishte vetëvrasje po të tentoje të ikje. Shumë njerëz humbën jetën nga lodhja dhe uria.

Ndërsa Myzafer Pipës ndër muskujt e krahëve i fusin  hekurat e skuqur, e vrasin “gjoja në tentativë arratisje”, ndërsa vetë Koci Xoxe deklaron: “kam dhënë unë urdhër të vritet pa gjyq Myzafer Pipa”. Deputetin Kol Prela e tresin  ashtu të vdekur me karrocë plehit. Simon Darragjatin  e Kolec Dedën i hedhin  nga  dritaret e hetuesisë.

Dhe nëse është ndonjë që nuk i beson, apo i konsideron si të ekzagjeruara gjithë këto thënie e dëshmi nga vetë ata që i pësuan apo dëshmitarët tyre, mjafton të shfletojnë faqet 220-250 të librit “Dosja e Diktaturës” dhe do të shohë se të gjitha këto i vërtetojnë, me dëshmitë e tyre, vetë kriminelët që i zbatuan në gjyqin e Koci Xoxes.

Është bërë pra mbi elitën shqiptare ajo çka rusët patën bërë mbi elitën polake në Katyn, ku i shfarosën krejt intelektualët. Padyshim, vetëm fanatizmi dhe urrejtja mund të grumbullonin një mllef të tillë që do të shfrente kaq mizorisht mbi klerin e pafajshëm shqiptar.

Bilanci?

Mos të harrojmë! Ishin  rreth 200 klerikë që kishin kryer 500 vjet studime në 25 universitete të Evropës e do të bënin mjerisht tani, në Shqipërinë e tyre edhe mbi 900 vite të tjera, gati dhjetë shekuj burg. Mos të harrojmë! Vetëm ata, të pushkatuarit, bënë rreth 300 muaj, rreth 25 vjet tortura e hetusi.  Afro 70 muaj, 6 vjet hetuesi e tmerr,  bënë ata tjerët, të mbyturit ndër tortura. Mos të harrojmë! U shfarosën të gjithë. “Nuk duhet ta kujtojmë të kaluarën”, porosit shkrimtari i njohur rus Solzhenjicin. “Atij që e kujton atë ju qorroftë njëri sy, por atij që e harron atë, ju qorrofshin të dy. Me urimin  “Këtej e tutje, qofsh përherë me dy sy, populli im!”

I kujtoj atyre që e sollën këtë fatkeqësi dhe të tjerëve,  bijve të tyre,  që duan t'i vrasin së dyti me harresën se, ne që sërish po na kërcënoni se po merremi me zhvarrimin e eshtrave,“Nuk qajmë pse i humbëm, por krenohemi qe i kemi.”

 

 

maj -qershor 2005

 
 
> Kisha Katolike Shkoder 2008 <

webmaster