|
|
FAMULLIA E OBOTIT
Kisha e parë e Obotit u ndërtua me tepricat e gurëve të kishës së shën
Premtes, në Shirq!
Oboti dikur
Oboti shtrihet në
jug-perëndim të Shkodrës dhe është i vendosur në të djathtë të Bunës.
Administrativisht i përket komunës së Oblikës, kurse etnografikisht e
historikisht i përket zonës së Bregut të Bunës.
Sipas gojëdhënave, Oboti
është ngritur njëkohësisht me kishën e shna Prendes në Shirq (shek.
XIII-XIV). Për herë të parë emri Obot gjendet në dokumentet venedikase
të shek. XV.
Sipas traditës gojore,
popullimi i kësaj zone njihet para 700 vjetësh. Fiset e para, sipas
gojëdhënës, ishin fiset Çemeraj e Gjekaj. Mund të ketë pasur edhe të
tjerë, por që u shuan nga sëmundja e murtajës. Kështu fisi Mark Gjekaj
erdhi nga Shestani, fisi Çulaj nga trevat etnike nga Mali i Zi, po ashtu
edhe fisi i Koçobashve dhe fisi Pemaj, kurse ai i Bumejve nga Mirdita,
etj. (shih. Gjovalin Muzhani, “Oboti” Kumbona e së diellës” nr. 12,
1994)
Oboti ka qenë qendër
relativisht e re me një farë veprimtarie ekonomike. Në të kaluarën ka
patur liman ose stacion lumor ku ndaleshin barkat me tonazh të madh, të
cilat nuk mund t'i afroheshin qytetit, meqë prurjet e lumit Buna e
kishin mbushur shtratin deri tek skela e Shirqit.
Në
shekullin e kaluar ky liman ka pasur hane, depo, magazina, dyqane,
qendra postale. Në Obot kanë qëndruar edhe vaporë të firmave të mëdha
tregtare shkodrane, si Muzhanët, Darragjatët, etj. Më 10 gusht 1913, në
Obot dhe në Anën e Malit u ngrit flamuri shqiptar pas kaq shumë vitesh
robëri. Kjo ditë u kthye në një ditë feste e entuziazmi, me batare
pushkësh, për banorët e vendit.
Oboti
famulli
Gojëdhëna
për ndërtimin e kishës së kësaj famullie tregon se, kisha e parë u prish
nga turqit, të cilët e gjuajtën me top nga Berdica. Prandaj lindi nevoja
që kisha të ndërtohej sërish. Kërkesën për ndertimin e saj e bëri
famullitari, dom Pjetër Purati, ndërsa përgjigja nga qeveria turke për
ndërtimin e kishës erdhi, kur famullitar ishte dom Gaspër Begu. Kisha e
rindërtuar si dhe më parë, qe kushtuar shën Sergios dhe Shën Bakut (7
tetor), festë kjo e cila vazhdon të festohet edhe sot e kësaj dite.
Kisha e
parë e Obotit u ndërtua me tepricat e gurëve të kishës së shën Premtes,
në Shirq, një kishë me rëndësi historike dhe vlera arkeologjike. Pra,
pasi u kryen punimet, ajo që mbeti u mbart dhe u soll në Obot, duke
përfituar edhe nga afërsia e këtyre dy fshatrave. Për këtë ka mbetur në
formë gojëdhëne shprehja: “E patët 'baft' ndërtimin e kësaj kishe”.
Kjo trevë,
Oboti dhe Shirqi, sipas traditës, në të kaluarën si vend mjaft mirë i
banuar, përveç kishës qendrore, kushtuar martirëve sirianë, Shën Sergios
(Shirqit ) e Shën Bakut dhe rrënojave të kishës së Shna Premtes, kishte
edhe 30 kishëza apo kapela pranë varrezave. Me rastin e vizitës së
relatorit të Selisë së Shenjtë, dom Stefan Gasparit, Oboti, si famulli,
në vitin 1671 kishte 28 shtëpi me 350 frymë. Më vonë, sipas ipeshkvit të
Shkodrës, Imzot Palë Kamsit, në vitin 1745, shënohet se Oboti kishte 28
shtëpi me 179 frymë (duke përfshirë edhe Sarreqin me 6 shtëpi e 49
frymë). Regjistrimet e vitit 1916 për lagjet Obot e Sarreq kanë dhënë
shifrat: 282 katolikë.
