ArqipeshkviaFamulliteInstitutet rregulltareZyra per martiretCaritasShtypi dioqezanFshati i paqesArkiv
 

 

 

 EUKARISTIA - BURIM BASHKIMI DHE PËRSOSMËRIE

 

Pasi është një bukë e vetme, ne, edhe pse shumë, jemi një trup i vetëm (1 Kor 10, 17)

 

Çdo kremtim eukaristik merr një domethënie të veçantë në këtë vit kushtuar Eukaristisë. Që me enciklikën Kisha nga Eukaristia Ati i Shenjtë Gjon Pali II premtonte përsëri që ky vit të “zgjonte tek të krishterët mahnitjen eukaristike”, do të thotë mrekullinë përballë “madhështisë hyjnore” (Paul Claudel), që është Eukaristia.

Shën Pali shkruan: “Kelku i bekimit që ne e marrim nuk është vallë bashkim me gjakun e Krishtit? Dhe buka që ne ndajmë nuk është vallë bashkim me korpin e Krishtit?” Eukaristia është pra në themel një mister bashkimi. Ne njohim lloje të ndryshme bashkimi. Një, mjaft intim, është ajo midis nesh dhe ushqimit që marrim, sepse ky i fundit bëhet mish i mishit tonë dhe gjak i gjakut tonë. Shpesh dëgjojmë nëna që u thonë krijesave të tyre, ndërsa i shtrëngojnë në kraharor dhe i puthin: “Je kaq i mirë e të dua shumë, sa do të të haja!”. Është e vërtetë që ushqimi nuk është një person i gjallë dhe inteligjent me të cilin mund të shkëmbejmë mendime dhe ndjenja, por le të supozojmë, për një moment, që ushqimi është vetë ai i gjallë dhe inteligjent, nuk mendoni se atëherë do të kishim më së fundi një bashkim të përsosur? Por, kjo është pikërisht ajo që ndodh në bashkimin eukaristik. Jezusi, në fragmentin ungjillor, thotë: “Unë jam buka e gjallë, zbritur prej qiellit… Mishi im është ushqim i vërtetë… Kush ha mishin tim ka jetën e pasosur” (shih Gj 6, 51-58). Këtu ushqimi nuk është thjesht një gjë, por është një person i gjallë. Kemi më intimin, edhe pse më misteriozin, e bashkimeve. Të shohim atë çka ndodh në natyrë, në fushën e të ushqyerit. Është principi jetësor që më i forti asimilon atë më pak të fortë. Është vegjetali (bimësia) ai që asimilon mineralin, është kafsha që asimilon vegjetalin (bimësinë). Edhe në raportet ndërmjet njeriut dhe Krishtit zbatohet ky ligj. Është Krishti që na asimilon në vetvete; ne transformohemi në Të, jo Ai në ne. Ndonjë materialist ateist shprehet: “Njeriu është thjesht ajo çka ha”. Pa e ditur, jep një përkufizim maksimal të Eukaristisë. Falë sajë, njeriu bëhet me të vërtetë ajo çka ha, do të thotë korpi i Krishtit!

Por le të ndjekim tekstin e shën Palit: “Pasi është një bukë e vetme, ne, edhe pse shumë, jemi një trup i vetëm: pse të gjithë jemi pjesëtarë të një buke të vetme”. Është e qartë që në këtë rast të dytë fjala “trup” nuk tregon më trupin e Krishtit të lindur nga Maria, por tregon “të gjithë ne”, tregon atë trup më të madh të Krishtit që është Kisha. Kjo do të thotë që bashkimi eukaristik është gjithmonë edhe bashkim ndërmjet nesh. Duke ngrënë të gjithë të vetmen bukë, ne formojmë një trup të vetëm. Cila është pasoja? Që nuk mund të kemi bashkim të vërtetë me Krishtin, nëse jemi të ndarë midis nesh, urrehemi, nuk jemi gati për ripajtim. “Nëse ti ke fyer një vëlla”, thotë shën Augustini, “nëse ke kryer një padrejtësi kundër tij dhe pastaj shkon për të marrë kungimin sikur të mos kish ndodhur asgjë, ndoshta shkon edhe me plot entuziazëm, ti i përngjan dikujt që sheh t'i vijë përballë një mik të cilin nuk e sheh prej kohësh. I afrohet me vrap, i hidhet në qafë dhe ngrihet në majë të gishtave për ta puthur në ballë… Por, ndërsa bën këtë, nuk vëren që po i shkel këmbët me këpucët me thumba. Vëllezërit në fakt, në veçanti më të varfërit dhe më të braktisurit, janë gjymtyrë të Krishtit, janë këmbët e tij akoma të mbështetura këtu mbi dhè”.

Kur meshtari na jep Osten, thotë: “Korpi i Krishtit”, dhe ne përgjigjemi: “Amen!”. Tani e dimë kujt i themi “Amen”, do të thotë: “Po, të pranoj”: jo vetëm Jezusit, Birit të Hyjit, por edhe kujt jeton përbri nesh.

Zot Jezus, vetëm ti je ushqimi ynë i vërtetë, Buka e gjallë, i vetmi i aftë që na jep dhe na e përjetëson jetën, bëj që mjegullat e botës të mos errësojnë sytë tanë, me qëllim që t'ia arrijmë gjithmonë të të njohim si Krijuesin dhe Shëlbuesin tonë. Ti që na ke dhuruar vetë korpin tënd për të na shëlbuar, mos lejo që përkëdheljet lajkatare tokësore të na largojnë nga Ty në kërkim të një ushqimi tjetër që nuk na çon në jetën e amshuar. Të kërkojmë që zemra jonë, me sytë e fesë, të mund ta njohë gjithmonë praninë tënde në bukën dhe në verën e kremtimeve tona eukaristike. Dhe duke njohur praninë tënde në kremtimin eukaristik të mund ta njohim edhe në jetën kishtare, në bashkimin dhe dëgjesën kishtare dhe në fjalën e predikuar nga Apostujt.

Ati i Shenjtë, Papa Benedikti XVI, në fjalën e tij drejtuar klerit të Romës më 13 maj 2005, na mëson që dëgjesa kishtare është në praktikën e përditshme, veçanërisht për meshtarin, dëgjesë ndaj Ipeshkvit të tij. Duke përjetuar kremtimin eukaristik le të jenë një nxitje për ne këto fjalë të Atit të shenjtë, me qëllim që të gjithë ne të mund të jemi, në dëgjesë ndaj Krishtit dhe barinjve të Kishës, të gjithë të bashkuar, për t'i dëshmuar botës dashurinë e Krishtit të kryqëzuar dhe të ringjallur. Jezu Krishti të na mësojë të kemi gjithmonë mes nesh të njëjtën dashuri me të cilën Ai na ka dashur, me të njëjtin përkujdes, mirëkuptim dhe përdëllim që Ai pati mbi të gjitha ndaj të vetëve. Dhe akoma, le ta bëjmë tonën ftesën e Atit të Shenjtë që të “intensifikojmë dashurinë dhe devocionin ndaj Jezusit Eukaristi” dhe “të shprehim në mënyrë të guximshme dhe të qartë besimin në praninë reale të Zotit sidomos nëpërmjet solemnitetit dhe korrektësisë së kremtimeve” (Missa pro Ecclesia, 20 prill 2005).

 

 

maj -qershor 2005

 
 
> Kisha Katolike Shkoder 2008 <

webmaster