Sipas një
kronike të vitit 1944, në të cilën ndër të tjera bëhej një përshkrim i
shkurtër i kësaj famullie, regjistrat e Pagëzimit fillojnë me datë 6
tetor 1821 dhe famullia është përbërë nga katër katunde: Obot, Shirq,
Muriqan e Oblikë. Oboti gjithnjë në të kaluarën ka lutur Shën Sergjin e
Shën Bakun martirë, të cilëve u është kushtuar kisha, kurse si ndrarje
zonale kjo famulli, ka shkuar me dekanatin e Bushatit.
Rendi i
famullitarëve
Gjatë së
kaluarës, në dokumente të ndryshme përmenden emrat e famullitarëve,
duke filluar nga viti 1660 deri në vitin 1665 dhe 1821 deri 1859 e në
vazhdim si, dom Gjon Pokezit, dom Nikollë Grabenskit, Mikel Vakaj
(Vacagni), dom Gaspër Shirqi, dom Zef Krasniqi, dom Filip Kryqi,
(Cherucci) dom Mark Ivasja, dom Pashko Klari, dom Mhill Naraçi, dom Tomë
Volaj, dom Gjon Gera etj.
Në kujtesën
e të moshuarve ende sot ruhen emra të famullitarëve të tjerë, të cilët
kanë shërbyer në këtë famulli. Si të tillë ata kujtojnë: dom Mark
Shllakun, fillimisht në Trush e më vonë në Velipojë, dom Ndoc Nikën, dom
Gjon Gjergjin, dom Dedë Malën, dom Pjetër Grudën, dom Martin Trushin e
dom Mikel Beltojën, të cilët qëndruan këtu deri në vitin 1967, vit kur u
mbyll kisha.
Ngjarjet e
vitit 1967
Edhe në
Obot kufizimi i veprimtarive fetare zyrtare u bë më 18 mars të vitit
1967. Një i moshuar, i quajtur Shtjefën Paloka, ndonëse i sëmurë dhe në
shtrat, u ngrit dhe shkoi për t'ia thënë këto fjalë atyre që po kryenin
këtë akt të shëmtuar: “Çka ju ka ba more ju vraftë Zoti. Kjo asht
shtëpia e Zotit dhe prapë do të ndërtohet...”.
Pas
mbylljes së kishës, edhe këtu objektet e kultit u keqpërdorën duke u
kthyer në shtëpi apo vatra kulture, shkolla, zyra të kooperativave
bujqësore, etj. Këtë e pohojnë sot banorët të cilët i jetuan ato vite.
Pra, nga viti 1967-1979 kisha ka shërbyer si shtëpi kulture, kurse zyra
famullitare si shkollë fillore. Të mos harrohet se pranë zyrës
famullitare ka funksionuar për një kohë të gjatë edhe Lokaliteti,
ndonëse ai nuk ishte i vendosur plotësisht në territorin e kishës, por
në afërsi të tij. Ekzistenca e tij, organizimi i mbledhjeve të shumta,
nuk mund të mos dëmtonin ndërtesat e kishës, të cilat nuk mirëmbaheshin
dhe as nuk ruheshin aspak. Është për t'u vënë në dukje se besimtarët
ruajtën një fe të gjallë edhe gjatë viteve që Kisha qëndroi e mbyllur.
Edhe në këtë famulli shumë klerikë bënë shërbesa fetare në mënyrë të
fshehtë.
Përveç
tërmeteve politike që e goditën këtë famulli, mbetet për t'u shënuar
edhe tërmeti natyror i datës 15 prill 1979, i cili e goditi rëndë këtë
famulli dhe famullitë përreth. Duke qenë se toka e kësaj famullie është
e rrethuar nga ujërat e lumit Buna dhe se shumë shtëpi ishin të
pagarantuara për lëvizje sizmike, u dha urdhëri që krejt fshati të
shpërngulej dhe të dilte në fshatin Oblikë, duke ndërtuar kështu një
fshat të ri me emrin “Obot i Ri”. Në gazetën “Jeta e re” dt. 25 prill
1979, ndër të tjera në rubrikën e datës 17 tetor 1979, shkruan: “...
Pranë qendrës së Oblikës u ngrit në më pak se 5 muaj fshati Obot i Ri,
me 90 shtëpi të reja e objekte social-kulturale. Me datën 15 tetor 1979
u organizua një miting i madh”
Rihapja e
kishave në vitin 1990
Rihapja e
kishave në vitin 1990, pjesën dërmuese të besimtarëve e gjeti në fshatin
Obot i Ri. Meshtarët që e kishin nën mbikqyrje këtë famulli i kryenin
shërbesat fetare jo në një kishë të vërtetë, por në një ndërtesë tjetër.
Kështu vazhdoi puna deri në vitin 1994, kur u mendua për ndërtimin e
kishës së re. Në themelet e kishës së vjetër meshën e kremtoi Atë Toma.
Puna për ndërtimin e kishës së re (e treta për nga radha) filloi më 11
gusht 1994. Te kisha e vjetër e shën Baftit, ku u hodhën themelet e
kishës së re (24 x 10), u zbuluan themelet e mëparshme, të cilat kishin
këto përmasa 19 x 70, me dy kolona ku ishte altari. Kisha, sipas
dëshmitarëve ishte 5-6 m e lartë, ndërsa kambanarja ishte 18 m e lartë,
me 3 kambana, tingulli i të cilave dëgjohej deri 10 km larg.
Në këtë
ditë, famullitari i Dajçit të Bregut të Bunës, dom Gjergj Simoni, i cili
kishte në vartësi edhe Obotin, së bashku me dom Luigj Kçirën, kremtuan
Meshën e shenjtë dhe bekuan edhe gurin e parë të kishës së re. Në këtë
kremtim qenë të pranishëm një numër i madh besimtarësh dhe të rinjsh të
ardhur nga Belgjika. Përqafime, përshëndetje e shtrëngime duarsh.
Ndërmjetësimin me të rinjtë belgë për financim, e bëri zoti Vlash Tomë
Çukaj, banues në Belgjikë. Duke bashkërenditur punën së bashku me
Këshillin e kishës, ku u dallua veçanërisht zoti Rrok Hila, u arrit që
puna e filluar të vazhdojë pa ndërprerje deri në përfundimin e saj të
plotë më 15 gusht 1998, kur u bë bekimi i kishës së re.
Kisha e re
15 gusht
1998
Pas një
punë të lodhshme dhe të gjatë, në këtë famulli u organizua inaugurimi i
kishës se re. Në këtë gëzim morën pjesë, Arqipeshkvi i Shkodrës,
Shkëlqesia e Tij Imzot Angelo Massafra, famullitari i Obotit, i
Muriqanit dhe i Shirokës dom Mario Baglio, dom Natale Mantovani, dom
Rolando Reda, famullitari i Dajçit të Bregut të Bunës, dom Gjergj
Simoni, si dhe shumë klerikë të tjerë të ardhur nga Italia e shumë e
shumë të tjerë. Pasi u bë bekimi i mureve të jashtme të kishës,
kryeplaku i kishës zoti Gac i dorëzoi Arqipeshkvit çelësin e kishës, i
cili pasi preu shiritin e përurimit, hapi kishën dhe ftoi besimtarët për
të marrë pjesë në Meshën e shenjtë. Pastaj u vazhdua me bekimin e mureve
brenda dhe me atë të altarit të ri. Gjatë homelisë Shkëlqesia e tij mes
të tjerave tha: “Edhe unë desha ta falënderoj Zotin për mundësinë që të
marr pjesë në gëzimin që ndieni ju të gjithë sot, në këtë ditë të
shënuar të të Ngjiturit të Zojës në qiell. Ju duhet të jeni të gëzuar,
sepse keni një kishë dhe një famullitar, që jo të gjitha famullitë e
tjera i kanë. Prandaj duke e përfunduar do të bëj urimin për një Kishë
të bashkuar, në emër të Zotit”.
Bashkë me
Zotin besimtarët falënderojnë edhe dom Marion e dom Natalen, për
mundësinë dhe ndihmën që dhanë për përfundimin e kishës. Kur u bekua
kisha ishin 799 besimtarë.
Tani që
pjesa më e madhe e besimtarëve është kthyer në truallin e vjetër, Oboti
ka kishën e vet të re. Për ata që ende nuk kanë mundur t'i rindërtojnë
shtëpitë e reja në Obotin e Vjetër, famullitari përsëri shërben në
ndërtesën e sajuar që ndodhet në Obotin e Ri. Sot, në dy Obotet ka 120
familje me rreth 500 besimtarë dhe shërbimet fetare kryhen nga, Atë
Giuseppe De Guglielmo dhe Rolando Reda.
Atë Giuseppe De
Guglielmo
Atë Rolando Reda.
maj -qershor 2005 |
|